Kontesti në bulevardin “Bllagoja Toska”, banori: Nuk e pranojmë ofertën e lirë të komunës / Kasami thotë se do të ndërhyjë policia

    Edhe pse Komuna e Tetovës arriti marrëveshje për shpronësim me pronarët e objekteve që duhej të rrënoheshin, por si duket kontesti pronësor nuk ka përfunduar plotësisht. Banori në rrugën “Bllagoja Toska”, Islam Rushiti nuk e pranon ofertën e Komunës së Tetovës për prishjen e shtëpisë, gjë që do të mundësonte punimet të vazhdojnë edhe më tej në këtë rrugë. Rushiti thotë se, vlerësimi i shtëpisë me vendin, sipas ekspertizës është 122 mijë euro, ndërsa komuna i ofron 76 mijë euro, raporton Nistori.

    I pyetur nga Nistori, përveç parave nëse i është ofruar ndonjë opsion tjetër, shtëpi në ndonjë vend tjetër apo banesë, por ai thotë se nuk ka diçka konkrete, ndoshta ndonjë banesë në katin e pestë.

    “Për ta rrënuar këtë shtëpi, ne ende jemi në proces gjyqësor. Ai (Kasami) ndoshta ka thënë, por ne jena në gjyq ende, kur do t’i pastrojmë punët e gjyqit atëherë mundet, do ta ketë shumë pastër. Nuk jam i vetmi në qytet që jam me 80 metre katror, mbi 30% që janë më të vogla se shtëpia ime. Seanca e fundit është mbajt 25.05.2022. Edhe paratë nuk i kemi marrë. Na kanë ofruar 76 mijë euro, ne me ata para nuk mundemi as shtëpinë ta ndërtojmë. Unë nuk u kam kërkuar 350-400 mijë euro, kam kërkuar aq e ka vlerësuar ekspertiza. Ai e ka vlerësuar 122 mijë euro. Unë nuk jam kundër kësaj rruge, dua të bëhet rruga, por të na lejojë në anën tjetër të ndërtojmë. Ata (komuna) nuk ka na ka ofruar ndonjë opsion tjetër, ndoshta ndonjë banesë të pestin kat. Unë jetoj këtu 60 vite, kam afro 350 metër katrorë dhe ai duhet të na lëshojë vend, sepse ka arsye. Ne nuk e kemi shprazë shtëpinë, jemi në proces gjyqësor. Ne do të rijmë këtu, pa mbaruar gjyqi do të rijmë, ne e kërkojmë tonën. Nuk mund të na nxjerrë, ne jemi ende në gjykim, ende nuk është vendosur. E respektojmë ligjin, por jemi në gjyq. Nuk jena kundër rrugës, por le të na lejojë të ndërtojmë në anën tjetër.” – tha Rushiti.

    Ndryshe, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se kontesti me banorin e fundit i cili nuk lejon që t’i prishet shtëpia dhe nuk pranon ofertën e komunës, do të duhet që ditën e hënë të ndërhyjë policia, pasi edhe nuk e respekton ligjin.

    “Ne do të kërkojmë edhe asistimin e policisë që të largohet edhe banori i fundit nga aty që të vazhdojë edhe pjesa tjetër, pra ne deri tani e kemi bërë angazhimin maksimal që të kemi një marrëveshje me atë qytetar i cili për momentin nuk pranon atë që e thotë ligji dhe besojmë që ditën e hënë me asistim të policisë do të eliminohet edhe pengesa e fundit dhe do të vazhdojnë punët deri në përfundimin e të gjithë bulevardit. Është një punë dhe përgjegjësi e Komunës së Tetovës realizimi i atij bulevardi si shumë bulevardeve të tjera. Besojmë se ditën e hënë do të asistojë policia në përgjegjësitë që i ka ajo. Fatkeqësisht ende nuk kemi polici komunale e cila në këto raste do të ishte plotësisht përgjegjësi e komunës. Nëse nuk vjen policia të asistojë, atëherë apo do t’i bëjnë ato lojërat të cilat në disa raste kanë ditur t’i bëjnë, atëherë do të varemi që derisa ne të mund ta eliminojmë këtë pengesë. Ajo që është varur nga ne, pjesa e eksproprimit dhe koordinimit të të gjithë aktiviteteve, komuna e ka bërë të vetën.” – deklaroi Kasami.

    Sipas dinamikës së punëve në terren, Kasami më 18 maj 2022 tha se bulevardi duhet të jetë gati në vjeshtë të vitit 2022. Ndryshe, bulevardi u premtua në dy mandatet e ish-kryetares Teuta Arifi, por nuk u has deri në realizimin e tërësishëm të këtij projekti, projekt i cili do t’ua lehtësojë lëvizjen në trafik qytetarëve. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Propozimi i ri për liberalizimin: Hyn në fuqi jo më vonë se në dhjetor 2023

    Lajmi i rradhës

    Shkolla e Kllukovecit harrohet nga politika, por është më e vizituara nga ministrat

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë