Kosova synon të prodhojë rreth 20 lloje të dronëve

    Qeveria nënshkroi këtë javë vendimin i cili i hapë rrugën procesit që Kosova të bëhet me industri të sajën për prodhim të municionit. E, për prodhimin e municionit shteti e ka pjesërisht të gatshme infrastrukturën e ish-fabrikës së municionit në Prekaz të Skenderajt.

    Përveç doronëve Bayraktar të prodhuar në Turqi, në qiellin e tonë pritet të fluturojnë edhe fluturake pa pilot që pritet t’i prodhojë vet Kosova.

    Pasi këtë javë Qeveria nisi procesin për themelimin e Fabrikës së Municionit dhe Laboratorit për Dizajnim e Zhvillim të Dronëve/Fluturakeve pa pilot, televizioni Dukagjini mëson se planifikohet të prodhohen rreth 20 lloje të dronëve.

    Drona të ngjashëm si këta arrijnë shpejtësi maksimale varësisht nga lloji deri në 95 km/h, dhe mund të bartin peshë deri në 1 kilogram.

    Planet e shtetit për të prodhuar municion ose plumba për armët e ushtrisë i kanë kthyer sytë kah gërmadhat e së kaluarës.

    Një e tillë ndodhet jo më larg se 1 kilometër nga kullat e familjes Jashari në Prekaz.

    “Fabrika e municionit në Skenderaj i punësonte mbi 300 persona, ajo kishte 4 reparte të përpunimit ndërsa kapaciteti i saj ishte deri në 4500 plumba për një orë. Ajo e furnizonte jo vetëm Jugosllavinë, por edhe shtete të Evropës e madje kishte interesim edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

    Në fabrikën ku dikur punonte Haxhi Qerimi prodhoheshin 4 lloje të plumbave për pushkë të gjuetisë. Përfaqësuesi i punëtorëve të ish-fabrikës është merakli i këtij zanati.

    Në zyrën e tij ruan edhe kujtimet e së kaluarës e edhe dëshminë e madhështisë së dikurshme.

    “Ky është bazamenti lëndën e parë e kemi marrë në Vushtrri e kemi prodhuar këtu, ky është tubacioni lëndën e parë e kemi marrë në Itali është polipropilen e kemi prodhuar këtu, kjo është kapsolla e kemi marrë prej Bosnjes, ky është baruti e kemi marrë në Poloni, këto janë saçmet i kemi prodhu këtu se plumbin e merrshin në Zveçan, edhe fillcja është edhe këtë e kemi prodhu këtu”, ka deklaruar Haxhi Qerimi – përfaqësues i punëtorëve të ish-Fabrikës së Municionit.

    Në fabrikën ku dikur punonin bashkë me Hamëz Jasharin, kohëve të fundit Qerimi ka nisur të kthehet më me vullnet. Komisioni ndërministror i cili mund të nisë procedurat e nevojshme për hapjen e fabrikës, e ka mundësinë të prodhojë municion, madje fiks në këtë lokacion që ka sipërfaqe gati 19 hektarë.

    “Plumbi shembull po e marr bëhet prej 4 elementeve, bazamentin, këtu mundemi me e prodhu, kapsullat duhet me i marrë diku jashtë, edhe barutin duhet me e marrë diku jashtë, edhe plumbin fishekun, nëse fillon Zveçani me punu me e shkri plumbin, plumbat mundemi me i rregullu vetë”, ka deklaruar Haxhi Qerimi – përfaqësues i punëtorëve të ish-Fabrikës së Municionit.

    Lidhur me vendimin e Qeverisë, televizioni Dukagjini ka kërkuar një qëndrim nga Zyra e presidentes Vjosa Osmani.

    Përmes një përgjigjeje me shkrim, këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, ka thënë se Presidentja Osmani vazhdimisht ka diskutuar për çështjen e industrisë së mbrojtjes me FSK-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes, prandaj e vlerëson të mirëseardhur këtë plan të ri./Dukagjini/

    Lajmi Paraprak

    A pajtohen ushtarët ukrainas që toka për të cilën po luftojnë mund të mbetet në duart e Rusisë në këmbim të një armëpushimi?

    Lajmi i rradhës

    Është ulur numri i emigrantëve ilegal në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë