Komunat humbin në bazë vjetore, 100 deri 120 milionë euro për shkak të mbledhjes së pamjaftueshme të taksave të pronës dhe tarifave të shërbimeve. Nëse komunat do t’i mblidhnin këto para, do të kishte një cikël të ri investimesh. Bazat e vjetruara të të dhënave ndër të tjerash ndikojnë në këtë minus në arkat e vetëqeverisjeve lokale. Tani, planifikohet që shteti ta përditësojë bazën e të dhënave në faza nga viti 2026 deri në vitin 2028, përmes lidhjes me Kadastrën dhe transformimit dixhital, dhe më pas të përdorë softuer për të nxjerrë automatikisht vendime (pa “faktorin njerëzor”) për mbledhjen e taksave komunale. Me fjalë tjera, një qendër burimesh do t’u mësojë komunave si të mbledhin taksat dhe të shpenzojnë paratë me mençuri. Vetëqeverisjet lokale edhe, përmes komunikimit me qeverinë qendrore dhe rrjetëzimit, do të mësojnë si t’i zgjidhin këto probleme përfshi edhe problemin e grumbullimit të taksave nga ana e disa komunave.
Komunat kanë marrë injeksione financiare prej mbi 300 milionë eurosh në vitet e fundit dhe në vitin 2026 ato do të hyjnë me një borxh total prej mbi 83 milionë eurosh. Qendra e Burimeve është mjeti i ri i Qeverisë që do t’i ndihmojë komunat të menaxhojnë në mënyrë efektive financat e tyre, të komunikojnë me qeverinë qendrore, t’u mësojnë atyre se si të krijojnë rrjete dhe si të mbledhin taksat, dhe më pas të përdorin fondet për të arritur performancën dhe progresin më të madh.
“Ideja është të kemi një pikë kontakti për komunikim midis kryetarëve të komunave dhe administratës dhe midis institucioneve dhe qeverisë qendrore. Ky projekt ishte shumë i nevojshëm dhe është një sublimim i të gjitha problemeve që i mundojnë kryetarët e komunave”, tha Zlatko Perinski, Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.
Komunat përballen me një numër të madh sfidash në fushat e financave publike, auditimit apo revizionit të brendshëm, burimeve njerëzore, prokurimit publik, urbanizmit dhe shumë segmenteve të tjera, dhe qendra e burimeve, e cila është e lidhur me një numër të madh ministrish dhe institucionesh shtetërore, është mjeti me të cilin ato do të përparojnë duke forcuar kapacitetet dhe duke lëvizur në drejtim të decentralizimit fiskal, vlerësojnë ekspertët.
“Kjo për t’u lehtësuar komunave më të mira të ndajnë përvojat e tyre me të tjerët. Ky është një sistem që duhet të përfshijë segmente dhe qëllime të shumëfishta në mënyrë që të forcojë kapacitetin ekzistues dhe të kalojë në fazën tjetër të decentralizimit kur komunat do të marrin më shumë fonde dhe do të ofrojnë shërbime. Numrat dhe buxhetet janë një gjë. Politikat janë të rëndësishme. Secila prej këtyre reformave duhet të shoqërohet me politika të caktuara për ndryshim. Një ndryshim në politikat e tyre, në modelet e tyre të punës, në statutet e tyre. Disiplina vjen përmes krijimit të një kuadri për sjelljen e tyre paralelisht me mbështetjen që marrin”, thotë Borçe Trenovski, profesor universitar.
Komunat po zhyten në borxhe së bashku me ndërmarrjet e tyre komunale, nuk mbledhin taksa, nuk mbledhin fonde të mjaftueshme dhe i shpenzojnë ato në mënyrë joracionale, tregojnë analizat e institucioneve. Qendra e burimeve, përveçse një pikë kontakti, do të jetë një qendër shpërndarjeje për fondet e donatorëve dhe një mjet për zhvillimin e komunave dhe zhvillimin e balancuar rajonal.
“Duke filluar nga viti 2026, ne do t’u vëmë në dispozicion të pushteteve lokale bazat e të dhënave të azhurnuara të taksapaguesve, përmes të cilave ato do të jenë në gjendje të mbledhin burimet e tyre të financimit në mënyrë më të përshtatshme. Kjo është ajo që mund të bëjë pushteti qendror. Edhe me zgjidhjet ekzistuese ligjore, ka pasur kryetarë komunash që mbledhin 100 për qind të burimeve të tyre të financimit, por, për fat të keq, kemi komuna që nuk kanë lëshuar asnjë vendim të vetëm tatimor në 10 vitet e fundit. Ata që nuk do të veprojnë në periudhën e ardhshme, do të jenë të kufizuar në aspektin e përdorimit të ndihmës dhe mbështetjes nga buxheti qendror, sepse nuk është e përshtatshme të kërkohet vazhdimisht ndihmë financiare nga vëllai i madh”, shton Perinski.
Borxhe të mëdha tregojnë kompanitë e shërbimeve publike në vend. Deri në fund të muajit shtator, sipas të dhënave zyrtare, borxhet e tyre kanë arritur në 130 milionë euro. Borxhet e ndërmarrjeve komunale nuk janë nga dje, por janë një problem i vjetër. Edhe pse ndihma të ndryshme po derdhen vazhdimisht në arkat e tyre në vitet e kaluara, megjithatë borxhet mbeten të larta, dhe problemi po thellohet. Të dhënat e BNJVL, apo organizatës që përfaqëson komunat në vend, tregojnë se janë disa lloje të borxheve të ndërmarrjeve në nivel komunash dhe atë kategoria e parë e borxheve është borxhi ndaj tatimorëve. Problemi i dytë është me energjinë elektrike. Kategoria e tretë e borxheve është ajo që kanë ndaj ndërmarrjeve shtetërore. Kategoria e katërt janë pagat dhe e pesta janë borxhet ndaj furnizuesve.
Qeveria e mëparshme në vitin 2021 siguroi mbi 50 milionë euro për të rregulluar boshllëqet ku çdo komunë mori fonde të pakthyeshme për të mbuluar 51 për qind të borxheve të raportuara. Menjëherë pas marrjes së pushtetit, qeveria aktuale organizoi një kredi hungareze prej 250 milionë eurosh për projekte kapitale në komuna. Kompanitë publike të shërbimeve publike me vite janë në një krizë të thellë. Ekonomistët thonë se problemet nisin nga çmimet e larta të energjisë elektrike që po i mbytin buxhetet e tyre, mbipunësimet, si dhe tarifat e ulëta për shërbimet e ujit, mungesa e stafit të ri profesional dhe pagat që vështirë mbulohen. /Koha/






