Kosova me energji elektrike të lirë por të lartë për shëndetin

    Kosova ka ndër çmimet më të ulëta të energjisë në Europë. Por, aktivistët për mbrojtjen e mjedisit paralajmërojnë se kjo kosto është shumë më e lartë për shkak të kostos tek shëndeti publik. Sipas tyre, në zonat ku funksionojnë termocentralet e qymyrit, jetëgjatësia e banorëve është me e shkurtër, ndërkohë që përballen me më shumë sëmundje kronike dhe malinje.

    Skënder Smajli, 64 vjeç, kalon 15 orë në ditë me tub oksigjeni për shkak të astmës, që doktorët thonë se është pasojë e ndotjes ndaj të cilës është ekspozuar prej dekadash nga termocentrali me qymyr.

    Smajli, i cili merr 13 lloje ilaçesh për të kuruar astmën, sëmundjen e Parkinsonit dhe sëmundjet e zemrës, jeton në fshatin Palaj, jashtë qytetit Obiliq, ku gjenden dy termocentrale qymyri në gjendje jo të mirë. Ai punoi atje dhe u ekspozua ndaj qymyrit ngjyrë kafe për 26 vite, deri në vitin 2001. Ai i tha agjencisë së lajmeve Reuters se shumica e shokëve të tij kanë vdekur.

    “Kishte shumë pluhur, zjarr dhe hi. Punoja tek kazani i nxehjes. Duhet të pastronim furrat ku digjej qymyri në temperatura të larta, me shumë tym dhe hi. Nuk e njihnim njëri-tjetrin ngaqë ishim të mbuluar me pluhur. Por, duhej të punonim për të ushqyer familjet, nuk kishte mënyrë tjetër”, thotë Smajli.

    Me vetëm gjashtë centë për kilowat/orë, Kosova ka ndër çmimet më të ulëta të energjisë në Evropë, por ambientalistët paralajmërojnë se kostoja del shumë më e lartë nëse llogariten edhe shpenzimet e shëndetit publik.

    Në një raport të 2019, Banka Botërore tha se ndotja e ajrit shkakton rreth 760 viktima çdo vit në Kosovë.

    “Ndotja është jashtëzakonisht e madhe. Shihet ndotja e tokës, ujit dhe ajrit, e cila është e përhershme . Si pasojë e kësaj, komuna e Obiliqit ka diku 30% raste më shumë me sëmundje kronike se komunat e tjera të Kosovës. Kemi edhe 30% më shumë me sëmundje malinje se në pjesë të tjera të Kosovës, si pasojë e ndotjes së ambientit”, thotë doktor Haki Jashari, drejtor i klinikës në Obiliq.

    Shumica e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor mbështeten tek prodhimi i energjisë nga qymyri, që është identifikuar si ndër ndotësit kryesorë. Rajoni është i pasur me linjit, një burim i ulët energjie që ndryshe njihet edhe si qymyri ngjyrë kafe. Por ndërsa këto vende përpiqen të anëtarësohen në BE, do të duhet të ulin konsumin e qymyrit.

    Kosova ka rezervat e pesta më të mëdha të linjitit në botë, të vlerësuara në 12 – 14 miliardë tonë dhe prodhon mbi 90% të elektricitetit të saj në dy termocentralet në Obiliq. Komisioni Evropian i bëri thirrje këtë muaj Kosovës që të mos mbështetet më vetëm tek furnizimi i energjisë nga qymyri, i cili ka pasoja për shëndetin.

    “E ardhmja e thëngjillit është në tokë. Nuk është në shfrytëzim. Bota e ka parë që shfrytëzimi i thëngjillit nuk është ndonjë faktor i madh për zhvillimin ekonomik, dhe ekonomia nuk zhvillohet me thëngjill”, thotë aktivisti mjedisor Besfort Kosova, nga Fondacioni Balkan Green, që punon për energjinë e pastër.

    Sipas të dhënave të fondacionit, banorët vendas jetojnë pesë vite më pak për shkak të ndotjes së ajrit.

    Lajmi Paraprak

    Pandëshkueshmëria po stimulon sulmet ndaj gazetarëve

    Lajmi i rradhës

    Gashi: Grenell na dha kohe shtatë ditë për të rrëzuar qeverinë Kurti

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë