KOLLA E KEQE / Thirrje për imunizim të fëmijëve

    Komisioni për Sëmundje Infektive ka dhënë rekomandime për imunizimin në radhë të parë të atyre fëmijëve të cilët nuk janë imunizuar kundër kollës së keqe në kalendarin e rregullt të vaksinimit, tha zëvendësministrja e Shëndetësisë në qeverinë teknike Maja Manoleva. Ajo po ashtu njoftoi se punktet në qendrat shëndetësore po punojnë me orar të zgjatur, ndërsa nëpër pikat e vaksinimin do të punohet edhe të shtunave.

    “Janë hapur disa turne shtesë nëpër disa poliklinika të qytetit, ndërsa pikat e vaksinimit do të punojnë edhe të shtunave. Është e vërtet që ka një turmë, prandaj u bëjmë apel prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre në datat e rregullta të vaksinimit, në mënyrë që të mos përballemi me një valë si kjo në të ardhmen, qoftë për fruthin apo për sëmundjet tjera për të cilat fëmijët mund të vaksinohen në kalendarin e rregullt. Megjithatë, ofruam kushte që edhe në këtë periudhë pikat e vaksinimit të punojnë me orar të zgjatur”, tha Manoleva në përgjigje për gazetarët.

    Manoleva u shpreh gjithashtu se beson që e gjithë kjo do të mundësoj më shumë vaksinim.

    “Prindërit që dyshojnë se një nga fëmijët mund të ketë kollë të keqe, sigurisht që duhet ta çojnë fëmijën të mjeku i familjes e nëse është e nevojshme edhe tek specialisti dhe të ndjekin rekomandimet”, theksoi ajo.

    Ajo u përgjigj edhe rreth asaj nëse Ministria e Shëndetësisë ka paraqitur kërkesë në Prokurori për personat të cilat anti-vaksinimin e shpërndajnë në rrjete sociale, me ofendime drejtuar mjekëve, e ku vërtet thuhen teza kundër fushatës së imunizimin dhe prindërit i besojnë.

    “Aktualisht, kemi njerëz të cilët nuk janë mjekë, ndërsa kanë një ndikim të madh sipas komenteve dhe ndjekësve të tyre që nuk do t’i vaksinojnë fëmijët e tyre. Ajo që do të thosha është se ndoshta rënia e imunizimit në dy dekadat e fundit është për shkak të ndikimit të medias, por edhe i numrit të njerëzve që promovojnë anti-vaksinë e që nuk bazohet në prova. Domethënë, situata si kjo me pertusis këtë vit dhe me fruthin vitin e kaluar do të sjellin pasoja të rënda për qytetarët nëse nuk vazhdojmë me rritjen e shkallës së imunizimit. Mendoj se pikërisht ky duhet të jetë rasti që të gjithë të shohim se drejt çfarë po shkojmë duke dëgjuar ato akuza që bëjnë grupet anti-vaksinë”, sqaroi zëvendësministrja duke shtuar se nuk ishte e informuar nëse Ministria e Shëndetësisë kishte iniciuar ndonjë procedurë në Prokurorinë Publike lidhur me këto raste, por tha se gjatë ditës do të informohet dhe nëse ka informata shtesë do t’i dorëzojë ato.

    Sa i përket gripit sezonal, ajo bëri të ditur se deri tani janë vaksinuar mbi 60 mijë qytetarë.

    “Kemi ende persona që paraqiten me një pasqyrë më të rëndë klinike të gripit sezonal, por këta janë pacientë që ende kanë shumë komorbiditete, sëmundje shtesë tek të cilët infeksioni me grip sezonal e komplikon edhe më shumë situatën”, theksoi Manoleva. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Si të pastroni mushkëritë nga nikotina me gjithçka natyrale

    Lajmi i rradhës

    Brush: Vetëperceptimi i Vuçiqit si president i ‘botës serbe’ nuk i kontribuon dialogut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë