Krijuesit e kartelave të rreme “Trump” filluan t’i fshijnë gjurmët digjitale

    “Do të kthehemi tri herë më të fortë, pa merak” – ishte mesazhi i lënë më 26 shkurt të këtij viti në njërin prej disa grupeve të mbyllura të Telegramit, përmes të cilit komunikonin “shitësit” maqedonas të kartelave false të debitit me imazhin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

    Siç konfirmoi Radio Evropa e Lirë, nga ky grup u fshi e gjithë përmbajtja.

    Dhe, ai nuk është i vetmi.

    Dy ditë pasi REL-i publikoi detajet e një mekanizmi në internet, të krijuar me qëllimin që dhjetëra maqedonas – kryesisht nga qyteti i Velesit – të përfitonin para nga qytetarët amerikanë, përmbajtja nga shumica e kanaleve në platformën Telegram u fshi.

    Në këtë rrjet, sipas gjetjeve të REL-it, ishin të përfshirë 69 individë dhe gjithsej 88 faqe interneti.

    Faqja e internetit Trump Family Coin para dhe pas publikimit të hulumtimit të REL-it për mashtrimet në internet.
    Faqja e internetit Trump Family Coin para dhe pas publikimit të hulumtimit të REL-it për mashtrimet në internet.

    Një e treta e ueb-faqeve nuk ishin më aktive më 28 shkurt.

    Më saktësisht, nga gjithsej 88 ueb-faqet e gjetura nga gazetarët e REL-it, 23 u mbyllën, ndërsa opsionet e pagesës u çaktivizuan për 10.

    Çfarë i parapriu?

    Hulumtimi i Radios Evropa e Lirë për shitësit e produkteve të rreme në Maqedoninë e Veriut, i cili u publikua më 26 shkurt, ndoqi gjurmët digjitale të një rrjeti individësh, të cilët krijuan oferta mashtruese për të shitur kartela me imazhin e Trumpit.

    Përmes reklamave, qytetarëve amerikanë u thuhej se produktet e blera sot me imazhin e Trumpit, do të vlejnë miliona dollarë pas rikthimit të tij në pushtet.

    Por, në fakt, produktet e ofruara, si kartela, monedha, afishe, pulla e të tjera, nuk kanë asnjë vlerë.

    Ueb-faqja Trump Loyalty Card u mbyll pas publikimit të hulumtimit të REL-it për skemat e mashtrimit digjital.
    Ueb-faqja Trump Loyalty Card u mbyll pas publikimit të hulumtimit të REL-it për skemat e mashtrimit digjital.

    Përfaqësuesit e platformës së pagesave pa përgjigje

    Rruga digjitale i çonte klientët nga ueb-faqet në platformën e pagesave të regjistruar në SHBA, CopeCart.

    Përfaqësuesit e kësaj platforme nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për këtë raportim.

    Ann Bratton, 86 vjeçe, nga shteti amerikan Tenesi, bleu disa kartela false përmes reklamave dhe kësaj platforme pagese, dhe ndau përvojën e saj me REL-in.

    Viteve të fundit, ajo shpenzoi më shumë se 30.000 dollarë për kartela të ndryshme dhe produkte financiare.

    Platforma CopeCart nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it nëse është në dijeni me rastin e Brattonit dhe si vepron në situata të tilla.

    REL-i zbuloi, gjithashtu, se 33 qytetarë maqedonas që shisnin kartela dhe monedha me imazhin e Trumpit, i tërhoqën produktet e tyre nga platforma CopeCart.

    Pamje e platformës CopeCart
    Pamje e platformës CopeCart

    Çfarë duhet të dini për Velesin?

    Qyteti i Velesit, i cili ka një popullsi prej pak më shumë se 45 mijë banorësh, u bë i famshëm para zgjedhjeve amerikane të vitit 2016, kur mediat botërore zbuluan se aty ishin krijuar më shumë se 100 ueb-faqe politike, ku shpërndaheshin lajme të rreme – zakonisht në favor të politikave të Trumpit.

    Ueb-faqet përdornin përmbajtje nga blogje jashtëzakonisht konservatore dhe i reklamonin ato përmes Facebookut, duke gjeneruar miliona shikime në muaj.

    Lajmi Paraprak

    Toshkovski: mbi 100 mijë qytetarë nuk do të mund të votojnë

    Lajmi i rradhës

    ZGJEDHJET PRESIDENCIALE / Edhe kandidatë, edhe funksionarë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë