KRIZË PËR MËSUES E PROFESORË!

    Vendi po përballet me një sfidë të vazhdueshme në sektorin e arsimit, veçanërisht në sigurimin e mësuesve të kualifikuar për lëndët e shkencave natyrore. Kjo ka shkaktuar një mungesë të mësuesve të specializuar në degë të tilla si Matematikë, Kimi, Biologji dhe Fizikë, ndërsa ka krijuar një boshllëk në sistemin arsimor e që kërkon masa të shpejta dhe të qëndrueshme për të garantuar cilësinë e arsimit. Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), në vitin 2023/2024, Fakulteti i Shkencave Matematike dhe Fizike kishte vetëm 60 studentë në lëndën e Matematikës, 13 në Fizikë, 13 në Kimi dhe 59 në Biologji. Po ashtu, në Fakultetin Pedagogjik të Shkupit, 112 studentë studiuan për mësues në gjuhën maqedonase, ndërsa në Manastir u regjistruan 80 studentë për po të njëjtën fushë.

    Për këtë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) theksoi se vendi ka kohë që po përballet me mungesë mësuesish në lëndë si Matematikë, Kimi, Biologji dhe Fizikë, duke nënvizuar se kjo ka ardhur si pasojë e interesit të ulët nga të rinjtë për të studiuar këto degë.

    “Nuk ka interes të mjaftueshëm tek të rinjtë për të zgjedhur institucionet e arsimit të lartë që ofrojnë programe studimi në këto fusha, dhe për këtë arsye – nuk prodhohet mjaftueshëm staf që duhet të zërë pozitat tashmë të punësuar në shkolla, të cilët, natyrisht, përfundimisht do të dalin në pension dhe dikush duhet t’i pasojë”, theksoi MASH-i.

    Të dhënat e ESHS-së tregojnë se interesimi për shkencat natyrore ka rënë vit pas viti. Pjesëmarrësit në degët e Matematikës dhe Biologjisë janë përgjithësisht në rënie, me numër të ulët studentësh për vitet e para dhe të katërta. Për të adresuar këtë problem, MASH-i njoftoi se do të ndërmarrë masa për të rritur interesin për shkencat natyrore, përfshirë modernizimin e mësimdhënies dhe dhënien e bursave për studentët e këtyre degëve, që arrijnë deri në 300 euro në muaj. Bursat do të shpërndahen për ata studentë që regjistrohen në degë si Matematikë, Fizikë dhe Kimi, dhe arrijnë një notë mesatare mbi 7.00.

    “Është e nevojshme të ketë motivim, interes dhe dëshirë personale. Dhe kjo arrihet përmes modernizimit të mësimdhënies në këto lëndë, por edhe në të gjitha lëndët e tjera, në arsimin fillor dhe të mesëm. Po punohet për përmirësimin e përmbajtjes së kurrikulave dhe teksteve, trajnimin e mësuesve për kreativitet më të madh në mësimdhënien e lëndës që do t’i intrigojë të rinjtë, dhënien e çmimeve në të holla për fitimin e vendeve të larta në garat ndërkombëtare në matematikë dhe shkenca natyrore, si dhe të holla për fitimin e medaljeve në olimpiadat ndërkombëtare të shkencës”, kumtoi MASH.

    MASH-i gjithashtu ka premtuar rritje të pagave për punonjësit në arsim, me rritje të mundshme deri në 60 për qind në katër vitet e ardhshme. Kjo ka për qëllim të ndihmojë në sigurimin e një numri të mjaftueshëm mësuesish për këto degë. Ndryshe, nga janari, do të fillojë analiza e kuotave të regjistrimit në universitetet publike për t’u përshtatur me kërkesat e tregut të punës.

    Në ndryshim nga mësuesit e shkencave natyrore, ka një tepricë mësuesish në arsimin fillor, për shkak të emigrimit të disa familjeve dhe ndryshimeve demografike. Ministrja Vesna Janevska ka theksuar se do të vazhdojë optimizimi i sistemit arsimor dhe se ata do të mund të plotësojnë vendet vakante në institucione të tjera arsimore. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    RMV me 19 “non grata”, e katërta në Ballkan!

    Lajmi i rradhës

    REKORD PREJ 1 MILIARDË EURO! / Investimet e huaja në RMV arrijnë majat

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë