Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot pritet të mbajë mbledhjen e 74-të të rregullt, ku mes tjerash pritet të vendoset për rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive për lehtësim të masave për mbrojtje nga Covid-19, përcjell Nistori.
Dasmat dhe ahengjet e tjera familjare do mund të organizohen në ambiente të hapura nga 1 qershori. Kjo është një nga masat lehtësuese që Komisioni i Sëmundjeve Infektive propozoi tek Shtabi Krizës. Por nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se kufizimet do të jenë në numrin e mysafirëve, maksimum 100 dasmorë ose 50% e kapaciteteve të tarracave dhe oborreve të restoranteve.
Masat e tjera lehtësuese që propozohen janë heqja e detyrimit për mbajtjes e maskave në ambiente të e hapura, ndërsa në ambiente të mbyllura, në transportin publik dhe në vendet ku ka grupime të më shumë se 6 personave, masa e mbajtjes së maskës mbetet në fuqi. Nuk ka ndryshim as në orarin e orës policore, ajo do të mbetet në fuqi nga mesnata deri në 4 të mëngjesit. Aktivitetet sportive në ambiente të hapura të organizohen me publik, por me kapacitet prej 30% të stadiumeve-sallave. Këto rekomandime pritet të marrin dritë jeshile në seancën e radhës të Qeverisë. /Nistori/