PREJ DITËS NË DITË

    “Punën nuk ta paguan,
    djersën nuk ta paguajnë
    edhe pikë”.

    Çdo ditë, që në 7:00 të mëngjesit Fildanja*, bashkë me disa gra të tjera, nisen për në punë. Një veturë i merr në ora 9:00 dhe i çon në vendin ku duhet pastruar. Deri në 5:00 pasdite, ato pastrojnë shtëpi, banesa, hyrje ndërtesash e zyre. Çdo ditë, kanë pushim gjysmë ore për ta ngrënë ushqimin që e kanë marrë nga shtëpia ose ushqimin me të cilin nganjëherë i qerasin pronarët e vendeve ku punojnë.

    Pasi bëhen “llam” gjithë ditën e “s’ka dhimtë n’trup që s’dhem”, siç thotë Fildanja, në orën 5:00 pasdite, vetura i merr sërish dhe i kthen te stacioni ku i kishte marrë. Aty marrin pagesën pagesën për punën e asaj dite. Tek në 7:00 pasdite arrijnë në shtëpinë e tyre. Këtu mbaron puna që u paguhet e fillon puna që s’u paguhet.

    Sapo mbërrin në shtëpi, Fildanja gatuan për tre fëmijët e saj, ua lan rrobat e ua shpërndan paratë e fituara gjatë ditës për të nesërmen në shkollë. 

    Ajo, në fillin e të 40tave, e ka kryer vetëm shkollën e mesme dhe para tri vitesh ka filluar të punojë si pastruese. Punët i gjen përmes shpalljeve që kompanitë e mirëmbajtjes i publikojnë në rrjetet sociale. 

    Ndonëse me të dhëna të mangta zyrtare e në mungesë të hulumtimeve të përditësuara, një numër i madh i grave nga vende të ndryshme të Kosovës punojnë në mirëmbajtje të shtëpive, banesave, zyreve e shkallëve të ndërtesave, si dhe si kujdestare fëmijësh. Përderisa kjo industri po zgjerohet çdo herë e më shumë, rregullimi formal i saj nuk ka shënuar asnjë hap para. Shumica prej tyre nuk njihen ligjërisht si punëtore. 

    (PA)PUNËSIA E GRAVE NË SHIFRA

    • Vetëm 15.9% e grave figurojnë si zyrtarisht të punësuara. 
    • 50.3% e grave që punojnë janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor. 
    • 77.3% e grave janë joaktive në tregun e punës, që do të thotë as nuk janë në punë as duke kërkuar punë.

    Të dhënat për punësimin e grave, nuk paraqesin pasqyrë reale të gjendjes meqë, për shembull, numri i grave që punojnë jo-formalisht në mirëmbajtje dhe përkujdesje fëmijësh nuk figuron askund. Pjesa dërrmuese e tyre punojnë pa kontrata. Ky zhvillim ndjek trendin e informalitetit të lartë në sektorin privat në Kosovë. Vlerësohet se mbi 50% e mbi 290,000 punëtorëve të këtij sektori punojnë pa kontrata. Punëdhënësve, mosdhënia e kontratave u kursen para dhe përgjegjësi ligjore kur është fjala për trajtimin e punëtorëve.

    Por, ka edhe prej kompanive që punësojnë gra për të kryer punë në industrinë e shërbimit dhe mirëmbajtjes ndërkohe që nuk janë vetë të formalizuara.

    Ndërkohë, ligjet aktuale nuk i adresojnë specifikisht punët nëpër industritë të ndryshme, por vetëm marrëdhëniet kontraktuale. Andaj, për këto gra pa kontrata, Ligji i Punës është praktikisht i padobishëm. 

    Shkelja e Ligjit të Punës

    Pa kontrata, kohëzgjatja e punës së këtyre grave varet prej ditës në ditë. Marrëdhënia e punës mund të ndërpritet nga punëdhënësi kurdo dhe pa ndonjë paralajmërim dhe pa u dhënë punëmarrësve hapësirë ankese a kontestimi. 

    Për çdo ditë apo muaj pune, gratë që punojnë si pastruese ose kujdestare fëmijësh paguhen ndryshe ndonëse kryejnë të njëjtat punë. Pagesat dallojnë prej 10 deri në 30 euro në ditë për pastrim e deri në 300 euro në muaj për t’u kujdesur për fëmijë.

    Pasi nuk janë të regjistruara kontributet në trustin e tyre pensional nuk paguhen, që do të thotë, nëse kjo vazhdon, shumica nga to do të marrin vetëm pensionin bazë prej 100 eurosh kur të pensionohen, anipse mund të kenë punuar gjithë jetën e tyre.

    Me marrëveshje verbale, këto gra shpesh punojnë me vetëm 1 ditë pushimi, ndërkohë që të vetmet festa zyrtare që mund t’i kenë ditë pushimi janë ato të që punëdhënësi vendos t’ia ofrojë. 

    Nuk u ofrohet pushim vjetor a mjekësor dhe në raste kur kanë probleme shëndetësore, shpesh nuk hasin në mirëkuptim te punëdhënësi. Ndodh që t’ua ndalin paratë e tyre, e shpesh t’ua vonojnë pagesat. 

    “Shumë të rrallë janë ata të cilët paguajnë me kohë”, thotë Mina, 64-vjeçare që ka punuar si pastruese që prej pasluftës. “Këta që nuk paguajnë me kohë është infinit numri. Punën nuk ta paguan, djersën nuk ta paguajnë edhe pikë”. 

    “Ka pasë kompani që ma s’mrami na i ka nalë kah 20 euro të gjithave”, tregon Fildanja. “I kom thanë ti m’i nalë ama unë hallall s’ta baj edhe kemi ecë. I ka nal se vetë ka dashtë, se e lamë punën se s’mujtëm, na dërgun me nifarë vendi [me pastru] dhe s’mujshim ma shumë, unë bile tri ditë pata marrë injeksione, tani u smujta unë i thash valla s’muj me ardhë, tani për qata inati na i nali paret”. 

    Ato as që kanë ku të ankohen. Mekanizmi mbikëqyrës ligjor për zbatimin e Ligjit të Punës në Kosovë është Inspektoriati i Punës, ku punëtori/ja mund të dërgojë ankesë në rast se kontrata e punës shkelet. Po ashtu, në rast të ndërprerjes së padrejtë të marrëdhënies së punës, punëtori/ja mund të ankohet në Gjykatën përkatëse të komunës ku punon. Të dy entitetet mund të shqiptojnë gjoba ndaj punëdhënësit në rast se vijnë në përfundim se ankesa ka qenë e bazuar. 

     “Ai me pasë kanë njeri, nuk ia nalë njersën kërkujna, a osht qashtu?”, thotë Fildanja. “Për çka po shkon ti po derdhë njersë –– për me marrë qat’ dinar”. 

    Sipas të dhënave nga ASK për tre-mujorin e parë të vitit 2021, tregu i punës u jep përparësi grave që kanë shkollim terciar në krahasim me ato që kanë kryer vetëm gjimnazin. Vetëm 18.5% e grave që kanë përfunduar gjimnazin janë të punësuara kundrejt 49% të grave që kanë shkollim terciar. 

    Shumë gra që punojnë në këto industri janë në të 40at e 50at e tyre që nënkupton se ato ishin në moshën 18 vjeçare dy apo tri dekada më herët, kohë kur për shkak të gjendjes ekonomike të rëndë dhe përjashtimit të kahershëm me bazë gjinore, këto gra nuk kishin mundësi të kryenin më shumë se shkollën fillore apo të mesme. Përkundër kësaj, sot shumica e punëve në treg kërkojnë diplomë universitare.

    Për më shumë, në mungesë të zbatimit të Ligjit të Punës, i cilat nuk e lejon diskriminimin e aplikuesve në bazë të gjinisë, moshës, etnisë, statusit martesor dhe karakteristikave të tjera të identitetit, këto gra thonë se mosha dhe të pasurit fëmijë shpesh është përcaktues i mundësisë për të hyrë në një punë më të mirë. Punëdhënësit zakonisht refuzojnë t’i marrin në punë gratë e kësaj moshe apo të martuara për shkak të obligimeve tjera që mund t’i kenë në shtëpi. 

    Edhe Fildanja me shoqet e saj kishin aplikuar për punë të tjera, sidomos në markete, ku nuk kërkohet diploma universitare, por mosha ua kishte ulur shansat.

    “Kujna i kena shkru, çdo kompanie që i kena shkru ka vetë çfarë moshe ki”, thotë Fildanja. “Si i ke thanë 41, të ka pa në foto nashta ka thanë je ma e re se hiç s’të kish marrë. Si t’i shkrujsh të pyet sa vjeçare je”. 

    Andaj, e vetmja hapësirë ku këto gra mund të gjejnë punë mbetet tregu joformal. Fildanja thotë se ndonëse është punë e rëndë, në fund të fundit, ma mirë është me pasë “dinarin tand”.

    Shënim i redaksisë: Emrat e përmendur në artikull janë ndryshuar. /Kosovo2.0/

    Lajmi Paraprak

    Qeveria e Shqipërisë miraton një milion euro ndihmë për qeverinë e Ukrainës

    Lajmi i rradhës

    Mungesa e drejtësisë, si krijim i standardit të së keqes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë