Xhaferi: Qasja joserioze e RMV-së ndaj mjedisit do të jetë pengesë e madhe në rrugën e drejt BE-së

    Në krahasim me Raportin e vitit të kaluar të Komisionit Evropian, raporti i sivjetshëm ka shënuar progres. Në raportet e mëparshme ka pasur përparim të kufizuar ndërsa tani, siç thotë Maja Moraçanin, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve dhe deputete e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka një përparim pak më të madh.

    “Nga pikëpamja e bartjes së legjislacionit i cili është në përputhje me direktivat e BE-së, progres është shënuar në ligjet për cilësinë e ajrit, ligjin për inspektim mjedisor, ligjet për menaxhimin e mbetjeve, ndryshimet në ligjin për mjedisin. Progres ka edhe në fushën e zonave të mbrojtura ku Mali Sharr u shpall park i ri kombëtar, si dhe zona e Osogovës dhe lugina e Maleshevës që po ashtu janë zona të mbrojtura, kështu që tani në Maqedoni kemi 13.9 për qind zona të mbrojtura”, tha Moraçanin.

    Sipas saj, problemi qëndron tek zbatimi i rregulloreve ligjore mjedisore. Ajo tregon që vërejtja dhe ajo që shkruhet në raport nuk kanë të bëjnë me legjislacionin edhe pse duhet që ende disa ligje tjera të miratohen, pra problemi është në zbatimin e tyre, “Këtu nuk kemi rezultate dhe nuk është se kjo thuhet vetëm në raport, këtë e dimë të gjithë ne që punojmë në këtë temë. Pra, duhet të zbatohen ligjet. Këtu qëndron dobësia. Raporti gjithashtu vë në dukje se kapaciteti administrativ është i dobët, si në nivelin qëndror ashtu edhe në atë lokal, kur flasim për mjedisin. Financimi, investimi i mjeteve financiare për mjedisin dhe klimën, është i dobët”, theksoi ajo.

    Për këtë problem foli edhe Arianit Xhaferi nga organizata joqeveritare “Eko-guerila”, i cili theksoi se reformat ligjore në ekologji së bashku me projektet konkrete zakonisht ngecin sepse, duke filluar nga Ministria e Mjedisit e deri në çdo dikaster tjetër, autoritetet mbrojnë interesat e bizneseve të partnerëve të tyre, anëtarëve të partive apo zyrtarëve.

    “Duke qenë se shumica e këtyre bizneseve kanë mundësi të modernizojnë objektet e tyre dhe të minimizojnë ndotjen – dhe nuk po e bëjnë, është e qartë se autoritetet nuk do të marrin masa ndëshkuese ndaj tyre. Raporti për progresin i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, në kapitullin 27, të paktën në pesë vitet e fundit identifikon të njëjtat probleme dhe jep të njëjtat rekomandime, që do të thotë se vendi ynë nuk i ka zbatuar rekomandimet që nga viti 2018 (por edhe më herët)”, tha Xhaferi.

    Sipas tij, qasja joserioze e vendit tonë ndaj mjedisit domosdoshmërish do të jetë pengesë e madhe ne rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Komisioni Europian: RMV nuk ka bërë progres në fushën e arsimit

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia e Veriut më pak prokurorë, më shumë gjykatës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë