KONTEJNERË PËR LETËR DHE PLASTIKË! Dibra fillon riciklimin e mbeturinave

    Për herë të parë në Dibër ndërmarrja komunale “Standardi”, ka vendosur etiketa me mbishkrime në kontejnerët të cilët janë përcaktuar për riciklimin e mbeturinave. Riciklimi ka të bëjë me ndarjen e mbeturinave të letrës dhe mbeturinave të plastikës. Është ky një hap drejt rritjes të vetëdijes të qytetarëve të cilët pas vendosjes të kontejnerëve të ri tani duhet që mbeturinat e letrës dhe plastikës t’i ndajnë nga mbeturinat e tjera. Drejtoria e ndërmarrjes komunale “Standardi”, pret që ky vendim të respektohet nga ana e qytetarëve. Drejtoria potencon se aktiviteti ka të bëj me riciklimin e mbeturinave dhe rritjen e vetëdijes qytetare që kontejnerët të caktuar të përdoren ashtu siç është paraparë.

    Drejtori i ndërmarrjes komunale publike “Standardi”, Burim Kaba për gazetën Koha thotë se është momenti që ndërmarrja t’iu ofrojë mundësi qytetarëve që edhe ata siç ndodh në qytete të tjera, të fillojnë që të grumbullojnë letrën dhe plastikën në mënyra të ndara.

    “Pas sigurimit të mbi 130 kontejnerëve me një projekt të komunës Dibër, vendosëm që kontejnerët të cilët tani janë vendosur që të grumbullojnë mbeturina të ndara. Vendimi i ndërmarrjes është që në fillim aty ku janë vendosur kontejnerët të ketë mbishkrime në çdo kontejner se cilat mbeturina kanë mundësi të hedhen në të. Kemi kontejner për letër, kontejner për plastikë dhe kontejnerët e tretë janë për hedhjen e mbeturinave të tjera. Është një hap i rëndësishëm për rritjen e vetëdijes të qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Të gjithë kontejnerët kanë etiketat e tyre dhe kemi dhënë shumë sqarime në mediat dhe në mënyrat e tjera që qytetarët t’i hedhin mbeturinat në mënyrën siç është paraparë. Presim që seleksionimi i mbeturinave të filloj edhe në qytetin tonë meqë ajo është në interes të mbar popullatës. Kontejner të këtillë janë vendosur në shumë pjesë të Dibrës dhe faktikisht qytetarët kanë mundësi të bëjnë seleksionim të mbeturinave”, thotë drejtori i ndërmarrjes komunale, Burim Kaba.

    Këtë aktivitet e përshëndetën shoqatat ekologjike të Dibrës si dhe shumë qytetarë. Edhe në pushtetin vendor potencojnë se është kjo një mënyrë e mirë për selektimin e mbeturinave.

    Në të kaluarën ka patur edhe projekte të ndryshme për grumbullimin e pajisjeve teknologjike dhe më vonë edhe të qelqit. Por rezultatet nuk kanë qenë të nivelit të duhur edhe pse selektimi është bërë në nivele të kufizuar. Pritet që tani, me vendosjen e kontejnerëve të ri, qytetarët të jenë vigjilent në aspektin e mbrojtjes të mjedisit jetësor.

    Nga ana tjetër seleksionimi i mbeturinave të letrës të plastikës do të mundësoj edhe menaxhim të suksesshëm material të mbeturinave të këtilla në interes të ndërmarrjes komunale. Pritet që në fazën e dytë të riciklimit të mbeturinave, të kërkohet edhe menaxhimi i tyre për përfitime materiale. Ndodh shpesh herë që persona dhe grupe nga qytete të tjerë në mënyrë “të egër” të vijnë në Dibër dhe të grumbullojnë kartonë dhe mbeturina plastike, kryesisht shishe plastike.

    Ata pas grumbullimit i transportojnë në ndërmarrje për përpunimin e letrës dhe plastikës. Për se këtë të mos e shfrytëzoj edhe ndërmarrja komunale në Dibër, theksojnë përfaqësues të shoqatave qytetare. Tani mbetën vetëm të shihet a do të jetë rritja e nivelit të vetëdijes të popullatës ashtu siç duhet.

    Lajmi Paraprak

    Polemika për zgjerimin e listës së zezë amerikane

    Lajmi i rradhës

    “Putini dëshiron luftë në Ballkan, mbështetet te Serbia”, paralajmërojnë analistët amerikanë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë