Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) në tre muajt e fundit ka ndarë fonde për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të konvikteve studentore, që të mos vihet në pikëpyetje funksionaliteti i tyre. Ata, megjithatë, me buxhetet e tyre nuk mund të mbulojnë faturat për energjinë elektrike dhe ujin.
Selma Aziri, nga Kumanova, e cila banon tashmë dy vite në konviktin e Pellagonisë në Kisella Vodë tha se pothuajse të gjithë studentët që strehohen aty, qëndrojnë nga pamundësia për të paguar një dhomë në ndonjë banesë tjetër me kushte më të mira.
“Kam dy vite që qëndroj, pavarësisht se kushtet nuk janë aq të mira. Viti i parë ka qenë një tmerr i vërtetë, nuk kemi pasur ujë të ngrohtë gjatë dimrit. Më është dashur të kthehem në shtëpi së paku dy herë në javë sa për tu pastruar, ose kemi shkuar te ndonjë kolege të cilat ka pasur ujë të ngrohtë. Këtë vit u regjistrova përsëri, sepse nuk kam mundësi të udhëtoj, mirëpo shpresoj të mos vazhdoj kështu edhe një vit tjetër”, tha ajo.
Uji dhe energjia elektrike, ku përfshihet edhe ngrohja, përmenden si arsyet kryesore pse konviktet shtetërore kanë ngecur me probleme në funksionimin normal të tyre. Për këtë qëllim, në prag të fillimit të vitit akademik, Qeveria mori disa vendime individuale me të cilat ndau para për shumicën e konvikteve shtetërore të studentëve për të mbuluar shpenzimet për funksionimin aktual në drejtim të ngrohjes, energjisë elektrike dhe ujit të cilat nuk mund të parashikoheshin dhe planifikoheshin në buxhetet e konvikteve.
Nga MASH deklaruan se do të analizojnë gjendjen e përgjithshme në konviktet e studentëve dhe sa janë rritur realisht kostot për funksionimin e qëndrueshëm të konvikteve.
“Do të shihet saktësisht se sa është ndikimi i inflacionit në periudhën e kaluar në krijimin e borxheve, dhe sa janë ato rezultat i punës jo të brendshme të menaxhmentit. Ndryshe, ministria në tre muajt e fundit ka ndarë mjete për mbulimin e një pjese të shpenzimeve të konvikteve studentore, në mënyrë që funksionaliteti i tyre të mos vihet në dyshim dhe kështu të sfidohet procesi arsimor i studentëve në vitin e ri akademik”, thekoi MASH.
Pra, Ministria nuk e përjashton mundësinë e ndryshimeve të caktuara për të siguruar një mënyrë më stabile të financimit. Nga atje thanë se një reformë e tillë në shtatë vitet e kaluara ishte paralajmëruar nga lidershipet e mëparshme se do të rregullohej me Ligjin e ri për standardet rinore, por nuk ka ndodhur.
Aktualisht, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se janë duke u rindërtuar dy konvikte studentore në Shkup- “Kuzman Josifovski-Pitu” dhe “Stiv Naumov”.
“Më shumë se 18 milionë euro do të investohen në rindërtimin e konvikteve studentore, jo vetëm në Shkup por edhe në qytete të tjera, ku kemi kampuse dhe qendra universitare”, tha Mickoski.
Ndër të tjera, Enti Shtetërorë i Statistikave (ESHS) ka kryer një anketë mes studentëve të cilët e vlerësojnë akomodimin në konviktet studentore me shkallë nga një deri në pesë. Në anketë janë përgjigjur 286 studentë, që është 8.25 për qind e numrit të përgjithshëm të studentëve në konvikte, dhe nota mesatare është 2. Nota për ushqim është 2.6, për higjienë 2.4, për pajisje teknike 1.6, për internet 1.8 , dhe kushtet e mësimit janë vlerësuar me 2.5. /Koha/