Kritika ndërkombëtare ndaj gjyqësorit të Maqedonisë

    Thirrja e fundit e ambasadorit austriak në vend, Georg Vutsas, i cili kërkoi që gjykatësit, prokurorët të zëvendësohen, ndërsa noterët dhe përmbaruesit të mbajnë përgjegjësi për zvarritjen e procesit të mbledhjes së borxhit të një kompanie nga Maqedonia e Veriut, ndaj një kompanie austriake. Kjo kritikë është një nga kritikat në serinë e kritikave që përfaqësuesit ndërkombëtarë, hapur, pa doreza diplomatike, u drejtojnë institucioneve kompetente.

    Ambasadori austriak Vutsas, përmes një letre për media, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj sistemit të drejtësisë në Maqedoni, duke kërkuar që të lirohen të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët publikë, por edhe licencat e përmbaruesve dhe noterëve që kanë vepruar në një mosmarrëveshje mes kompanisë austriake “AMMA DOO” dhe kompanisë nga Vallandova “DENA Trade”, e lidhur me familjen e ish-kryeministrit Zoran Zaev. Për shkak të manipulimeve dhe zvarritjes nëpër gjykata, sipas ambasadorit Vutsas, kompania austriake nuk mund të arkëtojë borxhin prej 4.5 milionë euro.

    Presidenti Stevo Pendarovski konsideron se nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit, por se është obligim legjitim i çdo ambasadori që t’i mbrojë interesat e institucioneve dhe bizneseve private të qytetarëve të vendit të tij.

    “Këtu nuk po flasim për ndonjë ndërhyrje në punët tona të brendshme, sepse çdo ambasador ka të drejtën dhe detyrimin legjitim të mbrojë interesat e vendit të tij. Ditëve të fundit pamë një reagim edhe nga ish-kryeministri Zoran Zaev, i cili përmendi një ndarje institucionale, andaj pres që institucionet tona të konstatojnë nëse vërtet ka pasur mosrespektim të arbitrazhit ndërkombëtar”, tha Pendarovski.

    Ish-kryeministri Zaev ka deklaruar se do ta padisë ambasadorin austriak nëse edhe një herë ia përmend emrin në konotacion negativ. Ndryshe, pronarja e kompanisë “DENA Trade”, Emilia Zaeva Kostova është kushërira e ish-kryeministrit. Kritikat e ambasadorit austriak Vutsas, për (mos)funksionimin e sistemit juridik vijojnë pasi diplomatë të tjerë në vend folën me të njëjtën retorikë.

    Fillimisht ambasadorja amerikane Angela Ageler dërgoi një letër shqetësuese për situatën në drejtësi dhe në listën e zezë të zyrtarëve të përfshirë në korrupsion, të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën pak muaj më parë, së fundi është përfshirë edhe kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko së bashku me anëtarët e familjes së tij, ndër të tjera, për shkak të ndërhyrjeve dhe presioneve ndaj organeve të drejtësisë. Ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler, ka paralajmëruar zgjerimin e “listës së zezë” me zyrtarë të rinj në të ardhmen.

    Oda e Noterëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut njoftoi se pas mbledhjes së informatave relevante nga aspekti i praktikës noteriale, tërësisht i mohon dhe nuk pajtohet me reagimet e shprehura kundër noterëve, lidhur me njoftimin dhe reagimet e Ambasadës Austriake lidhur me përfshirja e noterëve dhe keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar në kontestin tregtar në mes të kompanisë vendore DENA Trade dhe kompanisë austriake AMMA DOO.

    “Fakti që një noter ka nxjerrë një vendim të vlefshëm dhe të ekzekutueshëm për një urdhërpagesë noteriale nuk ka të bëjë me pasurinë e paluajtshme dhe ndalimin e tjetërsimit të saj, për arsye se ‘urdhërpagesa noteriale’ përfaqëson një vendim të noterit i cili, në bazë të një dokumenti të besueshëm, i detyron debitorit të paguajë çdo kërkesë monetare të duhur. Urdhërpagesa noteriale është instrument për zgjidhjen jashtëgjyqësore të kërkesave monetare dhe i mundëson kreditorit që në bazë të vlefshmërisë juridike dhe zbatueshmërisë së tyre, nëse nuk përmbushet vullnetarisht, të kërkojë arkëtimin e detyruar përmes përmbaruesit kompetent. Kjo do të thotë se është një procedurë që zhvillohet për pretendimet monetare të vonuara dhe është krejtësisht e ndryshme dhe e pavarur nga procedura e hartimit të dokumentit noterial për pasuritë e paluajtshme dhe pasuritë e tjera”, thonë nga sipas Oda e Noterëve.

    Sondazhi i fundit rreth besimit të qytetarëve ndaj institucioneve, ka treguar se besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë dhe prokurorisë është vetëm 2.7 për qind. Nga ana tjetër, zhvillimet në Këshillin Gjyqësor me dorëheqjet dhe kërkesën e ministrit të Drejtësisë dhe deklaratat e kryeministrit që në Këshillin Gjyqësor duhet të bëhet një remont janë cilësuar si tentim për t’u përzier në punët e gjyqësorit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Në shkollat e RMV pak diskutohet për shëndetin mendor

    Lajmi i rradhës

    Zjarrfikësit e Tetovës në gjah pas gjarpërinjve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë