Kosova bëhet me Muze të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri

    Qeveria e Kosovës ka miratuar themelimin e një Muzeu të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri, me qëllim “dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë”.

    Në një mbledhje të Qeverisë, të mbajtur të mërkurën, u tha se objektivi kryesor është “krijimi i një institucioni publik, përkujtues dhe prezantues të historive dhe përvojave nën pushtimin e Serbisë dhe të Jugosllavisë”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se muzeu “është institucionalizimi i kujtesës sonë kolektive dhe dëshmi, sa e krimeve monstruoze të Serbisë gjenocidale, aq edhe dëshmi se Republika e Kosovës edhe ka ngadhënjyer, edhe nuk harron”.

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, tha se muzeu i ri “synon edukimin, përkujtimin dhe nderimin e brezave” dhe “prezantimin e përjetimeve të të mbijetuarve, që historitë e tyre të mos harrohen”.

    Muzeu, shtoi ai, “synon paqen e qëndrueshme, duke u siguruar që e kaluara e dhunshme të jetë e dëshmuar, të kujtohet dhe të mos përsëritet”.

    Çeku ka thënë se ky muze do të themelohet fillimisht si njësi e veçantë në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës.

    Në Prishtinë hapet muzeu i parë për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë
    FotogaleriNë Prishtinë hapet muzeu i parë për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

    Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për muzetë, ai pritet të shndërrohet në institucion të pavarur muzeor të nivelit kombëtar.

    Institucioni i muzeut synohet të vendoset në ndërtesën ku aktualisht vepron MKRS, në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë.

    Propozimi për themelimin e muzeut u mbështet nga të gjithë ministrat e pranishëm në mbledhje, me përjashtim të atij për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili abstenoi në votim.

    Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

    Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Skenarët e mundshëm nëse ShBA-ja i vë sanksione industrisë serbe të naftës

    Lajmi i rradhës

    Municionet “Made in Kosova” – Një ambicie ende e largët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë