Koalicionet në rrethin e dytë, interes për të shpëtuar karrierat individuale politike

    Gazetar | Emir Hamzai

    Në balotazhin e zgjedhjeve lokale, Maqedonia e Veriut më 31 tetor do të hyjë me dy koalicione të mëdha ndëretnike, maqedono-shqiptare. Rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale do t’i paraprijë koalicioni zgjedhor ndërmjet partive politike ASH – Lëvizja Besa dhe BDI – PDSH. Politologu, Xhenur Iseni për Nistori vlerëson se këto koalicione nuk janë parimore, por mundësi e karrierave individuale të politikanëve dhe jo e fatit të qytetarit.

    Ai thotë se rezultatet nga rrethi i parë diktuan këtë koalicionet e arritura në rrethin e dytë. Nga këto koalicioni, sipas tij, qytetarit edhe më shumë i është mjegulluar pasqyra politike, sepse nuk janë parimore, por krejtësisht diçka tjetër.

    “Qasja e liderëve të partive politike në këto zgjedhje lokale flet qartë për pretendimin e tyre për ta dominuar skenën politike me çdo kusht. Dhe pikërisht këtu mundë të gjendet edhe përgjigja që shumica e qytetarëve të këtij vendi pyeten se pse ende nuk po shkohet në votim për listat e hapura. E deri atëherë skena politike vazhdon të jetë arenë e fateve të karrierave individuale të politikanëve e jo fatit të qytetarit të thjeshtë”, shton Iseni.

    Nga ana tjetër, gazetari Benjamin Arifi bashkëpunimin BDI – PDSH e vlerëson të pritshëm. Madje, ai thotë që publikisht po zyrtarizohet bashkëpunimi i heshtur i tyre që ka funksionuar të paktën prej vitit 2015. Është çështje tjetër sesa ky bashkëpunim do të ndikojë realisht në zgjedhje, përpos në komunën e Studeniçanit.

    “Bashkëpunimi ASH – Besa nga ana tjetër është i natyrshëm për situatën në të cilën gjenden dy partitë. Por, Lëvizja Besa duhet të vendosë nëse është e kënaqur me qeverisjen e BDI-së në nivel qendror dhe këtë ta thotë hapur e publikisht. Nëse vlerësojnë se duhet të ketë ndryshim në bllokun politik shqiptar, atëherë Besa duhet të largohet nga qeveria me BDI-në dhe t’i bashkëngjitet koalicionit opozitar shqiptar, ASH-AAA. Çdo veprim ndryshe do të ishte interes i ngushtë partiak e jo reflektim i vullnetit për ndryshim të mirëfilltë”, deklaron Arifi për Nistori.

    Koalicionet para zgjedhore, për fat të keq, sipas opinionistëve më tepër bëhen për arsye politike që të sigurohet fitore partiake dhe jo të jepet inercion për ndryshim. Përndryshe, rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale mbahet më 31 tetor. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    40 policë kanë torturuar anëtarë, aktivistë të VMRO-DPMNE-së

    Lajmi i rradhës

    Kurti: Serbia duhet të tregojë forcën e saj në ringun e boksit jo në kufi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë