Rezultatet e konkurseve për mbështetjen e projekteve me interes nacional në kulturë nuk premtojnë asgjë të re këtë vit. As në shifra, e një pjesë as në cilësi! Mbështetja e librave të titullarëve, apo koncerteve për familjarët…. bëjnë që deklarata e ministrit Zoran Lutkov se “kultura ka mbështetje dhe se shteti qëndron pas artistëve”, apo se “procesi i përzgjedhjes, u krye në bazë të kritereve të përcaktuara qartë, prioriteteve të paracaktuara dhe komisioneve të ekspertëve të përbëra nga persona kompetentë” mbeten thellësisht deklarative, shkruan gazeta Koha.
Sa i takon përqindjes, ose mbështetjes financiare për projektet që lidhen me kulturën shqiptare, shifrat variojnë nga 6 e deri në 15 për qind në veprimtari të caktuara. Përqindjet, për të cilat kreu i Ministrisë së Kulturës, Lutkov, gjatë prezantimit të rezultateve të dielën ngurroi t’i cekte, me pretekstin se në kulturë nuk mund të kalkulohet me shifra.
Veprimtaria e “Botimeve” edhe këtë vit nuk mund të mos i shpëtojë reagimeve. Projektet shqiptare, më të shumtat në numër janë ato të mbështetura me shuma të vogla, një pjesë e konsiderueshme me nga 60 mijë e deri në 100 mijë denarë, ku nuk mungojnë as titujt e çuditshëm si “Hulumtime në kieziologji” me autor Astrit Iseni, apo praktika që vazhdon prej disa vitesh e përmbledhjeve, punimeve shkencore për mbrojtjen e magjistraturave, apo doktoraturave, përkthime… e të tjera.


Sa i takon shumave me të cilat mbështeten monografi e botime të tjera, shkon deri në 350 mijë. Te titujt në shqip maksimumi është 200 mijë. Përfitues më të mëdhenj mbeten Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” (Instituti i Literaturës Maqedonase) Matica. Sa i takon Muzikës, nga gjithsej 138 projekte, shqiptare numërohen 28 dhe 110 maqedonase. Në një vlerë prej 3.142.400 denarë, ose 15.8 për qind. Mbështetja për pjesën tjetër është mbi 16 milionë denarë. Në Folklor, përqindja e projekteve dhe shuma që mbështeten është më e lartë, deri 29 për qind, ose mbi 3 milionë denarë. Lista e fituesve hapet me konflikt interesi, projektin e të afërmit të anëtarit të komisionit, si fitues.
Tek “Ndërkombëtarja” janë mbështetur me më pak se 4 milionë ose vetëm 7 për qind nga totali prej mbi 51 milionë denarë. Në “Artet Vizuele”, projektet shqiptare marrin më pak se 6 për qind , gjithsej 774 mijë denarë.
Tek “Festivalet dhe Manifestimet”, projektet shqiptare arrijnë 15 përqindëshin me mbi 13 milionë denarë.
Reagimet kanë qenë të shumta. BDI ka reaguar duke e cilësuar modelin e shpërndarjes së mjeteve publike për kulturën dëshmojnë një model të konsoliduar majorizimi institucional. Sipas përllogaritjeve të tyre, në total, nga rreth 221 milionë denarë, vetëm 30 milionë denarë u janë ndarë projekteve shqiptare (13.8%), shifër që sipas BDI-së, nuk është gabim administrativ, por dëshmi e një sistemi të qëndrueshëm majorizimi, segregimi dhe mungese transparence, ku kultura shqiptare tolerohet si prani, por mohohet si subjekt i barabartë kulturor dhe institucional.
“Në dramë, folklor dhe botime, kultura shqiptare trajtohet si prani dytësore. Këta sektorë që prodhojnë narrativë, memorie dhe identitet kulturor administrohen sipas një hierarkie të njëanshme, ku kultura maqedone ruan dominimin strukturor, ndërsa ajo shqiptare mbetet sistematikisht në periferi. Në Muzikë, janë shpërndarë kryesisht përmes mekanizmave partiakë dhe klientelistë, duke e zhveshur financimin nga kriteret profesionale”, thuhet në reagim.






