Në kulmin e sezonit veror vonesa në përfundimin e rrethrrotullimit në fshatin Neproshten të komunës së Tearcës shkakton kaos të madh në komunikacion. Rrethrrotullimi ndërtohet në rrugën regjionale Tetovë-Jazhincë që është një rrugë me frekuentim të lartë të automjeteve sidomos gjatë sezonit veror kur edhe mërgimtarët kthehen në vendlindje. Ndonëse ka me muaj të tërë që punimet kanë filluar, megjithatë assesi të përfundojë, kjo ka bërë që të shkaktohen kolona të gjata kilometrike në këtë aks rrugor të cilët gjatë ditës arrijnë deri në 1 kilometër.
Qytetarët që e frekuentojnë këtë rrugë janë të irrituar për shkak të vonesave ndërsa krahas kaosit poashtu shkaktohet edhe shumë pluhur. Më vështirë në këtë periudhë e kanë banorët e komunave të Tearcës të cilët duhet duhet të kalojnë çdo ditë në këtë rrugë për të arritur në Tetovë.
Ndërsa vështirësi hasin edhe banorët tjerë që kalojnë transit këtë rrugë për në vendkalimin kufitar drejt Kosovës në Jazhincë. Ndërtimi i rrethrrotullimit duhej të përfundonte më 15 korrik, por aty edhe sot e kësaj dite punohet. Nga ana tjetër, autoritetet përgjegjëse për këtë projekt, respektivisht nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore thonë se deri në fund të muajit korrik duhet që të përfundojë ndërtimi i rrethrrotullimit që është pjesë e projektit të qarkores Trebosh-Neproshten.
“Punohet vazhdimisht por për shkak të disa problemeve që i kemi patur me shpronësimin kemi disa vonesa. Aty punohet dhe është duke u shtruar me asfalt faza e parë dhe në fund të korrikut do ta kemi të përfunduar rrethrrotullimin në Neproshten” thotë për gazetën Koha, zëvendësdrejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore Tahir Tairi.
Ai më tej shton se qarkorja Neproshten-Trebosh tashmë po merr formë dhe punohet intenzivisht. “Ky projekt i rëndësishëm do të përmirësojë qarkullimin, do të rrisë sigurinë në komunikacion dhe do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve. Me realizimin e kësaj qarkoreje, lidhja ndërmjet vendbanimeve me qytetin do të jetë më e shpejtë dhe më efikase, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe urban të gjithë rajonit”, thotë zëvendësdrejtori Tairi. Ndryshe, afati për përfundimin e qarkores që duhet të lidhë fshatrat e komunës së Zhelinës, Tearcës dhe Jegunocit me Tetovës është tejkaluar disa herë. Përveç shtyrjes së afatit, kah mesi i muajit shkurt u dëmtua traseja e qarkores nga reshjet e mëdha të shiut.
Ndërtimi i qarkores së Tetovës filloi më 13 shkurt të vitit 2024, ndërsa duhej të përfundonte në maj të vitit 2025. Por, as në vitin 2025 nuk përfundoi ndërsa edhe pse kishte paralajmërime se në fillim të këtij viti do të jetë gati, megjithatë ende këtij projekti nuk i shihet fundi. Paralajmërimet e fundit janë se në shtator do të kryhen punimet. Qarkorja që është në ndërtim e sipër fillon nga fshati Trebosh dhe del në fshatin Neproshten ku edhe lidhet me rrugën Tetovë-Jazhincë. Traseja e rrugës është e gjatë 5.4 kilometra dhe me gjerësi 6.6 metra.






