Mungesa e drejtësisë, si krijim i standardit të së keqes

    AGIM BAÇI

    Sipas filozofit francez Calude Lefort, një shoqëri nuk mund të flasë për vlerën e demokracisë nëse nuk arrin të bëjë dallimin mes reales dhe imagjinares, mes së vërtetës dhe të pavërtetës, mes së drejtës dhe së padrejtës, mes së ligjshmes dhe së ndaluarës, apo edhe mes normales dhe patologjikes.

    Sipas Lefort, dallimi i tyre na jep mundësinë të kuptojmë nëse jemi mes legjitimitetit apo ilegjitimitetit. Këtë pafuqi të shoqërisë shqiptare për të diskutuar për vlerat e demokracisë e ka ndihmuar prej kohësh mungesa e një gjyqësori, që ose nuk vepron fare, ose vepron vetëm atëherë kur banaliteti mund çdolloj argumenti për të zgjidhur situatën.

    Për shkak të mungesës së drejtësisë, shumë qytetarë e kanë pasur të pamundur të gjykojnë qoftë për akuzat ndaj qeverisë për korrupsion, si në rastin e akuzës për vjedhje në rastin e inceneratorëve, qoftë edhe për situatën kaotike në gjirin e opozitës.

    Për pasojë të mungesës së gjyqësorit, imagjinata kolektive thërret në kor prej kohësh se “politika është e gjitha e korruptuar”. Për këtë imagjinatë nuk nevojiten armët, por vetëm fjalët – apo më saktë, fjalët e kontrolluara. Për një vend si Shqipëria, me të shkuar nën diktaturë, krijimi i imagjinatës kolektive duket edhe më i thjeshtë për shkak të mbetjes në këmbë të kulturës dhe historisë ideologjike, që mbrohet thuajse me çdo kusht.

    Dhe më shumë se kushdo në këtë imagjinatë po investon Kryeministri Rama, i cili çdo mendim ndryshe, edhe kur qytetarët ngrihen për çmimet që rëndojnë çdo ditë xhepat e tyre, arrin t’i konsiderojë “turp”, si në rastin e protestave të fundit.

    Në fakt, dallimi i imagjinares me realen është sot i vështirë për shkak se gjuha e spektaklit dhe e konsumizmit arrin të krijojë një manipulim të tillë të realitetit sa asnjë përfundim nuk është i lehtë. Kjo gjuhë e spektaklit shoqërohet me frikën që u injektohet qytetarëve me frikën e humbjes nëse do të provojnë ndryshimin, me qëllim që ata të bëjnë çdo kompromis për të ruajtur atë që kanë, atë që u është dhënë, apo atë që kanë pasur mundësinë të rrëmbejnë gjatë pjesëmarrjes në qeverisje apo nga mbështetja që i kanë dhënë asaj.

    “Shumica e njerëzve sot i marrin lajmet dhe informacionet në rrjet vetëm përmes një grushti mediash sociale dhe motorësh klikimi. Këtë faqe zgjedhin të na shfaqin bazuar në algoritme, të cilat mësojnë për të dhënat tona personale, që i mbledhin pareshtur. Në fund, rezultati është që këto faqe të na tregojnë se ne do ta klikojmë – çka do të thotë se keqinformimi, përmes lajmeve befasuese, do të përhapet në mënyrë të pakontrolluar.

    Njerëzit me synime të liga mund ta shfrytëzojnë sistemin për të shpërndarë keqinformime për përfitime financiare apo politike”, shkruante në një letër publike Sir Tim Berners-Lee, Profesor i Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Oksfordit dhe profesor në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts, në 20-vjetorin e krijimit të faqes World Wide Web.

    Nën këtë breshëri, kontrolli i gjuhës dhe i lajmeve që sugjerohen, mbetet një mision tejet i vështirë të shkundësh dikë nga bota e tij e iluzioneve, nga një botë dëshirash pa fre. Qëllimi i qeverisjes sot është që të krijohet një shumicë që nuk dëshiron të zgjohet, që të shohë realitetin, por që të ëndërrojnë për një jetë pa telashe, sidomos telashe me pushtetin.

    Dhe, i manipuluari, përgjithësisht është një rob i iluzionit të tij, që e ka shumë të vështirë të lëvizë nga injoranca, të lëvizë nga mashtrimi që ka para syve. Në një realitet të tillë shumica e qytetarëve joshen nga ideja se ata kanë të drejtë të arsyetojnë me atë çka shohin vetë, me atë që lexojnë vetë.

    Kjo është edhe parajsa e injorancës që është e vështirë të zhbëhet. Vetë ai që jeton në një botë të tillë e ka shumë të vështirë ta kuptojë kur manipulohet përmes lajmeve të rreme, përmes konflikteve boshe. Duhet patjetër që dikush të dijë, të guxojë t’ia thotë.

    Po cili mund t’ia tregojë qytetarëve të vërtetat? Institucioni i vetëm që do të ndihmonte një zgjim do të ishte një sistem i së drejtës, zbatimi i ligjit, që të mos lejojë që gjithkush të akuzojë gjithkënd, pasi kështu fiton vetëm ai që do të ruajë pushtetin, ai që dëshiron që të gjithë të shihen si vjedhës, pasi kështu humb çdo ditë dëshira e qytetarëve për ndryshim dhe shtohet adhurimi ndaj atyre që e shohin pushtetin si burim të pasurimit të tyre, duke shpërfillur përfundimisht qytetarët.

    Ne jemi prej kohësh në këtë shpërfillje dhe ajo që lexojmë nga rrjetet e lajmeve të kontrolluara nga qeveria, apo nga manipulatorët e paguar prej saj, vetëm sa shtojnë gjumin e madh qytetar dhe pushtetin e së ligës. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    PREJ DITËS NË DITË

    Lajmi i rradhës

    E drejta e drejtimit të PD-së dhe e drejta e shumicës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë