Zjarrfikësit e Tetovës në gjah pas gjarpërinjve

    Gjithnjë e më shumë qytetarët e komunës së Tetovës dhe komunave rurale kanë probleme me zvarranikët, të cilët shfaqen si në objekte banimi, oborre, automjete dhe kështu me radhë. Kjo shkakton panik dhe frikë tek qytetarët të cilët në këto raste kërkojnë ndihmë nga njësia e zjarrfikësve në Tetovë.

    Gjatë vitit të kaluar njësia e zjarrfikësve në Tetovë ka intervenuar në 20 raste ku janë larguar zvarranikët, kryesisht gjarpërinj qoftë nga objektet e tyre të banimit, qoftë nga lokalet tregtare qoftë nga automjetet. Këtë vit, ka më pak raste të intervenimeve krahasuar me vitin e kaluar, thonë nga njësia e zjarrfikësve në Tetovë. 

    “Vitin e kaluar kemi pasur diku rreth 20 raste të intervenimeve me zvarranikë, janë larguar nga shtëpitë, nga veturat, nga vende të ndryshme. Prandaj, adresa e parë ku qytetarët lajmërohen është njësia e zjarrfikësve. Këtë vit kemi pak raste kur kemi intervenuar në largimin e zvarranikëve, kryesisht të gjarpërinjve. Por, me rritjen e temperaturave, do të ketë shtim të këtyre rasteve”, thotë Avni Ameti, udhëheqës i njësisë së zjarrfikësve në Tetovë.

    Edhe pse në kuadër të njësisë së zjarrfikësve në Tetovë, nuk ka njësi të specializuar për intervenime në këso raste, megjithatë ata disponojnë disa pajisJe me të cilët intervenojnë dhe u dalin në ndihmë qytetarëve, por mungon trajnimi i kuadrit.“Kemi mjete adekuate që të bëjnë intervenime, por na duhen trajnime shtesë të kësaj natyre sepse dihet sepse ka zvarranikë që janë në këto treva që janë helmues, prandaj na nevojiten trajnime të pjesëtarëve të zjarrfikësve. Mungojnë trajnimet, por ne edhe përskaj kësaj dalim në teren kur pranojmë thirrje edhe pse nuk ka ndonjë rregullore adekuate se si duhet vepruar”,deklaroi kreu i zjarrfikësve në Tetovë Avni Ahmeti.

    Mjekët nënvizojnë se rastet e kafshimit të qytetarëve nga zvarranikët shënojnë rënie viteve të fundit. Nga reparti i kirurgjisë potencojnë faktin se qytetarët janë më të kujdesshëm gjatë dekadës së fundit por rekomandojnë që ata  duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore, por prioriteti është që të mos bëjnë panik. Kurse, nga ana e njësisë së zjarrfikësve apelojnë që në raste të këtilla të lajmërojnë menjëherë zjarrfikësit dhe të mos rrezikojnë vet që të largojnë zvarranikët.

    ”Apelojmë tek qytetarët që kur të hasin zvarranikë menjëherë të paraqiten në njësinë tonë dhe të mos tentojnë që vet të largojnë ata sepse mund të rrezikojnë jetën e tyre, prandaj edhe pse nuk është pjesë e veprimtarisë sonë, megjithatë ne e ofrojmë edhe këtë shërbim për qytetarët tanë’, tha Ahmeti. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Kritika ndërkombëtare ndaj gjyqësorit të Maqedonisë

    Lajmi i rradhës

    GREVA NË DAP! A rrezikohet pagesa e rrogave?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë