Shkolla e Kllukovecit harrohet nga politika, por është më e vizituara nga ministrat

    Të gjithë ministrat e arsimit të paktën një herë kanë vizituar shkollën periferike “Liria” të fshatit Kllokovec të Velesit. Secili prej tyre ka dhënë premtime të shumta se e njejta do të rikonstruohet ose do të ndërtohet objekt i ri për nxënësit e kësaj shkolle. Prej atëherë e deri më sot kanë kaluar sa e sa vite dhe nxënësit vazhdojnë të mësojnë në kushte të vështira ndërsa objekti i ri as që duket diku.

    Kushtet e vështira në shkollë i konfirmojnë edhe vet nxënësit duke rrëfyer se çdo gjë brenda objektit është e vjetërsuar dhe e dëmtuar.

    “Shkolla duhet të jetë më e mirë, duhet të kemi kushte më të mira.Tualetet aspak nuk janë të rregulluara”, tha një nxënës.

    Drejtuesit e komunës së Velesit thonë se objekti i ri shkollor nuk mund të ndërtohet për shkak të procedurave të pazgjidhura me parcelën ku duhet të ndërtohet objekti ku për momentin është e vendosur një stallë kafshësh. Banorët e fshatit thanë se çështja e parcelës është vetëm preteks për tu shfajësuar institucionet. Gjithashtu, banorët thonë se fshati bashkë me problemet e tjera është në qendër të vëmendjes vetëm gjatë periudhës parazgjedhore.

    “E keni parë edhe vet se çfarë kushtesh janë. Fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite nuk ndërmeret asgjë. Pak është problemi me pronën por jo edhe aq sa mos të zgjidhet ky proble. Vetëm shkaku i saj e lën të mos zgjidhet ai problem”, u shpreh një banor.

    “Është premtuar prej VMRO-s, është premtuar prej BDI-së, është premtuar prej LSDM-së por askush nuk po e ndërton. Të gjitha partitë na gënjejnë, premtojnë vetëm kur vijnë zgjedhjet edhe përfundon puna. Edhe fëmijët tanë janë njerëz, nuk janë kafshë. Kam 5 mbesa e nipa që mësojnë aty, kushtet janë katastrofal”, shtoi një tjetër banor.

    Shkolla në Kllokovec është ndërtuar në vitin 1974 nga vet fshatarët. Në të mësojnë rreth 40 nxënës nga klasa e parë e deri në atë të katërt. Nga klasa e gjashtë e deri në atë të nëntë procesin mësimor e vazhdojnë në shkollën qëndrore “Liria” të fshatit Buzallkovë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Kontesti në bulevardin “Bllagoja Toska”, banori: Nuk e pranojmë ofertën e lirë të komunës / Kasami thotë se do të ndërhyjë policia

    Lajmi i rradhës

    “Super-taksë” për fermerët shqiptarë që lënë tokën djerrë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë