Kovaçevski: Do ta ndihmojmë edhe Sirinë nga pasojat e tërmetit

    Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e jashtëzakonshme të Qeverisë më 6 shkurt, ndau ndihma për zonat e Turqisë të prekura nga tërmeti shkatërrues, por jo edhe për Sirinë e cila gjithashtu është e prekur dhe situata është tmerrësisht e rënduar. Kryeministri paralajmëroi se edhe Siria do të ndihmohet nga RMV, njofton Portalb.mk.

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski u deklarua në lidhje me atë se pse Qeveria ka ndarë ndihmë financiare dhe humanitare vetëm për zonat e Turqisë të prekura nga tërmeti katastrofik, por jo edhe për zonat e Sirisë.

    Ai tha se edhe Siria do të ndihmohet, sipas mundësive dhe se MPJ është në komunikim me autoritetet siriane.

    “MPJ e jonë komunikon me kolegët tanë nga Siria që të shohim edhe atje se çfarë mund të dërgojmë si ndihmë, cilat janë nevojat e tyre dhe sapo të identifikojmë cilat janë nevojat, sipas mundësive tona, atëherë kuptohet që edhe Siria është shtet i cili do të ndihmohet nga ana jonë. Përsëris edhe njëherë, nëse dikush e di se çfarë është solidariteti ndërkombëtarë, atëherë ne e dimë atë, për këtë dëshmojnë edhe një numër i madh i rrugëve në Shkup që mbajnë emra të cilat bartin emra të kryeqyteteve të shteteve që i kanë ndihmuar qytetit të Shkupit dhe Maqedonisë pas tërmetit katastrofik në Shkup”, tha Kovaçevski.

    Ai rikujtoi se RMV ka miratuar dërgimin e ndihmës për Republikën e Turqisë pasi që jemi shtet i cili ka qenë dëshmitar i solidaritetit të shteteve tjera, veçanërisht pas tërmetit katastrofik të cilin e ka pasur Shkupi (në vitin 1963).

    Ndryshe, në seancë të Qeverisë u miratua vendimi për ndarjen e 6 milionë denarëve ndihmë financiare, 10.000 batanijeve dhe 200 lese mjekësore.

    Qeveria, me sugjerim të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, mori vendim për dërgimin e 40 personave nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, pjesëtarë të Forcave Republikane për Mbrojtje dhe Shpëtim. Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka ofruar pajisje komplete të specializuara dhe mjete materialo-teknike për kërkimin dhe shpëtimin nga rrënojat, gjashtë automjete për transportin e pajisjeve dhe njerëzve dhe dy automjete zjarrfikëse.

    Janë dërguar 24 pjesëtarë të Ministrisë së Mbrojtjes – Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe dy udhëheqës të qenve zyrtarë, me dy qenë, nga Komanda e stërvitjes dhe doktrinat e Ministrisë së Mbrojtjes.

    Gjithashtu, janë obliguar të gjitha ministritë që në kuadër të kompetencave të tyre të ndërmarrin aktivitete për të ndihmuar Turqinë.

    Përveç qeverisë, edhe komunat me vetëiniciativë kanë nisur ndihma për Turqinë, por edhe për Sirinë.

    Kujtojmë se në mëngjesin e 6 shkurtit rreth orës 04:17, sipas llogaritjes lokale, një tërmet me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter ka goditur Turqinë juglindore pranë kufirit me Sirinë dhe më pas ka pasuar dhe një tërmet në magnitudë 7.5. Sipas njoftimeve të fundit në Turqi dhe Siri, numri i të vdekurve është mbi 11.000 dhe vazhdon rritet, ndërkaq  mijëra të tjerë janë plagosur. Tërmeti ka shkaktuar dhe dëme të pallogaritshme financiare, duke rrënuar mijëra objekte dhe shkatërruar infrastrukturën.

    Tërmeti është një nga më të fortët që ka goditur Turqinë në 100 vitet e fundit.

    Lajmi Paraprak

    RMV do të ndalojë importin e naftës nga Rusia për shkak të agresionit ushtarak ndaj Ukrainës

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia ka nevojë për dyfishin e infermierëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë