KRYEMINISTRAT NDËR VITE | Në politikë me biznese të majme

    Secili kryeministër i Maqedonisë së Veriut, përveç postit që kanë ushtruar, kanë pasur edhe bizneset e tyre private familjare. Në disa raste, duke ushtruar postet, iu kanë lulëzuar edhe më shumë bizneset. Branko Cërvenkovski mbetet i njohur pas tranzicionit, Lubço Georgievski pas hapjes së ekonomisë maqedonase për kapitalin grek, Vllado Buçkovski pas prokurimit të kontestueshëm të pjesëve të tankeve, për të cilat për pak iu shmang burgut. Në kohën e Nikolla Gruevskit, lulëzonte ndërtimtaria dhe ai së bashku me kushërinjtë e tij – u pasuruan me prona të mëdha ndërtimore. Zoran Zaev promovoi biznesin e marijuanës mjekësore, në të cilën kanë hyrë edhe kushërinjtë e tij, ndërsa kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski është i lidhur me biznesin e prodhimit të paneleve diellore.

    OPOZITA AKUZON KOVAÇEVSKIN PËR KARTEL DIELLORË

    Partia opozitare ka publikuar prej javësh akuza për abuzime të kryera nga kryeministri aktual në kohën kur ishte zëvendësministër i Financave. Afera “Matësi”, siç e quajnë ata, përfshin Kovaçevskin dhe kumbarin e tij, Goran Paunov, i cili themeloi kompaninë e sistemeve diellore Pixel Group, disa muaj pasi LSDM erdhi në pushtet. Kompania, sipas VMRO-DPMNE-së, ka marrë ndihmë shtetërore derisa Kovaçevski ishte zëvendësministër, ndërsa kompania e kumbarit të tij ka marrë tenderë shtetërorë për instalimin e paneleve diellore, të cilën supozohet se e ka bërë kompania e Kovaçevskit. Sipas partisë, kompania deri më tani ka një biznes prej 26 milionë eurosh. Ata po ashtu pretendojnë se kompania ka marrë para nga shteti në kohën kur Kovaçevski ishte mandatar për zgjedhjen e qeverisë së re, kur i ishin transferuar mbi 200 mijë euro.

    “Unë jam një nga themeluesit e kompanisë ‘Pixel’, e cila është themeluar në vitin 2017/2018, por kur u bëra ministër, i dhashë aksionet”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski për aferën “Matësi”, për të cilën është akuzuar nga opozita. Kovaçevski është në krye të qeverisë së udhëhequr nga LSDM që nga janari i vitit 2022. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit deklaroi se nuk ka arsye për të reaguar pasi Kovaçevski para se të bëhej zëvendësministër i Financave ka shitur aksionet e tij në kompani dhe nuk merr pjesë në strukturën menaxhuese. Në listën anketuese që Kovaçevski e dorëzon si kryeministër, thuhet se ai posedon tre banesa, një veturë Volkswagen Polo, aksione, llogari bankare, në denarë dhe në deviza. Kovaçevski udhëheqë me qeverinë për 10 muaj. Ai erdhi në qeveri pa zgjedhje, përkatësisht postin e kryeministrit e trashëgoi nga Zoran Zaev, i cili dha dorëheqje nga posti i tij pas disfatës në zgjedhjet lokale që u mbajtën vitin e kaluar në tetor.

    MARIJUANA MJEKËSORE SI ILAÇ PËR BIZNESET E FAMILJES ZAEV

    Zaev ishte kryeministër për më pak se katër vjet. Ai largoi nga pushteti VMRO-DPMNE-në dhe kryeministrin Nikolla Gruevski pas 11 vitesh qeverisje. Pas zgjedhjeve të vitit 2016, LSDM-ja mori pushtetin në vitin 2017, pasi VMRO-DPMNE nuk arriti të formonte qeveri. Zaev para se të bëhej kryeministër ka qenë edhe kryetar i komunës së Strumicës nga e ka origjinën, ndërsa familja e tij e gjerë ka biznes të përpunimit të pemëve dhe perimeve, kompani për ndërtim dhe materiale ndërtimi, shoqata tregtare, dhe pasi u bë kryeministër, ata hyrën edhe në biznes me marijuanë. Opozita akuzoi Zaevin se “udhëheq një kartel kriminal që është i pasur me marijuanë”. Zaev ka konfirmuar se familja e tij përmes kushëririt të tij Trajçe Zaev ka hyrë në biznesin e marijuanës. Pas zgjedhjeve të vitit 2020, Zaev si kryeministër në listën anketuese deklaroi se gjithçka që zotëron nuk është në emër të tij, gjegjësisht në emër të prindërve, gruas dhe fëmijëve.

    Ai kishte vetëm një kredi prej 71 mijë eurosh në emër të tij. Një muaj pasi Zaev u largua nga detyra, në shkurt të këtij viti, djali i tij, maturant, i hyri biznesit të energjisë elektrike, në kulmin e krizës energjetike. Përveç djalit të tij, në biznesin e rrymës së fundi ka hyrë edhe babai i Zoran Zaev, Pançe, sipas të dhënave nga Regjistri Qendror. Menaxheri i kompanisë së re të prodhimit të energjisë elektrike është vëllai i Zoran Zaev, Vice. Zoran Zaev tha në prill se kompania e djalit të tij Dushkos “Total Energy” do të ndërtojë një central fotovoltaik 470 kW afër Strumicës, qyteti nga i cili vjen edhe ish kryeministri. Pasi nuk është më kryeministër, Zaev po provon edhe në ujërat humanitare. Së bashku me vëllain e tij Vice Zaev, në qershor të vitit 2022, ata themeluan “Fondacionin Zaevi – Një Shoqëri për të Gjithë”.

    GRUEVSKI – TOKA, BANESA…

    Nëse emri i Zaev dhe kushërinjve të tij lidhet me marijuanë, emri i paraardhësit të tij Nikolla Gruevski dhe kushërinjve të tij më së shumti lidhet me biznesin e ndërtimit. Pati akuza për tenderë të manipuluar, blerje të parcelave atraktive të tokës shtetërore thuajse për asgjë, për të cilat në kohën e Gruevskit flitej vetëm me frikë dhe nëse një gazetar shkruante, ai merrte gjykim për shpifje dhe fyerje. Me publikimin e materialeve të përgjuara apo të ashtuquajturat bomba në vitin 2015, opinioni i gjerë mund të dëgjonte edhe për “krimet” e pushtetit të atëhershëm. Në “bombat” dëgjohej se Gruevski preu, ngjiti dhe montoi projektin Shkupi 2014, i cili u përdor për ndërtimin e objekteve, shatërvanëve, monumenteve dhe fasadave të reja në stilin barok në qendër të qytetit, për të cilat supozohet se për këtë janë shpenzuar afro një miliard euro. Kundër Gruevskit janë hapur disa procedura gjyqësore. Ai është dënuar me shtatë vite burg në rastin “Placet në Vodno” për pastrim parash dhe përvetësim dhe fshehje të paligjshme të pasurisë.

    Ai u gjykua në mungesë sepse pas aktgjykimit për rastin Tank, për blerjen e kontestuar të Mercedesit zyrtar, ish-kryeministri Gruevski, i cili u bë kryetar nderi i VMRO-DPMNE-së, u arratis dhe mori azil në Hungari.

    Sipas aktgjykimit, Gruevski, si kryetar i VMRO-DPMNE-së, paratë në llogarinë e partisë i ka përdorur për të blerë parcela toke në Vodno, një lokacion atraktiv në Shkup. Në listat anketuese të dorëzuara nga Gruevski si zyrtar, thuhej se ai nuk kishte pasuri. Dy apartamente ishin në emër të nënës së tij dhe për dy tha se paguante qiranë. Ai kishte gjithashtu disa llogari bankare dhe 25 piktura artistike me vlerë rreth 7000 euro. LSDM në maj të vitit 2016, kur ishte ende në opozitë, publikoi anketat e Gruevskit duke thënë se Gruevski me pagë prej 1400 eurosh ka kursyer 120 mijë euro për një vit. Ai nuk ka deklaruar se si i janë rritur kursimet, përkatësisht ka shkruar se paratë i ka fituar në mënyrë tjetër. Në bizneset e ish-kryeministrit, pjesë e pazëvendësueshme ishte kushëriri i tij Sasho Mijalkov, i cili ishte shef i policisë sekrete në kohën e VMRO-DPMNE-së. Marrëveshja e Mijallkov me Gjykatën për rastin “Perandoria” nxori në sipërfaqe listën e gjatë të pasurisë së tij. Për t’u dakorduar me gjykatën iu desh të hiqte dorë nga dhjetëra apartamente, 5.5 milionë euro kesh, letra me vlerë, aksione, 26 lokale në një ambient biznesi hoteleri, tokë të pandërtuar, garazhe, hapësira afariste e shumë të tjera.

    “PJESËT E TANKEVE” TË BUÇKOVSKIT

    Profesori universitar i së drejtës romake, Vlado Buçkovski, ishte kryeministër i vendit për gati dy vjet, nga viti 2004 deri në 2006, para se Gruevski të vinte në pushtet. VMRO-DPMNE opozitare e akuzoi publikisht për shitjen kriminale të Kompanisë së atëhershme Elektroenergjetike të Maqedonisë dhe për “ryshfet miliona dollarëshe nga Telekomi”, derisa ishte në funksionin e kryeministrit, si dhe për rastin e prokurimit kontestues të “Pjesë tankesh” në kohën kur ishte ministër i Mbrojtjes. Ai drejtoi sektorin e mbrojtjes në vitin e konfliktit të 2001. Në vitin 2008 u dënua me tre vjet e gjysmë burg për çështjen “Pjesët e Tankeve”. Në vitin 2019, kjo lëndë u vjetrua pasi disa herë u kthye në rigjykim. Buçkovski gjatë vitit 2012 kishte akuzuar ish kryeministrin Branko Cërvenkovski për montimin e “Pjesët e Tankeve”.

    Maxhar Telekom, pronari i Telekomit të Maqedonisë, është dënuar nga gjykata në Nju Jork me gati 60 milionë dollarë, sepse në vitin 2005 me ryshfet prej gati 5 milionë eurosh ka siguruar pozita në treg në mënyrë të kundërligjshme, gjegjësisht ka lobuar që të prolongohet liberalizimi i tregut të telekomunikacionit në Maqedoni. Pronari dominues i Maxhar Telekom është Deutsche Telekom, i cili është i listuar në bursën e Nju Jorkut, ndaj edhe gjykata atje ka ingerenca. Ish kundërzbuluesi Slobodan Bogoevski dëshmoi para gjykatës në Nju Jork se kryeministri i atëhershëm Vllado Buçkoski dhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti si dhe ish zëvendëskryeministri Musa Xhaferi morën ryshfet. Këta të fundit e mohuan një gjë të tillë. Në Maqedoninë e Veriut nuk kishte epilog gjyqësor për rastin në fjalë.

    KOSTOV PATI EKSKURSION TË SHKURTËR NË POLITIKË

    Hari Kostov drejtoi qeverinë për 169 ditë në vitin 2004. Ai vinte nga sektori bankar, ku u kthye. Në bankën e tij, kanë hyrë në borxh dy partitë më të mëdha, LSDM dhe VMRO-DPMNE.

    GEORGIEVSKI PASI RA NGA PUSHTETI U BË BIZNESMEN

    Në vitin 1998, një fitore e madhe për VMRO-DPMNE-në Ljubço Georgievski erdhi në krye të qeverisë dhe udhëhoqi me të deri më 1 nëntor 2002. Mandati i Georgievskit kalon në një periudhë jashtëzakonisht të tensionuar dhe të vështirë – konfliktin ushtarak në vitin 2001, më parë kriza e refugjatëve në Kosovë e cila rezultoi në eksodin e refugjatëve në kufirin me Maqedoninë. Georgievski ishte i dyshuar në hetimin e ish Prokurorisë Speciale Publike “Banka Postare” për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Bëhet fjalë për pastrim parash në shumën prej 5 milionë eurosh, përmes “Postës së Maqedonisë”, e cila deri atëherë ishte shtetërore. Nga perspektiva e biznesit, qeverisja e Georgievskit shënoi hapjen e ekonomisë maqedonase ndaj kapitalit grek, pas viteve të marrëdhënieve të ngrira për shkak të mosmarrëveshjes për emrin. Gjatë kohës së tij ka pasur shitjen e rafinerisë shtetërore “Okta” tek grekja “Hellenik Petroleum”. Në vitin 2000, Banka Kombëtare e Greqisë u bë pronare e “Stopanska banka” në Shkup. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Gjuha e zjarrtë

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia e Veriut i ka keq punët me mbrojtjen nga ndotja e ajrit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë