ADRI NURELLARI
Bulevardi qendror i Tiranës është kthyer në një teatër absurdi, ku Edi Rama mban përgjegjësinë kryesore për degradimin e konfliktit politik në përplasje fizike. Në njërën anë të gardhit metalik, kordonë policësh, autoblinda dhe gaz lotsjellës; në anën tjetër, të rinj që kërkojnë llogaridhënie dhe ndryshim politik. Të nesërmen, asfalti pastrohet, por presioni i ujit nuk mund të fshijë gjurmët që këto pamje lënë në marrëdhënien mes pushtetit dhe qytetarëve, si dhe në reputacionin ndërkombëtar të një kryeministri që e ndërtoi imazhin mbi artin, bukurinë dhe modernitetin europian. Shqetësimi themelor nuk qëndron thjesht te disproporcioni fizik i forcës, por te lehtësia me të cilën një pushtet që pretendon të përfaqësojë modernitetin perëndimor e redukton krizën e përfaqësimit në një incident të rendit publik. Kur politika heq dorë nga debati dhe mbyllet pas autoblindave, argumenti zëvendësohet nga forca. I ulur prej më shumë se një dekade e gjysmë në majën e piramidës shtetërore, Rama gëzon një përqendrim të jashtëzakonshëm pushteti, por përballë erozionit të besimit reagon duke e trajtuar pakënaqësinë qytetare si një rebelim që duhet neutralizuar. Gjatë mandateve të tij, ai ka kultivuar një kulturë ku mendimi ndryshe konsiderohet herezi, kritika damkoset si sabotim dhe arroganca vishet me petkun e vendosmërisë reformatore. Ky degradim bëhet edhe më flagrant kur ballafaqohet me mitologjinë personale që Rama ka ndërtuar. Për tre dekada ai kultivoi profilin e piktorit rebel, intelektualit kozmopolit dhe vizionarit që zbriti në politikën ballkanike për ta transformuar përmes artit dhe arkitekturës. U paraqit si antiteza e politkanit tradicional me kostum gri; vishej me atlete në samite, skiconte mbi dokumente zyrtare dhe fliste për transformimin urban me gjuhën e një kuratori bienalesh ndërkombëtare.
Pikërisht ky investim në imazhin e vet po vihet sot në provën më të rëndë. Ironia është se njeriu që e ndërtoi reputacionin mbi artin, bukurinë dhe premtimin e një të ardhmeje europiane, po e sheh autoritetin e vet të sfiduar nga mbrojtësit e natyrës dhe nga brezi që mishëron të ardhmen. Këtu qëndron paradoksi i avangardizmit politik të Ramës. Në art, avangarda synon të thyejë konvencionet, të tronditë shijet e vendosura dhe të sfidojë autoritetet kulturore. Fryma e shprehjes franceze épater la bourgeoisie e ktheu provokimin e borgjezisë në një mjet emancipimi artistik. Mirëpo, kur logjika e avangardës artistike bartet mekanikisht në qeverisje, ajo mund të shndërrohet në kërcënim për rendin demokratik. Kur thyerja e normave bëhet parim qeverisjeje, piktori kryeministër jo vetëm që nuk të hyn në punë, por mund të kthehet në kërcënim për liritë dhe të drejtat e tua. Në demokraci, procedurat dhe kufizimet institucionale nuk janë pengesa të vjetruara që duhen kapërcyer sipas tekave të udhëheqësit. Një artist mund ta trajtojë kanavacën si hapësirë të pakufizuar eksperimentimi, por një kryeministër nuk mund ta trajtojë shoqërinë si kanavacë të zbrazët ku vizioni i tij duhet të stampohet pa kërkuar leje, pa dhënë llogari dhe pa pranuar kufizime. Pikërisht këtu qëndron edhe dallimi mes legalitetit formal dhe legjitimitetit demokratik. Rama gëzon një shumicë parlamentare, por vota nuk është çek i bardhë për ushtrimin arbitrar të pushtetit. Demokracia nuk është një çast katërvjeçar kur qytetarët abdikojnë nga liria e tyre në këmbim të një sovraniteti absolut të përkohshëm. Ajo kërkon dialog, kontroll institucional dhe llogaridhënie të vazhdueshme.
Sot, projekti politik i Ramës ka arritur në pikën e vet të kthesës ironike. Njeriu që e ndërtoi reputacionin mbi sfidimin e autoritetit shfaqet i paaftë të tolerojë sfidimin e autoritetit të vet. Nën mantelin e liderit avangardist del në dritë një qasje autokratike ku procedura trajtohet si bezdi, kundërshtari si armik dhe kompromisi si dobësi. Shembja e Teatrit Kombëtar në orët e para të mëngjesit, me artistë e aktivistë brenda godinës dhe ekskavatorë të mbrojtur nga policia, ishte prova më emblematike e këtij modeli, ku argumenti u asgjësua nga fadroma. Pavarësisht qëndrimeve për vlerën arkitekturore të godinës apo nevojën për një teatër të ri, çështja themelore ishte mënyra se si pushteti iu përgjigj kundërshtimit qytetar. Qeveria nuk kishte më nevojë t’i bindte kundërshtarët, sepse objekti për të cilin ata protestonin nuk ekzistonte më. E njëjta logjikë e faktit të kryer u tentua edhe në Zvërnec, përmes projektit që kërcënonte parkun dhe biodiversitetin e tij. Ashtu si dikur fadroma zëvendësoi dialogun për Teatrin, sot forca policore po përdoret si zëvendësuese e përgjigjes politike ndaj protestës. Në të dyja rastet, mesazhi mbetet i njëjtë: nuk ka rëndësi sa të forta janë argumentet e tua, sepse vendos ai që zotëron forcën për t’i imponuar vendimet e veta. Dhuna fizike është shpesh faza përfundimtare e një procesi që fillon shumë më herët në gjuhën politike. Ajo kultivohet në deklaratat e zyrtarëve, studiot televizive dhe rrjetet sociale, përmes mënyrës si damkosen e dehumanizohen kundërshtarët. Kur qytetari etiketohet vazhdimisht si tradhtar, agjent i huaj, vandal apo kërcënim për sigurinë kombëtare, krijohet terreni moral për t’ia mohuar të drejtat që i takojnë.
Një nga mekanizmat më të rrezikshëm të autoritarizmit është identifikimi i pushtetit me shtetin dhe trajtimi i kundërshtimit të qeverisë si kërcënim ndaj rendit kushtetues. Kështu, kërkesa për llogaridhënie shndërrohet në destabilizim, protesta në kërcënim për sigurinë dhe kritika ndaj kryeministrit në sulm ndaj institucioneve. Përplasja mes pushtetit dhe protestuesve merr kështu një kuptim më të thellë, duke u shndërruar në konflikt mes dy koncepteve të autoritetit, njërit që mbështetet te forca dhe tjetrit që kërkon legjitimitet përmes arsyes. Kjo qasje e qeverisjes bie ndesh me trashëgiminë intelektuale mbi të cilën është ndërtuar qytetërimi modern europian. Nga Locke te Montesquieu, mendimi politik modern vendosi në qendër lirinë individuale, kufizimin e autoritetit dhe përdorimin publik të arsyes. Këtu qëndron kundërthënia e pretendimit të Ramës se po sjell Europën në Shqipëri. Në mënyrën si e ushtron pushtetin, ai shfaq tipare të trashëgimisë politike bizantino-osmane dhe komuniste: personalizimin e autoritetit, klientelizmin, nënshtrimin e institucioneve ndaj vullnetit të udhëheqësit dhe trajtimin e kundërshtimit si mosbindje. Europianizimi i tij mbetet kryesisht estetik, sikur moderniteti të ishte çështje fasadash, arkitekture dhe madhështie vizuale. Ai sillet sikur Europa të kishte mbetur në Rilindjen italiane, kur princat e fuqishëm si Lorenzo de’ Medici kërkonin legjitimitet përmes financimit të arkitekturës monumentale dhe oborreve artistike. Por Europa nuk mbeti në Rilindjen artistike.
Ajo kaloi përmes revolucionit shkencor, racionalizmit, Iluminizmit dhe konstitucionalizmit, duke vendosur në themel të modernitetit politik arsyen, të drejtat individuale dhe sundimin e ligjit. Pikërisht për këtë arsye, brutaliteti është e kundërta e së bukurës, jo vetëm estetikisht, por edhe moralisht e politikisht. E bukura lidhet me harmoninë dhe dinjitetin, ndërsa brutaliteti e redukton marrëdhënien njerëzore në imponim dhe nënshtrim. Argumenti kërkon bashkëbisedim dhe pranon mundësinë që tjetri të ketë të drejtë; forca synon ta mbyllë mosmarrëveshjen duke ia pamundësuar kundërshtarit rezistencën. Mund të ndërtosh kulla bashkëkohore dhe të organizosh ekspozita ndërkombëtare, por nëse marrëdhënien me qytetarin e ndërton mbi përbuzjen dhe imponimin, moderniteti mbetet dekor i cekët. Prandaj Rama mund t’i shpërndajë protestuesit me polici, por nuk mund të zhdukë problemet që i nxorën në rrugë. Mund të imponojë vullnetin e tij me forcën e kartonëve në Parlament, por shumica numerike nuk i garanton legjitimitetin e vendimeve. Mund ta zgjasë qëndrimin në pushtet, por nuk mund të rikthejë me të njëjtën lehtësi reputacionin e dikurshëm të artistit avangardist dhe modernizuesit europian.
Që nga Revolucioni i Flamingove e deri te protestat e sotme të të rinjve, kriza politike e Ramës ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme ndërkombëtare. Fillimisht, njeriu që e ka lidhur karrierën me artin dhe bukurinë u gjend përballë një lëvizjeje që mbronte natyrën, biodiversitetin dhe flamingot. Më pas, politikani që pretendon të mishërojë modernitetin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë u gjend përballë rinisë, brezit që duhej të ishte përfituesi kryesor i këtij modernizimi. Për një politikan që ka investuar kaq shumë në portretin e artistit kozmopolit dhe reformatorit europian, kjo përbën një goditje të rëndë për trashëgiminë e tij publike. Prandaj njeriu që e nisi ngjitjen drejt pushtetit duke pikturuar fasadat e Tiranës, sot rrezikon të shohë t’i bjerë boja fasadës më të rëndësishme të karrierës së tij: portretit të vet si artist modern, reformator dhe europian. Panorama





