Çfarë fshihet pas mesazhit të profesoreshës dhe çfarë do të thotë heshtja e drejtoreshës?! (Video)

    “Nuk kam folur vetëm për vajzat, por kam folur edhe për djemtë. Në klasën ku kam dhënë mësim, kam arritur ta zgjidh këtë problem. Nxënësit i kemi shumë të mirë, por gjithmonë më ka brengosur mënyra e veshjes dhe gjithmonë u kam sqaruar nxënësve se, duhet të bëjnë dallimin kur vijnë në shkollë dhe pak a shumë jemi kuptuar dhe nuk kemi pasur ndonjë problem” – kështu shprehet profesoresha dhe njëherit përgjegjësja e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, Ilvije Ziberi Jashari në lidhje me mesazhin konfidencial që kishte zhvilluar me kolegët e punës, por më pas, sipas saj, në mënyrë jo-etike, e ka shpërndarë ndonjëri prej kolegëve.

    Por a ka Gjimnazi kod të veshjes për nxënësit? Përgjegjësja Ilvije thotë se ekziston një kod i veshjes në shkollë dhe madje ajo rregullore ka qenë e ngjitur si letër në çdo klasë.

    “Sigurisht që ka. Vitet e kaluar ka qenë e ngjitur në muret e klasave. Tash për shkak të renovimit nuk është bërë një gjë, por është lexuar një lajmërim në lidhje me veshjen. Gjithmonë jam nisur nga kjo, madje edhe drejtoresha ka autorizuar pedagogun dhe psikologun që të mbajnë ligjërata në klasa në lidhje me kodin e veshjes të nxënësve”, deklaron përgjegjësja.

    Ajo thotë se duke e shfrytëzuar pozitën për këto dy muaj ka këshilluar kujdestarët e klasave që të bisedojnë me nxënësit se si të vishen kur të vijnë në shkollë, por disa kolegë kanë hezituar t’ua thonë nxënësve, sepse kanë hasur në reagime “unë kam prindërin tim që interesohet”.

    A ishte e ashpër gjuha që kishte përdorur profesoresha Ilvije në bisedën konfidenciale me kolegët?

    Nga “Mollëkuqja” pati reagime se gjuha e përdorur e profesoreshës është seksiste dhe diskriminuese, por profesoresha për Nistori thotë se gjuha e përdorur mund të kishte qenë e ashpër, por kjo nuk është bërë në publik apo në ndonjë formë tjetër, ku nxënësit do të ishin ndjerë të ofenduar, por komunikimi ka qenë konfidencial.

    “Ndoshta keni të drejtë, por kam shkruar në Viber-grup. Nuk e kam bërë publikisht, atëherë ndoshta do të duhej të kem kujdes, por komunikimi ka qenë në grup dhe kam folur konkretisht për rastet që i kam parë…Ndoshta ka qenë pak gjuha e ashpër, por ka qenë në mënyrë interne”, shton profesoresha.

    Shpërndarja e bisedës interne, nuk është etike

    “Dua të dij se si doli mesazhi im nga grupi. Kjo më shqetëson mua, sepse aty është vetëm grupi i profesorëve, ku lajmërohemi, informohemi apo ka ndonjë vërejtje. Mendoj se është jo-etike dhe sigurisht këtë e ka bërë ndonjëri prej kolegëve, sepse nxënësit nuk kanë qasje te grupi. Më pengon fakti pse është kapur vetëm mesazhi për femrat e jo edhe pjesa tjetër”, thekson më tej ajo.

    Shqetësimi i saj nuk është vetëm te veshja, por edhe ndaj nxënësve të cilët pijnë cigare në oborrin e shkollës, madje edhe kur kalon profesori për rreth tyre, por numri i tyre nuk është i madh.

    Por a e kanë të njëjtin shqetësim edhe profesorët tjerë në lidhje me mos respektimin e kodit të veshjes në Gjimnaz?

    “Jo rastësisht i kam shkruar mesazhet te grupi. Ka reagime edhe prej kolegëve tjerë dhe më kanë përkrahur për këtë mesazh. Ka reagime dhe jo rastësisht e mora këtë iniciativë, por në mënyrë interne”.

    Nistori takoi edhe drejtoreshën e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, Teuta Llalla për të marrë përgjigje në lidhje me mesazhin viral të përgjegjëses dhe nëse do të merr masa në rast se zbulohet, ndaj profesorit/profesoreshës për shpërndarjen e bisedave konfidenciale të profesorëve. Ajo nuk u prononcua për rastin në fjalë me arsyetimin se, do të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e sektorit për veprimtari publike dhe përfaqësues nga Komuna e Tetovës dhe do të dalin me një qëndrim të përbashkët zyrtar. Një gjë e tillë nuk ndodhi, sepse takimi i kryetarit të Komunës së Tetovës me drejtoreshën Llalla në hapësirën e shkollës nuk zbuloi asgjë për opinionin publik. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    IRL: Sekretet zvicerane (Video)

    Lajmi i rradhës

    Shenjat që lajmërojnë probleme të mushkërive

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë