Kontrollet në rrugët e Tetovës, shumë pak rezultat

    Edhe pse që prej një jave nëpër rrugët e Tetovës ka numër të shtuar të policëve të trafikut, me qëllim lirimin e rrugëve nga parkimet në vende të palejuara, megjithatë ky aksion rezulton me shumë pak rezultat. Përderisa në njërën anë të rrugës policia ndalon dhe kontrollon veturat, në anën tjetër të rrugës, vetëm disa metra larg policisë, drejtuesit i parkojnë veturat në rrugë.

    Kreu i Tetovës Bilall Kasami, madje paralajmëron edhe një fushatë për vetëdijesimin e qytetarëve. Bllokimi i pikave për ndalesë të autobusëve, ndodhte edhe sot, edhe përkundër numrit të madh të policisë nëpër rrugë.

    “Ka përmirësime, por nuk është ajo që duam gjithë. Ne bashkë sërish do dalim për të parë kryqëzimet dhe bulevardin “Iliria” ku ka probleme, dhe bashkë me ju si media me polici e parkingjet, të bëjmë presion dhe të vetëdijësojmë qytetarët që të kemi rrugë e trotuare të lira. Sigurisht që si ide është e qëlluar, që të shohim edhe një kampanjë vetëdijësimi të bëjmë përmes komunës dhe policisë e parkingjeve, sepse kemi thënë që nuk është qëllimi i dënimit të qytetarëve por vetëdijësimi për të liruar rrugët e trotuarët”, tha Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.

    Drejtori i Parkingut të qytetit thotë se halli më i madh i tyre janë veturat e parkuara dyshe, tek të cilat pa prezencë të policisë nuk mund t’i largojnë.

    “Ju vetë mund të shihni nëpër rrugë numër të madh të policisë, dhe tani kemi ngritur më pak makina, por problemi më i madh për ne si parking, është parkimi paralel me ç’rast nuk funksionon as parkingu i qytetit në vendet e shënuar nga ata që zënë linjën e dytë për të cilën duhet të kemi edhe intervenim të policisë, sepse nuk kemi ingerenca. Pesëdhjetë për qind është zvogëluar puna e parkimit me daljen e policisë, që është pozitive se policia po bën punën e tyre”, u shpreh Mirko Martinovski. Drejtor i Parkingjeve të Qytetit.

    Për vetëm një javë, që kur u vendos të ketë aksione të përditshme të policisë nëpër rrugët kryesore të Tetovës, nga SPB, janë shqiptuar më shumë se njëqind dënime dhe paralajmërime apo vërejtje. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nga Velesi me klikime: për biznes apo politikë

    Lajmi i rradhës

    Qeveria thotë se po angazhohet për BE, opozita: agjenda europiane është varrosur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë