Kosovë, marrëveshja me Danimarkën për 300 qeli si dhe 20 milionë euro për krizën energjetike

    Javën që po lëmë pas u bë e ditur se Kosova pritet të nënshkruajë një marrëveshje me Danimarkën për dhënien me qira të 300 qelive të burgjeve për të burgosurit danezë.

    Po javën që po lëmë pas u raportua se vendi është në krizë energjetike vendi, ndërsa të premten mbrëma Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 20 milionë euro, për zbatimin e masës për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike.

    Të premten presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka mbajtur fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ndërsa seancën e bojkotuan Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Ministria e Drejtësisë jep detaje për marrëveshjen me Danimarkën për të burgosurit, Kosova përfiton 210 milionë euro

    Ministria e Drejtësisë ditë më parë ka njoftuar se janë pajtuar për një marrëveshje me institucionet e Mbretërisë së Danimarkës, respektivisht Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Bashkëpunimit Zhvillimor për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar.

    “Ministria e Drejtësisë zotohet për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar, të cilët do të sjellën nga Mbretëria e Danimarkës. Të dënuarit të cilët do të transferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë. Si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtërishëm”, thuhej në komunikatë.

    Sipas komunikatës, nga ky kompensim do të përfitojnë në masë të madhe edhe institucionet e drejtësisë, po ashtu edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, ndaj të cilit do të ndikojë në ngritjen e cilësisë dhe infrastrukturës së përgjithshme të këtij shërbimi.

    “Theksojmë që institucionet daneze i kanë vlerësuar pozitivisht trajtimin e të dënuarve në Kosovë dhe kapacitetet tona në këtë drejtim. Kjo është mundësi drejt një bashkëpunimi të afërt mes dy shteteve tona, duke thelluar partneritetin strategjik mes nesh”.

    Ndryshe, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se për këtë marrëveshje ishte biseduar qysh nga qeveria e kaluar.

    Por sipas saj meqenëse nuk ishin respektuar procedurat e Ligjit për Marrëveshje Ndërkombëtare, kishte marrë vendim që të kthehet e gjithë çështja në pikën zero, dhe tani kanë arritur një marrëveshje në parim rreth këtyre qelive.

    Haxhiu po ashtu njoftoi se në Kosovë për këtë çështje të hënën do të vijë në Kosovë, ministri i Drejtësisë në Danimarkë, Nick Haekkerup.

    “Në momentin kur kam pranuar detyrën si ministre e Drejtësisë jam njoftuar për një punë pothuajse të përfunduar të kabinetit të kaluar qeveritar, gjegjësisht të qeverisë së kaluar që kishte të bënte me shfrytëzimin e qendre korrektuese në Republikën e Kosovës si kërkesë e MD-së daneze.

    Qëllimi ishte që 300 vende në një prej qendrave korrektuese të Republikës së Kosovës të shfrytëzohen nga Danimarka dhe për faktin se asokohe nuk ishin respektuar procedurat, gjegjësisht sipas Ligjit për Marrëveshjen Ndërkombëtare sepse kjo është marrëveshje ndërkombëtare dhe ratifikohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Andaj, unë kam kërkuar që të ndiqen procedurat sikurse parasheh edhe ligji, prandaj e kemi rikthyer situatën në pikën zero, mirëpo negociatat kanë vazhduar tani është arritur një marrëveshje në parim ndonëse ende nuk ka asgjë të nënshkruar.

    Unë e pres që ministri danez të vijë në Kosovë të hënën, pra do bëjmë një takim në Prishtinë, do të vizitojmë këtë qendër korrektuese… Është fjala për Qendrën Korrektuese në Gjilan”, u shpreh ajo.

    Ministrja e Drejtësisë po ashtu tregoi se për të burgosurit që do vijnë në këto 300 qeli do të vlejnë ligjet që janë të aplikueshme në Danimarkë, ndërsa theksoi se të burgosurit nuk janë persona që kanë kryer vepra për terrorizëm apo që kanë probleme mendore.

    Ajo theksoi se menaxhimi i qendrës korrektuese do bëhet nga danezët, kurse mirëqenia dhe siguria e tyre do të menaxhohet nga oficerët korrektues të Kosovës.

    “Të burgosurit nuk do të jenë persona që kanë vepra të terrorizmit ose që kanë probleme mendore ne kemi kërkuar që të mos përfshihen këta, do jenë persona që do të jenë të dënuar për krimet tjera, nacionaliteti do të dihet nga ministri Drejtësisë së Danimarkës. Ne jemi njoftuar ose kemi shprehur interes që të njoftohemi për vizitat e familjarëve të tyre për ligjet që do vlejnë se a do vlejnë ligjet e Kosovës apo Danimarkës.

    Marrëveshja parasheh që për të gjitha këto do të kujdeset Danimarka, do të vlejnë ligjet e aplikueshme në Danimarkë, menaxhmenti do të jetë nga Danimarka, por oficerët korrektues do jenë nga Republika e Kosovës. Mirëqenia, siguria do të jetë komplet në përgjegjësinë e tyre.

    Konsideroj se është një shenjë e mirë që Danimarka vlerëson se si trajtohen të burgosurit në Kosovë sepse paraprakisht është bërë një vlerësim se si shtetet, sidomos ato të Ballkanit Perëndimor, i trajtojnë të burgosurit sa respektohen të drejtat e tyre dhe Kosova ka dal ndër vendet që më së shumti i respekton të drejtat e të burgosurve”, u shpreh ministrja e Drejtësisë.

    Haxhiu tha se si kompensim për këto shfrytëzimin e këtyre 300 qelive nga Danimarka, vendi ynë do të përfitojë do të ketë mbështetje financiare për investimet në energji të ripërtërishme por edhe për sundimin e ligjit.

    “Kjo marrëveshje përfshinë edhe mbështetjen financiare për Republikën e Kosovës ndonëse unë detajet nuk mund t’i them sot sepse ato do shpalosen shumë shpejt po ashtu investimit në energji të ripërtërishme që është nevojë urgjente e Kosovës por edhe mbështetje përmes donacioneve në sundimin e ligjit. Konsideroj se nëse Kuvendi i Republikës së Kosovës jep mbështetje kësaj marrëveshje sepse na duhet 2/3 të votave”, ishte shprehur Haxhiu.

    Ministri i Drejtësisë në Danimarkë, Nick Haekkerup kishte deklaruar se kapaciteti i burgjeve në Danimarkë duhet të rritet në mënyrë që t’u bëhet vendi rreth 1 mijë të burgosurve, sipas tij në këtë aspekt Kosova do të ndihmojë duke i dhënë me qira 300 qeli burgu. Ministri danez ndër të tjera kishte deklaruar se të burgosurit vijnë nga shtetet e botës së tretë.

    Qeveria ndan 20 milionë për tejkalimin e krizës energjetike

    Qeveria e Republikës së Kosovës, në një mbledhje të mbajtur të premten në formë elektronike, ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 20 milionë euro, për zbatimin e masës për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike.

    Në njoftimin nga mbledhja e Qeverisë, thuhet se vendimi i parë i miratuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme është për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë përmes të cilës Pakos së Ringjalljes Ekonomike i shtohet masa 3.7, -Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, që do të shfrytëzohet për të subvencionuar importin e energjisë elektrike.

    “Vendimi i dytë është miratuar pas shqyrtimit të kërkesës së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e masës 3.7, të aprovuar në vendimin paraprak”, thuhet në njoftim.

    “Qeveria ka ndarë mjete buxhetore në shumë prej 20 milionë euro, për zbatimin e masës për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike. Mjetet e ndara merren nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike, nën-programi ‘Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike’ te  kategoria e shpenzimeve ‘Subvencione dhe Transfere’. Këto mjete transferohen në Ministrinë e Ekonomisë, te kategoria e shpenzimeve ‘Subvencione dhe Transfere’, në nën programin ‘Njësia për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike’”, thuhet në njoftim.

    Sipas njoftimit, Ministria e Ekonomisë do të transferojë këto mjete te Ndërmarrja Publike KEK Sh.A. dhe shfrytëzimi i këtyre mjeteve do të përcaktohet në marrëveshjen që do të lidhet në mes të Ministrisë së Ekonomisë dhe Korporatës Energjetike të Kosovës.

    Osmani: Kosova, projekti më i suksesshëm i politikës së jashtme amerikane e evropiane

    Presidentja Vjosa Osmani të premten në adresimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka thënë se viti që po lëmë pas ishte shumë sfidues për shëndetin e qytetarëve dhe ekonominë për shkak të pandemisë.

    Ajo para deputetëve të Kuvendit u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen si mënyra më e mirë për t’i dhënë fund pandemisë, ndërsa adresimi i saj para deputetëve u bojkotua nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Presidentja Osmani në fjalimin e saj ka folur për sfidat dhe të arriturat. Ajo tha se Kosova është projekti më i suksesshëm i politikës së jashtme amerikane dhe evropiane.

    “Kosova është me fat të mirë të ketë miq anë e mban botës. Ata që kanë qëndruar me ne në ditët më të vështira, për të cilët me po kaq ngulmë dhe përkushtim po na qëndrojnë pran edhe tani drejt konsolidimit të shtetësisë sonë dhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë.

    Ne jemi të lumtur që mund të themi se Kosova është projekti më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i politikës së jashtme amerikane e evropiane si dhe i të gjithë atyre që u rreshtuan pran nesh. Prandaj, në vizitat e mija të realizuara këtë vit përveç se kam shprehur mirënjohjen e palëkundur të qytetarëve tanë, për aleancat që i kemi dhe për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve tanë, jam përkushtuar për të ngritur nivelin e shkëmbimit bilateral me vendet të cilat i kam vizituar qoftë sa i përket raporteve politike e diplomatike e deri te ato të tregtisë, sigurisë, shëndetësisë, arsimit, turizmit, agjendës së gjelbër, teknologjisë informative-inovacionit, por edhe shumë fusha të tjera në interes të qytetarëve tanë”, ishte shprehur Osmani.

    Presidentja ka folur edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se ka pretendime territoriale ndaj Kosovës.

    “… Serbia ka pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës dhe këtë nuk e fsheh as në retorikë, as në veprime. Duke shërbyer si trampolinë e interesave ruse në rajon, Serbia ka qëllim të destabilizoj shtete e rajonit, përfshirë Kosovën duke përfshirë logjikën e shekullit të kaluar. Sa i përket dialogut, nuk mund të ketë sukses nëse nuk nxjerrim mësime nga gabimet e së kaluarës”, tha ajo.

    Ajo po ashtu ka thënë se pranimi i moratoriumit në Washington, ku Kosova ishte pajtuar që për një vit të mos lobojë për njohje të reja dhe për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare ka cenuar rendin kushtetues të vendit.

    “Kosova ka miq dhe aleatë të rinj dhe të vjetër në të gjitha kontinente, që janë të palëkundur në mbështetjen që na ofrojnë në rrugëtimin tonë të drejtë të qenurit anëtarë me të drejta të plota dhe të barabarta në komunitetin ndërkombëtar. E gjitha kjo ka ndodhur përkundër një starti jashtëzakonisht sfidues.

    Duke aplikuar një politikë të jashtme tërësisht pasive të çakorduar në të kaluarën, e fatkeqësisht duke e pranuar edhe moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për të konsolidimin për subjektivitetin tonë ndërkombëtar, jo vetëm që u dëmtuan interesat tona strategjike por edhe ishin dikur dritat e politikës sonë të jashtme.

    Tani, këto drita jo vetëm që janë të ndezura por po punohet pa reshtur që Kosovën ta kthejmë mbarë e të ecim përpara ashtu siç e meritojnë qytetarët tanë”, nënvizoi presidentja Osmani në fjalimin e saj. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    KUSH DO LUFTË?

    Lajmi i rradhës

    Kryeministrat e nismës “Ballkani i Hapur”: Shtetet e rajonit t’i bashkohen nismës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë