“Kosova po dërrmohet nga krizat politike”

    Për të gjashtën herë me radhë, deputetët nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin, duke e vënë në pah jo vetëm mungesën e konsensusit politik, por edhe mungesën e vullnetit për të respektuar përgjegjësitë institucionale që dalin nga vetë rezultati i zgjedhjeve.

    Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë.

    Ai thotë se ngërçi institucional, që ka përfshirë Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të fundit, po zgjatet në mënyrë të rrezikshme, duke thelluar krizën politike dhe duke e vendosur vendin në një rrugë të pasigurisë kushtetuese.

    Radio Evropa e Lirë: Kuvendi i Kosovës, për të gjashtën herë me radhë, nuk po arrin të konstituohet. Sipas jush, ku qëndrojnë pengesat?

    Naim Rashiti: Asgjë e re çka ka ndodh në të kaluarën, as 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, demokracia në Kosovë nuk i nxjerr mësimet, nuk maturohet, vazhdon me sjellje të njëjta, përkundër një procesi zgjedhor dhe një dite të votimit shumë të mirë, përkundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe elaborimeve të sakta të Gjykatës Kushtetuese.

    Subjektet politike dhe eksponentët politikë i përdorin manovrat për të parandaluar konstituimin e Kuvendit dhe besoj që do të jemi në një situatë, e cila do të vazhdojë me shumë paqartësi, derisa ndoshta do të kemi një proces të ri të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë duhet të kujdesen edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.

    Siç edhe në të kaluarën, 2014-2017, përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit është e partisë fituese, edhe atëherë edhe tani, partia fituese ka obligim të gjejë një kandidat të pranueshëm për më shumë deputetë, për shkak se kryetari i Kuvendit ka një rol përfaqësues të Kuvendit dhe ka një rol tjetër i cili është edhe ushtruesi i detyrës së presidentit, që domosdoshmërish duhet të jetë një figurë sa më konsensuale. Edhe qeveritë e kaluara, në të kaluarën nuk e kanë bërë, por kemi menduar që tani, pas shumë viteve, politika sadopak është maturuar dhe do të duhej ta bënte. Derisa nuk ndodh kjo, apo një marrëveshje e partisë fituese me partitë e vogla, nuk do të kemi konstituim të Kuvendit.

    Radio Evropa e Lirë: A do të mund partitë politike të arrijnë ndonjë marrëveshje për ta zgjidhur këtë çështje?

    Kështu e kanë me mandat dhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese, që partitë politike janë të obliguara të gjejnë konsensusin për formimin dhe konstituimin e Kuvendit. [Tash] nuk po e bëjnë dhe nuk do ta bëjnë dhe gjithmonë, si në të kaluarën, partia fituese përgjegjëse dhe bartëse e këtij procesit e pengon këtë proces deri në sigurimin e votave për Qeverinë.

    Radio Evropa e Lirë: A duhet të insistojë Lëvizja Vetëvendosje me kandidaten e saj, kur nuk i ka votat e nevojshme?

    Naim Rashiti: Natyrisht që jo, partia fituese do të duhej ta ketë një kandidat, i cili siguron mbështetje më gjerë. Natyrisht që të jetë nga propozimi i tyre, rangu i tyre dhe të jetë një kandidat, i cili ofron përfaqësim më të gjerë të Kuvendit.

    Po kështu kanë bërë partitë në të kaluarën, kështu ka ndodhur në vitet 2014 dhe 2017, dhe kështu e njëjta logjikë po vazhdon edhe me Lëvizjen Vetëvendosje si fitues i këtyre zgjedhje.

    Radio Evropa e Lirë: A është problemi vetëm te emri i propozuar për kryetar të Kuvendit, apo sipas jush, bëhet fjalë edhe për diçka tjetër në këtë situatë?

    Naim Rashiti: Besoj që me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, gjithkush e di, çdo subjekt e di radhën dhe përgjegjësinë kushtetuese për formimin e institucioneve. Të gjitha subjektet e dinë përgjegjësinë dhe të drejtën ekskluzive të Lëvizjes Vetëvendosje si partisë fituese. Prandaj, nuk e shoh që partitë tjera opozitare, në parim mund të mos i votojnë kandidatët e partisë fituese, por deri atëherë është përgjegjësia e partisë fituese të propozojë kandidatë të cilët janë më të pranueshëm për opozitë, nëse ju duhet vota e tyre.

    Dhe këtë nuk e kemi dëshmuar. Jam i bindur që, nëse ka kandidatë të tjerë, partitë opozitare do t’i votonin ata ose në rastin se jo, atëherë do të ekspozoheshin se ata janë bllokues të konstituimit të Kuvendit. Në praktikat ndërkombëtare, partia fituese do t’i vendoste tre emra të pranueshëm dhe prej tyre të zgjidhej ai i cili do të merrte vota më shumë. Kështu do të ishte dashur të ndodhë ose do të bëheshin konsultimet prej një listë prej tre emrash, apo pesë emrash, apo dy emrash.

    Radio Evropa e Lirë: Çfarë rreziku ka për Kosovën, institucionalisht dhe politikisht, nëse kjo situatë vazhdon?

    Shiko, Kosova është tanimë e dërrmuar nga krizat politike, nga marrëdhëniet jo të mira me faktorët ndërkombëtarë, nga mungesa e zhvillimit, nga njëfarë forme stagnimi institucional dhe zhvillimor. Nga krizat e vazhdueshme, nga tensionet me Serbinë, nga mungesa e dialogut me BE dhe nga sanksionet e BE-së. Dhe nga zhvillimet e shpejta ndërkombëtare që po rrezikojnë qëndrueshmërinë edhe vendeve të tjera, jo vetëm të Kosovës.

    Do të duhej të kishte një veprim tërësisht ndryshe politik institucional të Kosovës, që të jetë Kosova shumë e përgatitur për situata të reja, po ja që skena politike po vazhdon me avazin e vjetër të hipokrizisë dhe është vështirë të kuptohet saktë çfarë janë qëllimet e subjekteve të caktuara politike.

    Radio Evropa e Lirë: Si e shihni zgjidhjen e kësaj situate, a duhet të përfshihet edhe Presidenca, a duhet ndonjë ndërmjetësues?

    Naim Rashiti: Jo, nuk ka nevojë. Subjektet politike parlamentare duhet të gjejnë mënyrën për konstituimin e Kuvendit, pastaj formula dhe procesi për formimin e Qeverisë është shumë e qartë.

    Zgjidhja më e mirë është që Lëvizja Vetëvendosje të dalë me tre emra për kryetar të Kuvendit dhe njëri prej tyre domosdo do të duhej të votohej nga opozita.

    Radio Evropa e Lirë: A ekziston mundësia reale për zgjedhjet e reja në këtë rast, a do të ishin ato zgjidhje apo thellim i ndarjeve politike?

    Naim Rashiti: Do ta dërrmonim Kosovën zgjedhjet e reja, duke pasur parasysh se do të kemi zgjedhje edhe në tetor, zgjedhje lokale. Paradoksi më i madh është që në këtë fazë të formimit të institucioneve, çdokush flet që këto institucione do të kenë mandat më pak se një vit dhe nëse do të kemi zgjedhje të reja në muajt në vijim, do ta dërrmonim Republikën, do t’i dërrmonin institucionet. Do të kishte mungesë ose rënie e efektshmërisë së institucioneve, ekonomisë edhe e kështu me radhë dhe natyrisht do të ulej tej mase besimi publik, besimi i qytetarëve në institucione, përfshirë edhe pjesëmarrjen në zgjedhje.

    Radio Evropa e Lirë: I përmendët qytetarët, a ndikon ky ngërç në besimin e qytetarëve në institucionet demokratike, a mund të ketë pasoja?

    Naim Rashiti: Ka rënie enorme të besimit në institucione, por duke polarizuar skenën politike ka një stabilitet ose një konsolidim të pikëpamjeve qytetare në raport me njërin subjekt apo me tjetrin. Dhe në njëfarë forme, polarizimi po i shërben për të ruajtur subjekte politike, për ta ruajtur mbështetjen e verbër në njëfarë forme për to, por natyrisht kjo nuk përkthehet në mbështetje institucionale dhe do të përkthehet në degradim të institucioneve, sepse liderët e subjekteve janë vënë në epiqendër të kësaj mbështetjeje dhe të këtij narracioni publik.

    Radio Evropa e Lirë: Si i percepton bashkësia ndërkombëtare këto zhvillime, a mund të pritet ndonjë presion apo ndërhyrje diplomatike për zhbllokimin e situatës?

    Naim Rashiti: Jo, faktori ndërkombëtar, SHBA-ja dhe BE-ja, janë shumë të zëna me agjenda të tjera ndërkombëtare dhe nuk e besoj që do të kemi ndonjë angazhim të ndonjë qeverie apo faktori ndërkombëtar në Kosovën, përveç nëse ndodh ndonjë krizë serioze e sigurisë. Por, përndryshe nuk shoh që do të kemi ndonjë intervenim direkt në procesin e formimit, konstituimit të institucioneve.

    Radio Evropa e Lirë: Sa mund ta dëmtojë kjo krizë e brendshme Kosovën ndërkombëtarisht?

    Naim Rashiti: Kosova është e dëmtuar në rrafshin ndërkombëtar edhe ashtu, dhe besimi në Kosovën dhe në aftësinë e institucioneve për ta angazhuar ndonjë agjendë mirëfilli ndërkombëtare, është shumë e mangët. Kosova humbi prapë shansin e anëtarësimit në Këshillit të Evropës.

    Kosova nuk po gjen rrugën që të dialogojë me BE-në për heqjen e masave, nuk po bën veprime për t’i bindur ata që të heqin masat. Kosova nuk ka asnjë agjendë reale ndërkombëtare në këtë kohë dhe të gjitha janë në një pritje të një formimi të një qeverie stabile. Edhe ashtu faktori ndërkombëtar nuk do t’i besojë asnjë qeverie minore siç është, duke pas parasysh, siç e thashë, të gjithë presin se ciklet zgjedhore do të pengojnë formimin e ndonjë politike të mirëfilltë dhe afatshkurtër apo afatgjatë të Kosovës. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Kur shkollimi bëhet një e drejtë e mohuar për adoleshentët në qendrat përmirësuese në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë