Kovaçevski: Gjermania garanton se s’do ketë kushtëzime të reja nga Sofja

    Maqedonia e Veriut nuk do të përballet me veto të re apo kushte të tjera nga Bullgaria në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, përveç atyre që parashihen me Marrëveshjen ndërmjet dy vendeve bazuar në atë që njihet si “propozimi francez”.

    Kështu deklaroi kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, pas takimit në Berlin me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, të mërkurën në mbrëmje.

    Ai ka “garantuar” se përveç ndryshimit të Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, nuk do të ketë kushtëzime tjera nga Sofja.

    “Me këtë, Republika Federale e Gjermanisë po inkurajon Maqedoninë e Veriut që të vazhdojë në rrugën e anëtarësimit në BE. Me rëndësi të madhe është miratimi i rezolutës në Bundestagun gjerman për mbështetjen e këtij procesi duke garantuar dhe respektuar gjuhën, identitetin dhe kulturën maqedonase”, tha Kovaçevski.

    Negociatat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në duhet të zhvillohen sipas agjendës dhe procedurave tashmë të përcaktuara, që të mos ketë kërkesa të tjera sa i përket situatës dypalëshe midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, tha Scholz. Ai shtoi se bisedimet e anëtarësimit duhet të vazhdojnë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese.

    “Unë do të jem i qartë, kjo çështje është e dakorduar dhe kështu duhet të jetë. Duhet të jetë një proces i rregullt i anëtarësimit, sipas procedurave që menaxhohen nga BE-ja. Këto janë gjëra që janë shkruar tashmë në letër dhe nuk duhet të ketë të tjera sa i përket situatës dypalëshe. Kjo është ajo pas së cilës qëndroj, ju garantoj”, deklaroi kreu i Qeverisë gjermane.

    Kryeministri Kovaçevski tha se Maqedonia e Veriut tani më nuk përballet me bllokoda të jashtme, por vetëm me ato të brendshmet, duke aluduar në refuzimin e opozitës maqedonase për t’i mbështetur ndryshimet kushtetuese.

    “Tani para nesh mbetet hapi i radhës, ndryshimet kushtetuese të cilat do të dërgohen për miratim në Kuvend dhe pres që të gjithë 120 deputetët të tregojnë sjellje shtetërore dhe t’i mbështesin ato, pasi garantojnë të ardhme më të mirë për shtetin dhe qytetarët”, ka thënë Kovaçevski.

    Por, edhe më shumë se dy javë pas përfundimit të punës së grupit të ekspertëve, ndryshimet kushtetuese nuk kanë kaluar në Qeveri, që më pas të dërgohen për miratim në Kuvend.

    Ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen paralelisht me përfundimin e procesit të skriningut deri nga mesi i muajit nëntor, por vonesat kryeministri Kovaçevski i arsyetoi me nevojën për, siç tha, debat gjithëpërfshirës.

    Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, bëri thirrje për shpejtimin e procesit pasi për të kaluar të gjitha procedurat deri në miratim nevojiten së paku tre muaj.
    Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, tha se deputetët mund të punojnë edhe në muajin gusht, edhe pse kjo periudhë me ligj parashihet për pushimet për deputetët.

    Vonesat më tepër kanë të bëjnë me mungesën e votave për miratimin e tyre, pasi nevojiten dy të tretat në Kuvend, apo 80 nga 120 votat e deputetëve.

    Shumica parlamentare ka vetëm se 64 vota, pasi edhe disa deputetë të partive opozitare shqiptare kanë thënë se nuk do t’i mbështesin ndryshimet pa u miratuar kërkesa e tyre. Ata kërkojnë ndryshimin e përkufizimit të gjuhës shqipe, e cila në Kushtetutë njihet si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind të popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

    VMRO DPMNE-ja ka thënë se do t’i mbështesë ndryshimet në fund të procesit apo para se Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së dhe nëse ky proces udhëhiqet nga një qeveri e re.

    Kjo parti dyshon se pala bullgare, në rast të miratimit të ndryshimeve kushtetuese para përfundimit të bisedimeve me BE-në mund të paraqesë kërkesa tjera “të dëmshme për interesat shtetërore dhe kombëtare maqedonase”.

    Por, kjo kërkesë është refuzuar nga zyra e BE-së në Shkup duke u bërë thirrje palëve që t’i përmbahen kornizës negociuese. /REL/

    Lajmi Paraprak

    MPPS i cilëson si të pabaza reagimet dhe kundërshtimet e Kishës Ortodokse ndaj Ligjit për Barazi Gjinore

    Lajmi i rradhës

    Në shkollat e RMV pak diskutohet për shëndetin mendor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë