Kovaçevski kërkon falje për kuponin fiskal rus

    Për rreth 1 orë fjalim, kryeministri Dimitar Kovaçevski sot në konferencën vjetore “vit i mundësive të reja” më shumë se 10 herë përmendi Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Por me të mbaruar fjalimin, në video-prezantimin që shfaqej prapa tij sistemi i ri tatimor promovohej përmes një kuponi fiskal rus.

    Edhe pse ky video incizim ka kaluar pa u kontrolluar fare nga personat kompetent në qeveri, kryeministri Kovaçevski u shfaq i pa shqetësuar, tha se bëhet fjalë për gabim njerëzor dhe nuk duhet zënë për të madhe.

    “Shihni, kishte sekuencë të tillë, unë nuk ua marr për të madhe, por edhe t’i fajësonim, dikush kur punon edhe bën gabime, njerëzit që kanë punuar në produksionin e asaj video kanë shfrytëzuar ndonjë incizim të cilën e kanë montuar në video, gjithsesi konsideroj që ja unë, mund të kërkoj falje në emër të atyre të cilët në mënyrë profesionale punojnë në montimin e videove”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

    Kovaçevski dhe zyra e informimit në qeveri megjithatë nuk përgjigjen në pyetjet e ALSAT se kush ka qenë agjencia apo personat të cilët kanë punuar për realizimin e kësaj video promovuese si dhe për atë se kush është kompetent në kontrollimin e materialeve të tilla para se të publikohen.
    Përveç Kovaçevskit, në rreshtin e parë për të ndjekur këtë video ishin pjesa më e madhe e kabinetit qeveritar, si Artan Grubi, Oliver Spasovski, Fatmir Besimi, Sllavjanka Petrovska, Fatmir Bytyqi, Nikola Tupançevski, Kreshnik Bekteshi, Bekim Sali dhe tjerë.

    Reaguan nga Lëvizja BESA, sipas tyre kjo nuk është e rastësishme por po ndodhë për shkak të lidhjeve dhe bizneseve që kanë strukturat shtetërore me Rusinë.

    “Me këtë kjo qeveri dëshmon haptas se ky vit do të jetë viti i promovimit jo vetëm të kuponëve fiskal rus, por edhe i politikës ruse. Në videon promovuese më e keqja është se këtë e kanë miratuar edhe ata të cilët gjatë gjithë kohës trumbetojnë për koalicion Evropian, kurse në anën tjetër si duket nuk mund të çlirohen nga fenomeni rus sigurisht për shkak të lidhjeve dhe bizneseve që kanë struktura të larta të shtetit. Gjatë gjithë kohës Bashkimi Evropian, ka ngritur shqetësim për ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut, por kjo siç do herë nuk është marrë seriozisht nga qeveria”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

    Në mes tjerash në këtë konferencë u diskutua edhe për krizën ekonomike të nxitur nga agresioni rus në Ukrainë. Gjatë gjithë kësaj kohe funksionarët shtetërorë kanë alarmuar për ndikimin rus në vend por kanë vepruar ndryshe, për shembull, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, kishte deklaruar më herët se blerja e gazit në kompanitë ruse financon ushtrinë ruse, por ministria me të cilën udhëheq ai ishte furnizuar me naftë nga një kompani ruse. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Asociacioni është problem mbipartiak, rrezikon Kosovën!

    Lajmi i rradhës

    Spasovski: Nuk do të lejohet asnjë incident më 4 shkurt me ardhjen e bullgarëve në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë