Komuna e Tetovës dhe e Çairit reagojnë ndaj MASh për shkurtimin e bllok dotacioneve

    Komuna e Çairit dhe ajo e Tetovës kërkojnë llogari nga Ministria e Arsimit për shkurtimin e buxhetit të bllok dotacioneve. Nga Komuna e Çairit njoftuan se për vitin 2024 bllok dotacionet e planifikuara kapin shumë prej 525 milionë denarë, buxhet i cili duhet të mbuloj pagat dhe regresin e mësimdhënësve, ngrohjen dhe mirëmbajtjen e 10 shkollave fillore. Nga Çairi kujtojnë se 500 milionë denarë të bllok dotacioneve do të shpenzohen vetëm për pagat e punonjësve në shkolla.

    “Pjesa e mbetur prej 25 milionë denarë është tepër e vogël për mbulimin e të gjitha harxhimeve tjera. Urgjentisht kërkojmë nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit të rishqyrtoj këtë vendim sepse kështu dëmtojmë 10 shkolla fillore dhe rreth 10 mijë nxënës të cilëve e kemi obligim moral t’u sigurojmë kushte të mirëfillta për mësim dhe jo lëmoshë. Shkurtimin e bllok dotacioneve ne e vlerësojmë si një lojë tinzare të Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe atë në kurriz të fëmijëve, të nxënësve, të ardhmërisë tonë,” deklaroi Blerim Sulejmani, Komuna Çair.

    Sektori për arsim i komunës së Tetovës vlerëson se me këtë shkurtim buxheti, shkollat do hyjnë në kolaps. Thonë se shkollat nuk do të kenë mundësi të furnizohen me lëndë djegëse për ngrohje si dhe të mbulojnë shpenzimet tjera.

    “Në krahasim me buxhetin e vitit paraprak, këtë vit kemi 93.5 për qind të bllok dotacionit të propozuar nga ministria të shkojnë vetëm për rrogat regresin dhe pensionimet që parashihen në shkollat tona, ndërsa vetëm 6.5 për qind mbetet me çka shkollat do duhet të funksionojnë, e ku përfshihen ngrohja, furnizimi me lëndë djegëse, pagesa e faturave të energjisë, hedhurinave, ujit dhe materialeve të tjera të nevojshme për shkollat e Tetovës. Me këtë buxhet shkollat janë tej mase të dëmtuara dhe është problematike që me këtë buxhet të funksionojnë shkollat,” tha Nazmi Dauti. Sektori për Arsim Komuna e Tetovës.

    Nga Komunat e mësipërme kujtuan se edhe me bllok dotacionet e deritanishme nuk kanë arritur t’i mbulojnë shpenzime e kërkuara nga shkollat. Disa prej këtyre shpenzimeve komunat i kanë mbuluar me mjete nga buxheti vetanak ndërkohë që shkolla të caktuara mbeten me borxhe. Komunat paralajmërojnë masa në rast se nuk shqyrtohet shkurtimi I bllok dotacioneve. Deri në këto momente nga Ministria e Arsimit nuk morëm asnjë përgjigje. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Pollogu i mbushur me deponi të egra, ndërsa ministrja Shukova lavdërohet me Parkun Kombëtar

    Lajmi i rradhës

    Këshilli Gjyqësor pranoi raportin vlerësues me 40 rekomandime

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë