Kosova ende pa institucione, ngërçi për presidentin vazhdon

    Dy muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, deputetët bënë betimin, por seanca konstituive u ndërpre për t’i lënë kohë përpjekjeve për një marrëveshje politike mbi zgjedhjen e presidentit.

    Në Kosovë, gati dy muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të tetë qershorit, u tentua të konstituohet Kuvendi i Kosovës, për t’i hapur rrugë kështu formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentes/it të Kosovës, por seanca u ndërpre për një kohë të pacaktuar. Deputetët u betuan për mandatin e tyre, por, me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, që është partia fituese e zgjedhjeve të tetë qershorit, seanca u ndërpre me synimin, sipas Kurtit, se partisë së tij i duhet më shumë kohë për të gjetur një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, një post kyç në gjithë ngërçin politik pothuajse dyvjeçar.

    “Ne duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet pajtueshmëri sa më e gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria, për të cilën u betuam sot. Konstituimi i kësaj radhe nuk bën të jetë sërish drejt edhe një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhjeve të parakohshme, të paarsyeshme, të panevojshme për qytetarët e të dëmshme për ekonominë”, tha Kurti.

    Reagime pas shtyrjes së seancës

    Partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, sipas kryetarit të saj, Bedri Hamza, e quajti papërgjegjësi vendimin për shtyrjen e seancës konstituive. “Kjo është një shenjë e mungesës së seriozitetit nga partia që ka fituar shumicën e votave. Po shihet që vazhdojnë sjelljet e tyre të papërgjegjshme në raport me institucionet”, tha Hamza.

    Legjislatura e 11-të e Kuvendit të Kosovës pritet të konstituohet pas tri palë zgjedhjeve të mbajtura gjatë gati dy vjetëve të fundit, pasi partitë politike nuk arrinin të gjenin konsensus për krijimin e institucioneve, përkatësisht zgjedhjen e presidentes/it të vendit. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili me partinë e tij Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e fundit, mund ta formojë qeverinë e re së bashku me pakicat joserbe, pasi i duhen të paktën 61 vota, por për ta zgjedhur presidentin duhen dy të tretat e votave nga 120 deputetë sa i ka Parlamenti i Kosovës.

    VV negociata me LDK, PDK nuk ndryshon qëndrim

    Për këtë çështje, Kurti po zhvillon negociata me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), e cila i ka 18 deputetë, ndërsa dy partitë e tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nuk duan fare të bisedojnë me Kurtin për këtë çështje. Partia më e madhe opozitare, PDK, që i ka 22 mandate, sipas kryetarit të saj Bedri Hamza, tashmë është përcaktuar të qëndrojë në opozitë. “Qëndrimi i PDK-së është konsistent. Do të thotë, ne kemi shkuar në takim, nuk kemi garuar për ndonjë pozitë, kemi garuar dhe kemi kërkuar votën e qytetarëve të Kosovës për ekonominë, për drejtësinë, për energjinë, për infrastrukturën, për anëtarësimet. Nëse nuk kemi dakordim për këto tema, për këto prioritete, atëherë është absurde të flasim për tema të tjera”, është shprehur Hamza.

    Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), sipas kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku, bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve po vazhdojnë, duke theksuar se ekzistojnë afrime në disa tema, por ende jo në çështjen kryesore, që është presidenti. “Po përpiqemi t’i shmangim zgjedhjet e reja. Duhet kohë, duhet përpjekje. Po përpiqemi që të gjithë ata që i përfaqësojmë t’i mbajmë rreth një zgjidhjeje të përbashkët. Nuk janë të lehta këto procese. Përderisa po përpiqemi, do të thotë se duam të shmangim zgjedhjet e reja. Shkuarja në zgjedhje është dëmi më i madh që i bëhet Republikës”, tha Abdixhiku. Ai shtoi se, megjithatë, me Vetëvendosjen “ende kemi distancë në çështjen kryesore që është balanca demokratike”, duke lënë të nënkuptohet se LDK synon postin e presidentit.

    Partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, ka 53 mandate dhe, së bashku me pakicat joserbe që kanë 10 ulëse, mund ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe ta formojë qeverinë. Por, kriza për zgjedhjen e presidentit mund të përsëritet. Për zgjedhjen e presidentes/it kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë, në mënyrë që votimi të jetë i vlefshëm. Kjo është hera e dytë brenda këtij viti dhe e treta në më pak se dy vjet, që Kosova provon të formojë institucione të qëndrueshme pas zgjedhjeve të njëpasnjëshme parlamentare. Zgjedhjet e jashtëzakonshme të tetë qershorit u mbajtën sepse Kuvendi u shpërnda pasi dështoi ta zgjedhë presidentin e ri të vendit. Një cikël i njëjtë zgjedhjesh mund të përsëritet nëse, brenda 60 ditëve të ardhshme pas konstituimit të Kuvendit, nuk ka marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit. Nëse mund të arrihet një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), e cila i ka 18 vende, atëherë do të arrihej numri i të paktën 81 votave, të mjaftueshme për votimin e presidentes/it të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë. DW

    Lajmi Paraprak

    Për çfarë shpenzon Serbia miliona nga rezerva buxhetore?

    Lajmi i rradhës

    Sa e dëmton „El Niño“ ekonominë botërore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë