Me punësime partiake nis fushata parazgjedhore!

    Në opinion ka filluar të përflitet tetë maji si datë e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të dyfishta, atyre parlamentare dhe presidenciale. Derisa partitë po flasin për mbajtjen e zgjedhjeve, në anën tjetër Qeveria, komunat dhe institucionet tjera kanë filluar të hapin konkurse për punësim. Praktika ka dëshmuar se kjo bëhet me qëllim të ndikimit politik tek votuesit, ku kryesisht dominojnë kuadro partiake, ndërkohë që në shumë raporte ndërkombëtare kjo dukuri është kritikuare. Megjithatë, institucionet duhet të përgatisin analiza përpara se të kërkojnë aprovime për punësimet e përkohshme në administratë përpara zgjedhjeve., thonë ekspertët. Sipas tyre mungojnë argumentet për punësime të reja.

    Këto konkurse kanë zhgënjyer opinionin publik, pasi edhe Qeveria por edhe komunat që udhëheqin partitë opozitare kanë shpeshtuar konkurset për punësime. Derisa nga ana tjetër, pikërisht kjo Qeveria erdhi me premtime për profesionalizëm dhe reforma dhe strategji të re në administratën shtetërore. Derisa në anën tjetër tani po pranohen kuadro të ri që në të vërtet sektori publik nuk ka nevojë. Para se të bëjnë punësime të reja, institucionet duhet patjetër të përgatisin analiza funksionale me argumente se përse kanë nevojë për këto punësime në administratën publike. Momentalisht kemi diku rreth 130 mijë të punësuar në administratën publike, ndërsa parashikohet të jenë diku 10% me kontratë pune ose janë të punësuar përkohësisht. Por partitë politike vazhdojnë që të mohojnë përgjegjësinë për punësimet me karakter të përfitimit në prag të zgjedhjeve.

    Në anën tjetër ekspertet, thonë se vendi ka nevojë për administratë të vogël dhe efikase.

    Politologu Viktor Jakimovski, për gazetën Koha, ka deklaruar se nuk është sekret që me afrimin e procesit zgjedhor rriten punësimet në administratën publike, rritja e pensioneve, si dhe realizimi i projekteve të infrastrukturës gjatë kësaj periudhe.

    “Në vendin tonë, si rrjedhojë e kësaj, si dhe për shkak të blerjes së ‘paqes sociale’, u krijua një tendencë shumë e gabuar, pra, në vend që të profesionalizohej administrata dhe të ruhej cilësia, u vu theksi te sasia dhe të punësoheshin njerëz partiakë që nuk janë kompetentë për pozitën e caktuar. Si pasojë, institucionet janë të mbipopulluara dhe në një përqindje të konsiderueshme të punonjësve, në vend që të jenë efikas në punën e tyre, u’a hedhin topin kolegëve apo institucioneve të tjera. E gjitha kjo shkon në dëm të qytetarëve. Nga ana tjetër, ka institucione të cilave u mungon kuadri profesional dhe ku zyrtarë të caktuar kryejnë shumë më tepër detyra se sa parashikohet për vetë pozicionin e punës”, ka theksuar Jakimovski.

    Ai ka vlerësuar gjithashtu se është e nevojshme të krijohet një strategji për periudhën 2025-2030 se si të përmirësohet funksionimi i administratës publike. Sipas tij, gjëja e parë që duhet të respektohet është punësimi i personelit profesional që mund të përballojë pozitën e caktuar. “Më pas në pjesën e lehtësimit të mbingarkimit në institucione publike të punësuarit të zgjidhen në atë mënyrë që dy zyrtarë që kryejnë të njëjtat detyra pune, kur të dalin në pension, duhet të punësohet një zyrtar për të mbuluar të njëjtën sasi pune, sigurisht në vendet ku është kjo e mundur”, u shpreh Jakimovski.

    Anëtar i Komisionit në Luftën kundër Korrupsionit, Nuri Bajrami, para disa ditëve foli edhe për punësimet politike që bëhen në institucionet publike të vendit. Bajrami tha se janë 13 shoqëri aksionare dhe 2 shoqëri tregtare të themeluara nga Qeveria, ku emëron njerëz me procedura vetëm formale, siç janë fëmijët e funksionarëve dhe të miqve të tyre.

    “Punësimet në sektorin publik janë në dirigjim politik, arrihet dikush të privilegjohet për të arritur te vendi i punës. Kemi një mori institucionesh që janë jashtë juridiksionit, siç janë 23 shoqëri aksionare të themeluara nga Qeveria dhe dy shoqata tregtare, të cilat janë të mbuluara vetëm me ligjin për shoqëri tregtare që vlen për firmat private dhe kjo rregulltavë i pëlqen Qeverisë që të punësojë kë të dojë dhe të emërojë kë të dojë dhe procedurat të jenë krejt formale dhe jo transparente në këto shoqëri aksionare”, tha Bajrami.

    Sipas statistikave të fundit të publikuar nga ministri i Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, numri i të punësuarve në sektorin publik është 129.374 persona, të punësuar në 1.354 institucione. Sipas raportit të publikuar, për dallim nga viti i kaluar, në vend ka një rritje të numrit të institucioneve me tetë, dhe numri i të punësuarve në sektorin publik është zvogëluar vetëm për 2.714 punonjës.

    Raporti përfshin punonjës në pushtetin shtetëror, komunë, institucione publike, ndërmarrje publike etj. Numri më i madh i të punësuarve, siç informoi Aliu, është në sektorin e arsimit, pasuar nga shëndetësia, administrata dhe punët komunale. Në organet e qeverisjes shtetërore punojnë 14.531 persona, pra 13 për qind e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në sektorin publik.

    Lajmi Paraprak

    Shteti nuk do t’ia dijë për hallet e zjarrfikësve të Tetovës!

    Lajmi i rradhës

    MAGJISTRA E DOKTORË SHKENCASH TË PAPUNË!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë