Kryefjala e programeve politike në RMV akoma mbetet uji, asfalti dhe aspak projekte zhvillimore

    Gazetar | Emir Hamzai

    Programi zgjedhor është një nga dokumentet kryesore të secilës parti politike në të cilën shprehen qëndrimet dhe pikëpamjet në lidhje me çështjet më të rëndësishme për elektoratin e tyre. Mirëpo, asgjë më ndryshe nuk do të jetë edhe kësaj radhe, vërehet një qasje cinike ndaj premtimeve, bile as vetë anëtarët nuk i besojnë premtimeve dhe zotimeve partiake; kështu shprehen për Nistori opinionistët në lidhje me programet politike.

    Asgjë më ndryshe nuk do të jetë edhe kësaj radhe, vërehet një qasje cinike ndaj premtimeve

    “Partia në pushtet (BDI) ka programe më voluminoze, edhe në përmbajtje edhe në kuptimin viziv – vërehet se kanë angazhuar ndihmë konsulente në përpilimin e tyre. Mirëpo, është e qartë se BDI nuk i merr seriozisht premtimet e veta zgjedhore dhe ditën pas përfundimit të zgjedhjeve bile i zhduk nga web-faqja partiake në mënyrë që opinioni t’i harrojë. Asgjë më ndryshe nuk do të të jetë edhe kësaj radhe, vërehet një qasje cinike ndaj premtimeve, bile as vetë anëtarët nuk i besojnë premtimeve dhe zotimeve partiake, por në to shohim më tepër një instrument makiavelian për të qenë në pushtet”, deklaron Besim Nebiu për Nistori.

    Ndërsa sa i përket opozitës, Nebiu thotë se e kanë ngritur nivelin e ofertës dhe për dallim nga ciklet e mëhereshme kanë arritur të nxjerrin programe më të kapshme për opinionin – gjithashtu edhe prazentimi është më i kapshëm për qytatarin. Poashtu, vërehet përpjekje për të kritikuar korrupsionin, partizimin dhe nepotizmin e pushtetit në mënyrë më të drejtpërdrejtë, si dhe prezantim të alternativave për qeverisje transparente.

    Akoma kemi ngelë te kanalizimi, asfalti, projekte që i përkasin shekullit të kaluar

    Por sipas opinionistit, Visar Ademi për herë të parë gjatë fushatës zgjedhore nuk flitet për politika të mëdha, gjegjësisht që kanë të bëjnë me ezaurimin e institucioneve, siç është emri, gjuha, identiteti dhe Marrëveshja e Ohrit.

    “Ajo që më bën mua përshtypje është se shumë pak ka projekte zhvillimore. Ato që ne i quajmë soft programm (programe të buta), flas për sipërmarrësinë, tregun e punës, për të rinjtë që mund ta tregojnë potencialin e tyre dhe zhvillimin. Akoma kemi ngelë te kanalizimi, asfalti, projekte që i përkasin shekullit të kaluar. Aspekti tjetër negativ që dua ta potencoj është se ka shumë prezantime 3D, me vizulizim dhe këto i bëjnë kryetarët aktul të komunave, ku në fakt këto projekte duhej të kishin filluar dhe jo të vijnë me animacione 3D. Si mundet që një kryetar që ka udhëhequr 4 apo 8 vite të vijë me 3D projekte, ndërsa tani ato duhej veçmë të ishin realizuar si projekte. Por edhe kandidatët tjerë që i sfidojnë këta duhet të vijnë me projekte reale dhe jo me prmetime të mëdha, e realizimi është goxha problem, sepse bëhet fjalë për komuna me borxhe të mëdhaja, komuna rurale që u duhet kohë të shlyejnë borxhet. Me një fjalë, premtimet e tyre nuk janë të realta, flasin për projekte që duken si në Europë, mirëpo kur ta shohësh realizimi ka ngecur”, deklaron Ademi.

    Listat e pavarura

    Gjithashtu edhe listat e pavarura, sidomos ata që janë vërtetë te pavarura si ajo e Tetovës, kanë dalë me programe të kapshme dhe lehtë të prezantueshme, me propozime konkrete dhe të realizueshme.

    Teknikat e manipulimit të partive politike gjatë fushatës zgjedhore

    Sipas gazetarit Ardit Ramadani partitë politike në RMV nuk janë aq naive sa pretendojnë të jenë në kuptimin e tentativës për manipulim kolektiv, duke studiuar paraprakisht formën sesi dhe çfarë mendon votuesi, në secilin qytet specifikisht.

    “Në platformat e partive politike për zgjedhjet lokale konsideroj se janë përdorur dy teknika të manipulimit, e para është ajo që përmes shfrytëzimit të faktit që qytetarët në përgjithësi janë të painformuar në lidhje me atë se si funksionon buxheti komunal, rrjedhimisht janë edhe të pa interesuar, kandidatët kanë përpiluar programet kryesisht duke u bazuar në këtë fakt, këtë e bazoj në faktin se nuk mundet në një komunë si Tetova p.r.sh. që është komuna më “borxhlie” në Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht me mbi 10 milion euro borxhe publike, ku 2/3 e buxhetit shkojnë për pagat e punonjësve komunal si dhe ku asnjë ndërmarrje publike nuk punon me fitim, të premtohen shumë projekte kapitale, përveç që është e pamundur, konsideroj se është ofendim për intelegjencën tonë si qytetarë”, shprehet Ramadani.

    Ramadani shton se metoda e dytë e manipulimit e cila kryesisht është përdorur nga partitë politike të cilat kanë rikandiduar kryetarët aktual për postin e të parit të komunës është ajo e reciklimit të premtimeve të mëhershme duke i zbukuruar ata në atë formë që të “servohen” si diçka e re nëpërmjet ekspertëve të komunikimit me publikun që kanë angazhuar këta parti politike. Megjithatë, sipas tij, partitë politike harrojnë se në këto zgjedhje nuk ka ekspert (të huaj apo vendas) që ta mbush mëndjen se t’i ke ujë në shtëpi, kur në fakt, nuk ke.

    Përndryshe zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor. Për 80 komunat dhe Shkupin, si njësi e veçantë e pushtetit lokal, do të garojnë 301 kandidatë për kryetarë komunash dhe 10,600 kandidatë për këshilltarë komunalë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Nga një muaj paraburgim të arrestuarve në veri

    Lajmi i rradhës

    Premtimet e Listës Serbe: Banesa dhe vende pune

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë