Kriza e ujit në RMV, luftë e re politike!

    Debati politik për çështjen e cilësisë së ujit të pijshëm është intensifikuar, pasi LSDM akuzoi Qeverinë për dështim në mbrojtjen e shëndetit publik, ndërsa VMRO-DPMNE reagoi duke e akuzuar opozitën për përhapje paniku dhe keqpërdorim politik të situatës. Në një konferencë për media, anëtarja e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Simona Cvetanovski, deklaroi se në disa qytete të vendit janë evidentuar probleme me cilësinë e ujit të pijshëm, duke përmendur Gostivarin, Vallandovën, Spitalin e Leshokut dhe së fundmi edhe Krushevën. Sipas saj, situata paraqet dëshmi të një, siç u shpreh, “shpërbërjeje sistemore” të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e shëndetit publik.

    “LSDM vlerëson se institucionet nuk po e kryejnë më as detyrën e tyre më themelore – mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Partia pyet se sa qytete të tjera konsumojnë ujë të papërshtatshëm për pije dhe akuzon pushtetin se nuk ka as kapacitet e as përgjegjësi për t’u përballur me këto sfida”, thuhet në reagimin e opozitës. Nga LSDM u drejtuan akuza edhe ndaj drejtuesve të institucioneve shtetërore, duke pretenduar se mungesa e profesionalizmit ka ndikuar në menaxhimin e situatës. Partia kërkon përgjegjësi politike dhe penale për, siç thotë, rrezikimin e shëndetit të qytetarëve. Opozita kërkoi dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, si dhe drejtorit të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Oliver Milanov.

    Njëkohësisht, LSDM parashtroi tre kërkesa konkrete: publikimin e menjëhershëm të të gjitha analizave për cilësinë e ujit të pijshëm, zhvillimin e një hetimi të plotë për veprimet ose mosveprimet e institucioneve kompetente dhe përcaktimin e përgjegjësisë për të gjithë ata që, sipas partisë, kanë qenë në dijeni të situatës, por nuk kanë reaguar.

    Ndaj këtyre akuzave reagoi VMRO-DPMNE, duke i cilësuar pretendimet e LSDM-së si përpjekje për të krijuar panik dhe për të përfituar politikisht nga situata. Sipas partisë në pushtet, LSDM dhe kryetari i saj Venko Filipçe vazhdojnë të ndjekin politikën e dezinformimit dhe të përhapjes së pasigurisë te qytetarët. “Në vend që të ofrojnë zgjidhje dhe të tregojnë përgjegjësi, LSDM dhe Filipçe zgjedhin të keqpërdorin çdo temë aktuale për marketing politik. Qytetarët meritojnë informacion të saktë, transparencë dhe institucione që punojnë në interesin e tyre, e jo spektakle politike të bazuara në spekulime dhe sensacionalizëm”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

    Partia në pushtet thekson se institucionet shtetërore kanë reaguar me shpejtësi dhe se problemi në Gostivar do të zgjidhet në një afat të shkurtër. VMRO-DPMNE njëherësh akuzon strukturat lokale të lidhura me LSDM-në, BDI-në dhe Aleancën për Shqiptarët në Gostivar se nuk kanë kapacitet për të menaxhuar komunën. Në reagim, VMRO-DPMNE u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë përgjegjësi, sidomos kur bëhet fjalë për çështje që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Polemikat mes pushtetit dhe opozitës zhvillohen në kohën kur autoritetet kompetente po vazhdojnë kontrollet dhe analizat e cilësisë së ujit në Gostivar, në zonat ku janë evidentuar parregullsi, ndërsa qytetarët presin sqarime zyrtare dhe zgjidhje të shpejtë për furnizim të sigurt me ujë të pijshëm.

    Lajmi Paraprak

    Rrethrrotullimi i papërfunduar bllokon rrugën Tetovë-Jazhincë, krijohen kolona të gjata në kulmin e verës

    Lajmi i rradhës

    Nëse doni të mërziteni, lexojeni këtë artikull

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë