Kovaçevski: bisedova me Ahmetin dhe Zaevin për të ardhmen europiane të vendit

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski, ish-kryeministri dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev dhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dje kanë pasur një drekë të përbashkët ku janë dakorduar për ecurinë në zgjedhje dhe kanë biseduar për të ardhmen evropiane të vendit.

    “Dje diskutuam se si vendi duhet të përparojë drejt anëtarësimit të plotë në BE. Secili prej nesh mundi të ndajë përvojat e mandateve që kishim. Diskutuam se si duhet të duken paraqitjet e partive politike në zgjedhje, secila nga prizmi i përvojës që ka pasur”, tha Kovaçevski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

    I pyetur nëse do të dalin në listë të përbashkët me BDI-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ai tha se ende janë duke u bërë analiza.

    “Unë mendoj se vendi ka nevojë për një koalicion evropian për një të ardhme të sigurt, jo për izolime. VMRO-DPMNE, për fat të keq, përsëri nuk ka një koncept largpamës. Të gjitha deklaratat e tyre kanë të bëjnë me disa skenarë që nuk janë realë”, shtoi Kovaçevski.

    Kryeministri Dimitar Koveçevski konsideron se VMRO-DPMNE nuk do të ketë ministra në qeverinë teknike nëse nuk e voton. Ai thotë se askund në botë nuk ka shembull që një parti të marrë pjesë në qeverisje dhe të mos e mbështesë atë, domethënë të mos e votojë.

    “Kur dikush merr pjesë në një qeveri, do të thotë se ajo qeveri duhet të mbështetet. Nëse nuk voton, mendoj se ato vende duhet të mbeten bosh. Mandati i ri duhet të propozojë një qeveri në të cilën pozitat e VMRO-DPMNE-së do të jenë të zbrazëta. Në momentin kur VMRO-DPMNE do ta mbështesë qeverinë, mandatari mund të propozojë që ata ministra të votohen”, tha kryeministri Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas shenjtërimit të ujërave të Vardarit.

    VMRO-DPMNE njoftoi se do të propozojë personelin e saj për qeverinë teknike, por do të votojnë me përmbajtje, sepse nuk pajtohen që Talat Xhaferi të jetë kryeministër teknik.

    TV Klan njoftoi se edhe deputetët e BDI-së nuk do të mbështesin propozimet e VMRO DPMNE-së për ministra nëse opozita nuk voton për qeveri teknike dhe për Talat Xhaferin kryeministër teknik.

    Javën e ardhshme Xhaferi duhet të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Kuvendit dhe në vend të tij të zgjidhet koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski. Qeveria teknike duhet të zgjidhet 100 ditë para zgjedhjeve, pra deri më 28 janar.

    Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 8 maj, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të vendit do të jetë më 24 prill.

    Lajmi Paraprak

    BDI nuk do të votojë për ministrat e VMRO-DPMNE-së në qeverinë teknike

    Lajmi i rradhës

    Kur është koha që të ndërroni tiganin e vjetër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë