Kosovës i bëhet thirrje ta shfrytëzojë “mundësinë e re” në rrugën drejt BE-së

    Ambasadorë të vendeve të Bashkimit Evropianë në Prishtinë i kanë bërë thirrje Kosovës t’i “bëjë detyrat” dhe ta shfrytëzojë “mundësinë e re” në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në bllokun evropian.

    Ndër detyrat kryesore për të mbesin dialogu me shtetin fqinj Serbinë, e në veçanti Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas tyre.

    Duke folur në konferencë në Prishtinë, e titulluar “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, shefi i zyrës së BE-së, Aivo Orav, ambasadori gjerman Jorn Rohde dhe ai francez Olivier Guerot thanë se Kosova tani ka një “dritare të hapur” në rrugën e saj drejt BE-së.

    Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.

    “Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere, presidenten – por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv”, theksoi Orav në konferencën e organizuar nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike.

    Ai shtoi se BE-ja ka “nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur”.

    Kosova po dështon t’i formojë institucionet e reja, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tre muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pasi asnjë parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.

    Ambasadori gjerman Rohde tha se tani që BE-ja ka një përbërje të re – me Kaja Kallas si kryediplomate e bllokut, dhe Antonio Costa kryetar i Këshillit Evropian – Kosova duhet të punojë për t’i përmbushur kushtet për anëtarësim.

    “Kemi një përbërje të re në BE tani, shfrytëzojeni rastin e keni një dritare të hapur. Lutja ime përsëri është bëjeni detyrat dhe shfrytëzojeni këtë rast dhe këtë e filloni duke formuar institucionet e reja”, tha Rohde.

    Rohde tha se Kosova nuk duhet të shikojë gjithmonë çfarë bën fqinji i saj, por duhet t’i “bëjë detyrat” e veta.

    “Mendoj se kemi nevojë edhe për mendësi ndryshe. Dje fola me një anëtar të qeverisë në detyrë, dhe i thashë se ka shumë çështje në lidhje me anëtarësimin në BE, ndër to dhe çështja e përftimit [të politikave] për vizat. Ai më tha se Serbia nuk e bën, nuk e bëjmë as ne” tha Rohde, duke shtuar se “kjo nuk është serioze”.

    Ambasadori francez Guerot u bëri jehonë komenteve të Rohdes, duke thënë se Kosova ka tani një mundësi të re për anëtarësim në BE.

    “Në të kaluarën ka pasur këso mundësi që nuk u shfrytëzuan dhe tani është edhe një tjetër e cila nuk do të vijë më. Nevojitet vullnet politikë nga të gjithë në Kosovë, nga qeveria në largim, apo në detyrë apo në ardhje, dhe nga opozita. Për të mos e humbur këtë mundësi duhet dialogu i Brukselit me Serbinë dhe reformat”, tha Guerot.

    Ai theksoi se Kosova nuk është e izoluar, “përveç nëse e izolon veten”.

    “Si e izolon veten? Duke mos i dëgjuar miqtë , duke kultivuar qëndrime se vetëm unë kam të drejtë, duke gjetur të gjitha arsyet për mos t’i respektuar zotimet. Lutja ime është dëgjojeni miqtë tuaj, Kallas dhe Costa ishin këtu, ndërsa në Tiranë u takuan [presidentja e Kosovës Vjosa] Osmani dhe [presidenti francez Emmanuel] Macron”, tha ai.

    Ambasadorët i bënë thirrje Kosovës sërish ta themelojë Asociacionin, si një nga detyrat kryesore të saj në rrugën drejt BE-së.

    “Një temë për të cilën të gjithë flasin – por të cilën politikanët këtu në Kosovë nuk pëlqejnë ta përmendin – është Asociacioni. Duhet të bëhet dhe është më mirë të bëhet më herët sesa më vonë, për të ecur përpara. Mesazhi im është se ne në BE jemi të gatshëm të ecim përpara dhe shpresojmë shumë që edhe Kosova do të bëjë të njëjtën gjë”, tha Orav.

    Në tetor të vitit 2023, të dërguarit e atëhershëm të BE-së, SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, ia ofruan Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por Kosova nuk ka pranuar ta themelojë atë.

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar ta dërgojë këtë draft-statut për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës – veprim që do të shënonte hapin e parë drejt krijimit të tij.

    Presidentja Osmani tha në mars se draft-statuti i Asociacionit i hartuar nga BE-ja nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se këtë ia ka thënë edhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, gjatë vizitës së tij në Prishtinë.

    Guerot tha se Kosovë nuk duhet “pyes veten se çfarë do të ndodhë nëse nuk bëhet Asociacioni, por çfarë ndodh nëse ai nuk bëhet. Përgjigjen besoj e dini”.

    Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar asnjë rund të dialogut politik që nga shtatori i vitit 2023, për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve.

    Prej atëherë janë mbajtur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.

    Bashkimi Evropian ua ka bërë me dije vazhdimisht Kosovës dhe Serbisë së normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore është kusht për secilën në rrugën e tyre drejt integrimit.

    Ato arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në vitin 2023 – nën ndërmjetësimin e BE-së – por nuk e kanë zbatuar atë deri më sot. REL

    Lajmi Paraprak

    Salim Sulejmani u emërua i dërguar në vendet arabe – Taravari: pazare dhe tradhti politike

    Lajmi i rradhës

    ShBA-të pezullojnë lëshimin e vizave për studentët e huaj

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë