KRIZA EKONOMIKE NË RMV | As shitësit dhe as blerësit nuk janë të kënaqur me çmimet

    As shitësit dhe as blerësit nuk janë aspak të kënaqur me çmimet e larta të pemëve dhe perimeve. Kriza ekonomike i detyron qytetarët që të blejnë më pak, respektivisht të marrin vetëm gjërat e domosdoshme. Shitësit ankohen se mezi arrijnë të mbulojnë shpenzimet, ndërsa blerësit ankohen se mezi arrijnë të mbushin qeset.

    “Aspak të kënaqur nuk jemi, shitje nuk ka…-A keni llogari me i prodhua të gjitha këto në shtëpi? Nuk kemi llogari, tash krejt janë shtrenjtuar… Tash edhe puna nuk është tu shkua, as tezgat nuk po mund t’I paguajmë”.

    “Prodhojmë diçka, jo të gjitha. Qepët, marrullat. Domatet nuk janë tonat, e dini se ato janë të importuara tani. Tani pak kanë rënë, kështu që qytetarët mund të blejnë…”.

    “Janë rrit mjaft, në disa vitet e kaluara dukshëm janë rrit… Patjetër po duhet të blejmë, deshëm s’deshëm po duhet të blejmë”.

    “Ka shtrenjtim… A bleni ju njësoj sikur vitet e kaluara?

    Jo, këtë vit ka disi në mënyrë të paktë, kriza e bën të veten, mungesa e parave poashtu”.

    “Çmimet adalet e hajt, ai që ka para për atë mirë është, ai që s’ka vetëm I sheh edhe hec….Më pak blejmë, se më pak para na japin, sa kemi mundësi aq blejmë”.

    “Malli I shtrenjtë Akoma, shitje nuk ka shumë, ka pak.. . Nuk jena të kënaqur jo, nuk kemi shitje shumë, e di shtrenjtë është Akoma malli, nuk kanë para qytetarët”.

    I pyetur nëse ka hapësirë për ulje të çmimit të pemëve dhe perimeve, Ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski tha se dikasteri që drejton nuk rregullon çmimet, por vetëm se u jep mbështetje bujqve në rritjen e prodhimit vendor. Në këtë drejtim Nikollovski tha se është arritur qëllimi sa i përket lulediellit, miellit dhe kulturave të tjera të rëndësishme.

    “Ministria nuk rregullon çmime, ajo u jep mbështetje bujqëve që ta rrisim dhe mirëmbajmë prodhimin vendor, që të mos ndodh rënie e prodhimtarisë, pikërisht në kohë krize dhe në kohë të asaj që e përjeton e gjithë bota, pas agresionit rus në Ukrainë. Qeveria me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, me masa dhe politika kompetente, sjell vendime kompetente në pjesën e çmimeve nëse do të ketë ngrirje të produkteve të caktuara”, deklaroi Ljupço Nikollovski, Ministër i Bujqësisë.

    Ndërsa në pyetjen nëse ministria ka mekanizëm që të mbrojë blegtorët për shkak të ngrirjes së çmimit të qumështit nga nesër, ai tha se Ministria ofron mbështetje përmes subvencioneve dhe programeve tjera për blegtorët për rritjen e kostove në prodhim. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nuk është e vërtetë se numri i ministreve në Qeveri është më i ulëti në historinë politike të RMV

    Lajmi i rradhës

    Lëvizja Besa: Kemi qeveri që proklamohet si pro europiane, ndërsa pazarin e ndan me kompani pro ruse

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë