Ministria e Shëndetësisë njoftoi se për shkak të ndërprerjes së furnizimit me ujë në Klinikën Universitare për Sëmundje të Mushkërive tek Fëmijët – Kozle, menjëherë është kërkuar nga Klinika Universitare për Sëmundje të Fëmijëve dhe Klinika Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile që përkohësisht të pranojnë pacientët që do të kenë nevojë për hospitalizim.
Ndërkohë, në Kozle do të vazhdojë trajtimi i pacientëve në spitalin ditor dhe kontrollet ambulatore.
“Kjo iniciativë ka për qëllim të sigurojë vazhdimësinë në trajtimin dhe kujdesin për pacientët më të vegjël. Ministria e Shëndetësisë po e ndjek nga afër situatën dhe, pas normalizimit të furnizimit me ujë në Klinikën Universitare për Sëmundje të Mushkërive tek Fëmijët – Kozle, hospitalizimi i pacientëve do të vazhdojë pa pengesa në këtë institucion shëndetësor publik”, thonë nga minstria.
Që kur filluan temperaturat e larta, NP “Ujësjellës dhe Kanalizime” ka dërguar apele për përdorim racional të ujit, por zgjidhje për problemin nuk kanë.
“Aktualisht, sistemi i furnizimit me ujë të qytetit funksionon me presion të reduktuar me ndërprerje të herëpashershme të ujit në disa rrugë. Lidhjet e paligjshme sigurisht që kanë një ndikim negativ në gjendjen e sistemit dhe furnizimin me ujë, por për këtë qëllim, po organizohen veprime për zbulimin e tyre. U bëjmë apel qytetarëve që të zvogëlojnë konsumin e padobishëm të ujit si dhe të zbulojnë dhe ndalojnë lidhjet e paligjshme, të gjitha me qëllim normalizimin e sistemit të furnizimit me ujë të qytetit”, thonë nga “Ujësjellësi”.






