Gjuha e urrejtjes që nxit histeri në baza etnike dhe fetare duhet të sanksionohet me ligj, tha Kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke cituar disa individë e grupacione, të cilët shpifën në rastin e zhdukjes së Vanjas. Sipas Kovaçevskit klika e njëjtë ka përhapur gjuhë të urrejtjes edhe në kohën e pandemisë së kovidit, në kohën e krizës financiare dhe votimin e propozimit evropian, me qëllim që të lihet vendi në “status quo”. Ai bën thirrje që këta siç i cilësoi dashakeqë të ndiqen e të vihen para drejtësisë që mos të shkaktojnë incidente ndëretnike dhe ndër fetare, në këtë periudhë shumë të rëndësishme për progresin e vendit.
“Një periudhë të gjatë na janë paraqitur sjellje të papërgjegjshme të disa individëve, grupe dhe parti politike, të cilët përhapin urrejtje ndërmjet qytetarëve në baza të ndryshme. Po ashtu, përhapin histeri në baza të ndryshe dhe shteti sipas ligjeve duhet të gjithë ata t’i sanksionojë. Mendoj për organet hetuese dhe gjyqësore, duke përfshirë edhe prokurorinë sepse përgjegjësit kanë emër dhe mbiemër”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Edhe në takimin e liderëve një ditë më parë është biseduar për një nismë të ndryshimeve ligjore, përmes së cilave do të vihet rend në mediat elektronike, portalet dhe rrjetet sociale për tu mbrojtur nga lajmet e rreme dhe shpifjet. Sipas autoriteteve, këtë nxitje të gjuhës së urrejtjes e bëjnë për interesa personale dhe të huaja. Dje edhe prokurori publik Gavrill Bubevski tha se rastet për nxitje të urrejtjes që u përpoqën t’i japin ngjyrime ndëretnike me rastin e zhdukjes dhe vrasjes së Vanjas, do të ndiqen penalisht.
“Veprat penale që i trajtojnë lajmet e rreme plus disa elemente të caktuara që patjetër duhet të plotësohen, ata do të ndiqen. Kurse lajmet e rreme nëse mbeten vetëm në atë konotacion, jo! Por, ajo që do të nxisë urrejtje të caktuar dhe jo tolerancë fetare do të jenë baza për vepër penale dhe do hetohen sepse kanë veprën”, tha Gavrill Bubevski, Prokuror Publik.
Disa individ të caktuar, shfrytëzuan rrjetet sociale të bëjnë statuse për nxitje të urrejtjes ndër etnike, madje gjatë kohës sa ishte e zhdukur, tani më e ndjera Vanja, shpifej se është çuar në Kosovë. Portale, po ashtu të njohura për opinionin me qëndrime kontradiktore, nuk heshtën për të përfituar klikime dhe pikë politike për porositësit e tyre partiakë, duke keqpërdorur tragjedinë familjare të Vanjas. /Alsat/