Komisioni: Agjencia e Barnave “MALMED” pengon zbardhjen e manipulimeve

    Agjencia e Barnave “MALMED” nuk dorëzoi dokumentacionin e plotë të kërkuar nga Komisioni anketues për skandalin e Onkologjisë në Kuvend. Kryetarja e këtij komisioni Rashella Mizrahi këtë çështje e shtroi në seancën e sotme, duke thënë se gjendja faktike duhet të dokumentohet me atë se çfarë ka ndodhur në Klinikën e Onkologjisë. Mizrahi tha se edhe për të dytën herë kur u kërkuan dokumentet, nuk u sollën të plota, siç janë kërkuar që do të ndihmonin të hidhnin dritë mbi manipulimet e mundshme me terapitë e shtrenjta kundër kancerit dhe rishitjen e tyre në treg të zi nga personeli mjekësor, që dyshohet se u bënë shkak i vdekjeve të shumta të pacientëve dhe i përkeqësimit të shëndetit të pacientëve të tjerë.

    “Përse nuk u proceduan dokumentet te Komisioni Anketues dhe latë hapësirë e njollë të institucionit MALMED”? Depot e shitjes së barnave me shumicë janë në kompetencat tuaja dhe tani përmes kontrolleve të fletëpagesave mund të shihni cili ilaç ku ka përfunduar, meqë bëhet fjalë për 30 lloje të barnave sivjet, vitin e kaluar ishin vetëm 24 për terapi biologjike të cilat procedohen tek Klinikat”, deklaroi Rashella Mizrahi, Kryetare e Komisionit anketues “Onkologjia”.

    Por përfaqësuesit të Agjencisë së barnave “MALMED” që ishin të pranishëm në sallë thanë se kjo agjenci nuk ka kompetenca të kontrolloj keqpërdorimet në asnjë institucion shëndetësor publik. Zëvendësdrejtor i “MALMED” Robert Bekirovski, tha se kanë kryer mbikëqyrje inspektuese por s’kanë detektuar problem.

    “Në këtë rast që është thirrur Komisioni Anketues dua të potencoj që MALMED nuk është kompetent, përkatësisht importuesi i depos së barnave me shumicë nuk ka përse dhe nuk duhet të parashtroj kërkesë ku do të dorëzohen dokumentacionet apo marrëveshjet për shitje e të tjera për të treguar në cilën klinikë”, tha Robert Bekirovski, Zëvendësdrejtor i “MALMED”.

    Deputeti Antonio Milloshoski e pyeti Bekiroskin se cilat janë marrëdhëniet afariste në mes të MALMED-it dhe shitësit me shumicë “Panovski” dhe nëse kanë pasur ndonjë kontroll dhe inspektim në objektet e këtij tregtari me shumicë. Por Bekiroski nuk do të komentonte për shitësit me shumicë individuale dhe tha se të gjitha 487 janë të njëjta për MALMED.

    “Përgjigja tregon se ky tregtar i shumicës as që duhet përmendur, sepse është më i fuqishmi dhe merr tenderët më të mëdhenj dhe ka pozitë të privilegjuar me të gjithë drejtorët nga LSDM dhe BDI të Klinikës së Onkologjisë. Ndaj drejtori mund ta përballojë barin “Nexavar”, i cili kushton 3500 euro për një kuti, që në vitin 2018 t’i jepet pacientit për përdorim në spitalin ditor të Onkologjisë, pa marrë “Panovski” miratimin nga MALMED”, tha Antoni Milloshoski, Deputet i VMRO-DPMNE.

    Sipas deputetit Milloshovski këtë e dëshmon aktgjykimi i Apelit, me të cilin gjoba që i ishte dhënë fillimisht këtij tregtari me shumicë, u reduktua në paralajmërim. Prandaj ai tha se jorastësisht në MALMED vendosen kuadro të verifikuara partiake. Debati vazhdon në Kuvend ku edhe në seancat e ardhshme do të merren ekspert të institucioneve të ndryshme. Deri më tani dëshmitë e tyre kanë dhënë ish Ministrat e Shëndetësisë dhe autoritetet të tjera të implikuar në rastin e Onkologjisë. Në këtë Klinikë dyshohet që në 10 viteve e fundit janë bërë manipulime me terapitë e shtrenjta biologjike kundër kancerit. Për këtë rast edhe Prokuroria Publike ka ngritur procedurë para hetimore. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Vdes 16-vjeçarja në Tetovë, rrethanat të paqarta

    Lajmi i rradhës

    Fronti opozitar pritet ta zyrtarizoj bashkëpunimin për zgjedhjet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë