Komisioni Europian: RMV nuk ka bërë progres në fushën e arsimit

    Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur në fushën e arsimit, konstaton Komisioni Evropian në Raportin vjetor për progresin e vendit. Progres i kufizuar është arritur në periudhën raportuese, duke marrë parasysh ndikimin e pandemisë KOVID-19. KE-ja vëren se ngadalë zbatohet Strategjia e Arsimit 2018-2025 dhe zhvillimi i një sistemi të përshtatshëm monitorimi. Rekomandimet nga raporti i vitit të kaluar mbeten të vlefshme sepse janë përmbushur pjesërisht.

    Vitin e ardhshëm, sipas rekomandimeve në Kapitullin 26 të Raportit, vendi duhet të përqendrohet veçanërisht në miratimin e Ligjit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional (AAP) dhe në ngritjen dhe funksionalizimin e qendrave rajonale për arsimin dhe aftësimin profesional, finalizimi dhe miratimi i Ligjit për arsimin e të rriturve. Ai duhet të përmirësojë aksesin në arsim cilësor për të gjithë, veçanërisht fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët romë, duke rritur regjistrimin në arsimin parashkollor, si dhe të përmirësojë mbështetjen për trajnimin e mësuesve dhe zhvillimin profesional.

    Shënon se Ligji për Arsimin fillor, i cili filloi të zbatohet në vitin shkollor 2019-2020, ofron bazën për arsim gjithëpërfshirës dhe cilësor dhe se që nga viti i fundit shkollor 2021-2022, në përputhje me Konceptin e ri për Arsimin fillor , janë përgatitur programe të reja mësimore për nxënësit e katër klasave të para dhe janë realizuar një numër i konsiderueshëm i trajnimeve të mësimdhënësve për këto programe.

    Sipas raportit, është bërë progres në përforcimin e arsimit dhe aftësimit profesional sepse shkalla e pjesëmarrjes së nxënësve në këtë lloj arsimi është vazhdimisht në rritje: 64 për qind në vitin 2021 kundrejt 62,1 për qind në vitin 2020 dhe 61,8 për qind në vitin 2019. Thekson edhe për fushatën “Mëso me mençuri, puno me profesionalizëm” e zbatuar për promovimin e arsimit profesional në vend dhe se janë hapur gati 100 paralele të dyfishta, duke rritur numrin e praktikantëve në kompanitë private. Por, KE-ja thekson se ende nuk është miratuar ligji i ri për arsimin dhe aftësimin profesional, i cili thekson mësimin të bazuar në punë dhe rolin e qendrave rajonale për arsim dhe aftësim profesional që do të krijohen në të gjithë vendin. Ata duhet të ofrojnë trajnime specifike që synojnë nevojat e tregut vendor të punës në koordinim me bashkësinë e biznesit.

    Raporti tregon se programet mësimore për trajnim profesional janë në rishikim që nga viti 2019 për t’iu përshtatur nevojave të tregut të punës dhe modernizimi i tre qendrave të arsimit dhe trajnimit profesional është penguar nga miratimi i ngadalshëm i legjislacionit të nevojshëm nga Parlamenti.

    KE-ja në raport shënon se në vitin 2021 shpenzimet publike për arsimin dhe trajnimin janë rritur lehtësisht në 3.76 për qind të BPV-së, duke theksuar se ato janë ende larg mesatares së BE-së prej 5 për qind. Ajo pengon zbatimin e duhur të Strategjisë së Arsimit 2018-2025. Për më tepër, shpenzimet janë shumë joefikase, kryesisht për shkak të formulave të vjetruara për rishpërndarjen e mjeteve për arsimin publik nga ana e komunave.

    Megjithëse është bërë njëfarë progresi në arsimin parashkollor, niveli i përgjithshëm i regjistrimit mbetet i ulët. Vetëm 45 për qind e fëmijëve të moshës 3 deri në 6 vjeç në vend janë regjistruar në institucionet parashkollore të licencuara në vitin 2020-2021. “Kjo është një rritje e vogël në krahasim me vitin paraprak”, thuhet në Raport, i cili megjithatë shënon se ka një zgjerim të kapaciteteve për përfshirjen e një numri më të madh të fëmijëve në arsimin parashkollor dhe janë bërë përpjekje për përmirësimin e cilësisë së tij. Në raport me shkallët e tjera të arsimit, në vitin shkollor 2020-2021 në shkollat fillore dhe të mesme janë regjistruar gjithsej 71.811 nxënës. Numri i nxënësve të regjistruar në vitin e parë ka ardhur në rënie në tre vitet e fundit, por në të njëjtën periudhë, përqindja e studentëve romë të regjistruar në institucionet e arsimit të lartë është rritur me gjashtë për qind (nga 46 në 52 për qind).

    PROBLEM FINANCAT E PAKTA

    KE-ja thekson se përparimi në reformimin e programeve arsimore dhe reduktimin e mospërputhjeve të aftësive pengohet nga mungesa e financave dhe kapaciteteve.

    “Edhe pse Maqedonia e Veriut ka përparuar shumë mirë për sa i përket numrit të njerëzve me arsim të lartë, programet mësimore nuk janë të përshtatshme për t’i pajisur të diplomuarit me aftësitë e nevojshme për të përmbushur kërkesën për fuqi punëtore. Mbështetja financiare shtetërore për arsimin është e pamjaftueshme dhe koordinimi ndërmjet sektorit të arsimit dhe bizneseve është i dobët”, thuhet në Raport.

    Aktiviteti i inovacionit mbetet përgjithësisht i ulët. Me 0.4 për qind të BPV-së, duke përfshirë një pjesë të vogël të sektorit privat, shpenzimet e ekonomisë për hulumtime dhe inovacione nuk janë rritur vitet e fundit dhe mbeten shumë nën mesataren e BE-së.

    Lajmi Paraprak

    Sekretet e jetës sipas shkrimtarit të madh rus, Leon Tolstoi

    Lajmi i rradhës

    Xhaferi: Qasja joserioze e RMV-së ndaj mjedisit do të jetë pengesë e madhe në rrugën e drejt BE-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë