Një ligj i ri do të luftojë ekonominë gri. Punëdhënësit do të paguajnë tatimin mbi të ardhurat personale dhe kontributet e sigurimit pensional për të gjithë punëtorët që punësojnë përkohësisht ose vetëm për sezonë. Punëtorët, nga ana tjetër, mund të jenë të papunë, të punësuar, studentë ose pensionistë.
Të papunët nuk do të humbasin statusin e papunësisë dhe studentët do të mund të shfrytëzojnë sërish bursat. Punëtorët do të mund të angazhohen vetëm në 3 sektorë: bujqësi, shërbime shtëpiake dhe hoteleri. Me fjalë tjera, kuzhinierët, kujdestarët e fëmijëve dhe të moshuarve, punëtorët e fermave dhe punëtorët e tjerë të përkohshëm së shpejti do të mund të punësohen ligjërisht, me kontribute të paguara, sipas një Ligjit të ri që po shqyrtohet në Parlament. Qëllimi është reduktimi i ekonomisë informale dhe sigurimi i mbrojtjes sociale për punëtorët.
Propozuesit e projektligjit janë deputetë të qeverisë dhe opozitës. Lejohet punë për herë të parë edhe për të miturit nën 18-vjeç, por vetëm nëse plotësojnë kushtet për punësim. Ligji do të zbatohet gjithashtu për pastruesit, mbledhësit e frutave dhe perimeve sezonale….
Projektligji i do të mundësojë punësimin edhe të studentëve, pensionistëve, të papunëve dhe shfrytëzuesve të ndihmës sociale, pa i humbur të drejtat e tyre. Punëtorët do të marrin pagën në një llogari transaksioni dhe punëdhënësit do të duhet të paguajnë taksa dhe kontribute. Gjobat për shkelje të ligjit do të variojnë nga 200 deri në 1000 euro. Ligji parashikon kufizime – familjet, fermerët dhe furnizuesit e ushqimit do të jenë në gjendje të punësojnë punëtorë për maksimum 120 ditë në vit dhe çdo punëtor do të jetë në gjendje të punojë deri në 60 ditë në vit. Projektligji është në përputhje me strategjinë për formalizimin e ekonomisë joformale të Maqedonisë së Veriut për periudhën 2023-2027.
Megjithatë, propozimi parashikon një periudhë kalimtare prej gjashtë muajsh derisa Ligji të fillojë të zbatohet. Arsyeja për këtë janë përgatitjet teknike për prokurimin e serverëve, trajnimi i punonjësve dhe përmirësimi i sistemit të mbledhjes së taksave të Drejtorisë së të Ardhurave Publike.
Kufizime janë parashikuar edhe për punëdhënësit – ata do të mund të punësojnë maksimumi 10 punëtorë sezonalë në të njëjtën kohë, por jo më shumë se 10% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve. Punëdhënësit, gjithashtu nuk do të lejohen të punësojnë persona që kanë qenë të punësuar prej tyre në vitin e kaluar, përveç nëse janë persona që kanë dalë në pension ose kanë marrë pension familjar. Personi i punësuar ka të drejtën e kompensimit monetar për angazhimin e punës, i cili paguhet në shumën monetare për çdo orë angazhim pune dhe që nuk mund të jetë më i ulët se shuma minimale bazë neto monetare për orë në përputhje me këtë ligj. Paga minimale bazë neto për orë nuk mund të jetë më e ulët se paga për orë e llogaritur në bazë të pagës minimale të publikuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës në “Gazetën Zyrtare” në përputhje me ligjin.
Njëherësh, janë duke u thjeshtuar edhe procedurat, si dhe po rriten kuotat për importimin e punëtorëve të huaj në vend. Këtë e parashikon Ligji për Punësimin dhe Punën e të Huajve, i cili kaloi kësaj jave filtrin e komisionit në Kuvend. Propozuesja e ndryshimeve është Qeveria dhe sipas tekstit të ri, të huajt do të mund të punojnë në vend, jo më shumë se 5 për qind e numrit total të qytetarëve të punësuar, ose rreth 35 mijë. Kjo është shumë më tepër se kuota e mëparshme. Po ashtu, është duke u thjeshtuar procedura për dhënien e lejeve të punës, ndaj Agjencia e Punësimit do të duhet t’u përgjigjet kërkesave brenda 5 ditëve nga dorëzimi. /Koha/