Nga dita në ditë në Dibër zvogëlohet numri i mjeshtërve nga të gjitha fushat që kërkon koha. Disa prej tyre tashmë kanë dalë në pension, ndërsa të tjerë janë larguar nga vendlindja duke gjetur punë në Gjermani apo vende të tjera të Evropës. Dibranët vitet e fundit përballen me sfida të shumta, njëra ndër to është edhe kriza e mjeshtërve. Në çdo fushë të jetës, nga ndërtimi, te artizanati e deri te shërbimet e vogla, është bërë gjithnjë e më e vështirë të gjesh mjeshtër të zotë. Paradoksi qëndron në faktin se sot materialet mund t’i gjejmë më lirë dhe më lehtë, ndërsa mjeshtrit janë bërë të rrallë dhe shumë më të shtrenjtë. Kjo tregon se vlera e vërtetë e një pune nuk qëndron vetëm te materiali, por te dora dhe mendja që e kthen atë në një vepër të përfunduar.
Të rinjtë duket se nuk i preferojnë disa zanate. Kjo sjell mungesa të mëdha në fusha si ndërtimtaria, infrastruktura e ujësjellësit, gjeodezia, kuzhina, rrobaqepësia e shumë të tjera. Kjo mungesë ka sjellë edhe ndryshimin drastik në treg, ku mjeshtrit paguhen shumë më shtrenjtë se vetë materialet. Materiali është baza, por mjeshtri është krijuesi. Pa mjeshtrin, materiali mbetet thjesht lëndë e parë pa funksion. Një shtëpi nuk ngrihet vetëm me tulla dhe hekur, por me dijen, përvojën dhe kujdesin e ndërtuesit. Një copë pëlhure nuk ka vlerë, nëse nuk e pret dhe nuk e qep mjeshtri rrobaqepës. Edhe një gur i zakonshëm qëndron pa vlerë, derisa një skulptor i talentuar ta shndërrojë në art.
Shpëtim P., 45 vjeç, është një nga mjeshtrit më të njohur në Dibër. Ai tregon se gjatë gjithë kohës është i zënë me punë. “Punoj pa pushim ngaqë kemi mungesë të kuadrit profesional. S’mund t’i arrijmë të gjitha kërkesat, pasi koha është e kufizuar”, thotë ai, duke shtuar se sot është e lehtë të blesh materiale, por shumë e vështirë të gjesh një mjeshtër që punon me cilësi.
Pikërisht kjo ka bërë që mjeshtëria të vlerësohet më shumë dhe të kushtojë më shtrenjtë se vetë materiali. Një mjeshtër i mirë sjell jo vetëm një produkt të bukur e të qëndrueshëm, por edhe besim dhe siguri për atë që krijon.
Kriza e mjeshtërve tregon se rinia dibrane nuk duhet të nënvlerësojë zanatet dhe profesionet praktike. Pa mjeshtër, nuk ka zhvillim të qëndrueshëm. Ndërsa materialet mund të prodhohen në fabrika në sasi të pafundme, dija, përvoja dhe pasioni i një mjeshtri nuk mund të zëvendësohen.
Petrit O., që këto ditë po bënte disa renovime në shtëpinë e tij, rrëfen për vështirësinë e gjetjes së mjeshtërve. “Rregullova banjën, por për instalimin e ujit më duhej të prisja një muaj, sepse nuk kishte mjeshtër. Për dy ditë punë që realizoi mjeshtri, unë prita 30 ditë”, u shpreh Petriti.
Ai shton se në kohën që jetojmë është bërë e qartë se më të shtrenjtë janë mjeshtrit sesa materialet. Vlera e tyre nuk qëndron vetëm te puna e kryer, por te cilësia, qëndrueshmëria dhe shpirti që i japin çdo krijimi.
Një mungesë e madhe gjatë verës u ndje edhe tek rrobaqepësit. Shumë dibranë duan të riparojnë teshat që ua sjellin nga Amerika, por të pakët janë rrobaqepësit që arrijnë t’i përmbushin të gjitha kërkesat. Disa prej tyre kanë dalë në pension, disa kanë ndërruar jetë, ndërsa interesimi i të rinjve dibranë për këtë profesion është pothuajse i papërfillshëm.
Mjeshtëria është pasuri që duhet ruajtur, respektuar dhe trashëguar, sepse pa të, edhe materialet më të mira mbeten pa kuptim. Prandaj është e domosdoshme që të rinjtë të tregojnë më shumë interes për zanatet, pasi ato asnjëherë nuk të lënë pa punë. Ka shumë zanate që rrezikojnë të zhduken, gjë që kërkon vëmendje dhe angazhim më të madh nga rinia dibrane, theksojnë edhe përfaqësuesit e Shoqatës së Zejtarëve të Dibrës. /Koha/






