Kriza e çmimeve në tregjet botërore, Sejko: Do shoqërohet me inflacion të lartë dhe ngadalësim të rritjes ekonomike

    “Rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe reduktimi i kërkesës së huaj, do të shoqërohen me norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike krahasuar me vlerësimet e mëparshme”, theksoi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, i cili mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington.

    Gjatë takimeve, Guvernatori fillimisht u shpreh se dy vitet e fundit kanë qenë të paprecedenta dhe sfiduese për ekonominë shqiptare, duke u përballur me tërmetin e vitit 2019, pandeminë e cila filloi në vitin 2020 me pasojat e së cilës ende po përballemi dhe viti 2022 i cili përkon me nisjen e sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës dhe krizën ndërkombëtare të çmimeve.

    Lidhur me sektorin bankar, Guvernatori u shpreh se ai shfaqet i qëndrueshëm ndaj goditjeve dhe efekteve prej dy vitesh të pandemisë dhe se veprimtaria e tij vijon të zgjerohet mbështetur kryesisht nga depozitat, fitimi i tij është përmirësuar ndërsa likuiditeti mbetet i lartë. Falë planit të masave për reduktimin e kredive me probleme dhe angazhimit të Bankës së Shqipërisë tashmë raporti i kredive me probleme ka shënuar vlerën më të ulët në 15 vitet e fundit, 5%.

    Në vijim, Guvernatori theksoi se përballë rritjes së çmimeve të ushqimeve, të lëndëve të para dhe të produkteve bazë, politika monetare u përshtat duke synuar krijimin e kushteve të nevojshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit të Bankës së Shqipërisë me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar dhe rritjen e qëndrueshme e afatgjatë të ekonomisë.

    Ai shtoi se inflacioni në Shqipëri pritet të qëndrojë mbi objektivin e Bankës gjatë vitit 2022, në pasqyrim të goditjeve që vijnë nga çmimet e rritura në tregjet ndërkombëtare, megjithatë, kjo goditje do të ketë efekte të përkohshme. Në këtë kontekst, Guvernatori theksoi se rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe reduktimi i kërkesës së huaj, do të shoqërohen me norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike krahasuar me vlerësimet e mëparshme të Bankës.

    Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar ishte efektiviteti i politikës të deeuroizimit të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë me qëllim stimulimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar dhe të sistemit financiar.

    Kjo politikë krijoi kushte më të favorshme për një transmetim më të mirë të politikës monetare duke ulur në këtë mënyrë rreziqet për stabilitetin financiar dhe politikën fiskale, pavarësisht shkallës së lartë të euroizimit të ekonomisë shqiptare.

    Në lidhje me mbikëqyrjen bankare Guvernatori Sejko u shpreh se institucioni që ai drejton do të vijojë përmirësimin e vazhdueshëm të rolit të tij mbikëqyrës, përqasjen proaktive të rregullimit bankar, rritjen e sigurisë së sistemit bankar dhe nxitjen e zhvillimit të digjitalizimit të sistemeve dhe përmirësimin e sistemit të pagesave duke ndjekur standardet ndërkombëtare.

    Së fundmi, Guvernatori pohoi se institucioni që ai drejton diti të ngrihet në lartësinë e sfidave të këtyre viteve dhe përmbushi me sukses detyrat e tij ligjore.

    Përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, në zhvillimin makroekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit. Ata inkurajuan Bankën e Shqipërisë të vijojë monitorimin e vazhdueshëm të situatës, si dhe koordinimin e politikave nga autoritetet shqiptare duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur.

    Më në veçanti, përfaqësuesit e FMN-së mbështetën vendimin e Bankës së Shqipërisë për rishikimin e qëndrimit të politikës monetare. Paralelisht me të, ata nënvizuan nevojën e monitorimit të vazhdueshëm të presioneve inflacioniste dhe, në rast se do të jetë e nevojshme, reagimin e mëtejshëm të politikës monetare për të garantuar respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve. Sipas tyre, Shqipëria ka treguar të jetë një histori suksesi në përballimin e krizave dhe vendi është transformuar pozitivisht në mënyrë të rëndësishme gjatë viteve.

    Në kuadër të sfidave aktuale, zyrtarët e lartë ndërkombëtarë theksuan se koordinimi midis politikës fiskale dhe asaj monetare është i nevojshëm për të frenuar pasojat ekonomike dhe financiare të luftës në Ukrainë dhe efektet e vazhdueshme të pandemisë.

    Gjatë takimeve, ata gjithashtu inkurajuan çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian si një faktor kyç në përshpejtimin e reformave dhe zhvillimin e vendit.

    Guvernatori Sejko falënderoi përfaqësuesit FMN-së dhe BB-së për asistencën teknike të ofruar ndaj Bankës së Shqipërisë, kryesisht në fushën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, sistemit të pagesave, statistikat, mbikëqyrjes bankare dhe përfshirjes financiare.

    Së fundmi, bashkëbiseduesit dakordësuan për vazhdimësinë e projekteve të ndërmarra dhe asistencës teknike të nevojshme për mbylljen me sukses të tyre dhe zhvillimit të marrëdhënieve nëpërmjet projekteve të reja.

    Guvernatori gjithashtu mori pjesë në një takim me dyer të mbyllura me Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL) me qëllim për të diskutuar mbi perspektivën dhe sfidat e politikës për Evropën. Kjo është një kohë shumë e vështirë për Evropën, për shkak të krizave dhe politikëbërja po bëhet më komplekse.

    Në këto mbledhje marrin pjesë guvernatorët e bankave qendrore dhe ministrat e financave të vendeve anëtare, si dhe drejtues të lartë të institucioneve ndërkombëtare financiare.

    Shqipëria mori pjesë në këto takime me një delegacion të përbashkët të përbërë nga Banka e Shqipërisë – me përfaqësues Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Zëvendësguvernatoren e Parë, zj. Luljeta Minxhozi, si dhe drejtues të tjerë të lartë të saj – dhe nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë – me përfaqësues Ministren, zj. Delina Ibrahimi, Zëvendësministren, zj. Adela Xhemali, dhe drejtues të tjerë të kësaj ministrie.

    Në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar Financiar të FMN-së vihet në dukje se: “Ekonomia globale vijon të rimëkëmbet, por shpejtësia e kësaj rimëkëmbjeje është ngadalësuar për shkak të shfaqjes së varianteve të reja të Covid-19, ndërsa sot po përballet me një pengesë të madhe që vjen si rezultat i luftës në Ukrainë dhe i pasojave të saj komplekse, të cilat amplikojnë sfidat ekzistuese. Rritja e fortë e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve ka rritur presionet inflacioniste, ndërkohë që ndërprerjet e ofertës janë intensifikuar më tej dhe tregjet financiare e flukset e kapitalit po shfaqin luhatshmëri të shtuar. Përkundrejt pasigurive të paprecedentë, normave në rritje të interesit dhe borxhit të lartë global në nivele rekord, transmetimi i pasojave përmes tregjeve të mallrave, tregtisë dhe kanaleve financiarë mund të përkeqësojë dobësitë ekzistuese. Rreziqet e mundshme lidhur me vështirësitë për shërbimin e borxhit, së bashku me fluksin e refugjatëve, pasigurisë ushqimore në rritje dhe pabarazinë mund të shtojnë presionet sociale. Në të njëjtën kohë, ndryshimet klimatike, së bashku me sfidat e tjera të përbashkëta – të tilla si siguria e energjisë, përballueshmëria dhe qëndrueshmëria – po bëhen gjithnjë e më shumë serioze duke kërkuar vëmendje të menjëhershme.”

    Gjatë pjesëmarrjes në Mbledhjet e Pranverës të FMN-së dhe BB-së, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ndër të cilat veçojmë: përfaqësues të FMN-së – z. Domenico Fanizza, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, z. Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit Evropian, zj. Yan Sun, Shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, z. Udaibir Das, Këshilltar dhe Asistent Drejtor pranë Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitale; si dhe përfaqësues nga grupi i BB-së – zj. Anna Bjerde, Zëvendëspresidente për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, z. Matteo Bugamelli, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë; z. Mario Guadamillas, Menaxher për Evropën dhe Rajonin, z. Ary Naïm, Drejtor Rajonal i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) për Evropën Qendrore dhe Juglindore, z. Sarvesh Suri, Drejtor pranë Agjensisë së Garantimit të Investimeve Shumëpalëshe (MIGA), thuhet në njoftimin zyrtar për shtyp. /MONITOR/

    Lajmi Paraprak

    Analiza | Analogjia Ukrainë-Tajvan: Frika reale dhe krahasimi i rremë

    Lajmi i rradhës

    Dimitrieska-Koçoska: Qeveria LSDM – BDI për tre vjet u ka borxh qytetarëve mbi dy miliardë euro

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë