Maqedonia e Veriut i ka keq punët me mbrojtjen nga ndotja e ajrit

    Maqedonia e Veriut duhet të forcojë dukshëm ambiciet e saj në lidhje me tranzicionin e gjelbër apo ekologjik, veçanërisht në kontekstin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Gjatë vitit të ardhshëm, vendi duhet të përshpejtojë veçanërisht përpjekjet për uljen e ndotjes së ajrit në nivel lokal dhe kombëtar, si dhe për të reduktuar ndotjen difuzive të burimeve të ujit të ëmbël. Për të zbatuar masat për krijimin e një sistemi rajonal të menaxhimit të mbetjeve, veçanërisht në rajonet Lindore dhe Verilindore, si dhe për të zbatuar Marrëveshjen e Parisit, duke përfshirë miratimin e një ligji për klimën, në përputhje me Kornizën e BE-së 2030, citohet në raportin e këtij viti të Komisionit Evropian në lidhje me Kapitullin 27 – “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”.

    Në Raport nënvizohet se vendi ka një nivel të caktuar përgatitjeje në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe se është arritur njëfarë progresi në drejtim të mbrojtjes së natyrës dhe ndryshimeve klimatike, duke përfshirë hartimin dhe miratimin e Planit të Menaxhimit për Parkun Kombëtar të Galiçicës. Megjithatë, siç thekson Raporti, zbatimi mbetet një shqetësim në të gjithë sektorët.

    Sipas Komisionit Evropian, kapacitetet administrative në fushën e mjedisit, në të gjitha nivelet, mbeten të dobëta, me burime njerëzore dhe financiare të pamjaftueshme për zbatimin e legjislacionit, ndërsa puna e inspektimeve ka ndikim të vogël.

    “Nuk ka përmirësim në zbatimin e Vlerësimeve të Ndikimit në Mjedis, me mangësi, veçanërisht në proceset e konsultimit publik dhe në cilësinë e raporteve. Mungesa e transparencës dhe aksesit në informacion vazhdon të jetë problem”, citohet në Raport. Për sa i përket ndotjes së ajrit, në Raport citohet se pavarësisht progresit të arritur, cilësia e ajrit mbetet problem madhor në qytetet e mëdha. Është zhvilluar Programi për Reduktimin e Ndotjes së Ajrit dhe në gusht dhe tetor të vitit 2022 ka filluar përgatitja e katër planeve për cilësinë e ajrit, së bashku me pesë inventar të ndotësve të ajrit. Në komunën e Berovës dhe Prilepit janë vendosur dy stacione monitoruese për cilësinë e ajrit të ambientit dhe janë ndërruar instrumentet matëse të disa stacioneve matëse ekzistuese, thuhet në Raportin e KE-së. Për sa i përket menaxhimit të mbetjeve, në Raport theksohet se është miratuar Plani Kombëtar i Menaxhimit të Mbetjeve (2021-2031).

    “Plani Kombëtar i Parandalimit të Mbetjeve (2021-2027) është hartuar, por nuk është miratuar ende. Kanë filluar aktivitetet për ndërtimin e një sistemi rajonal të menaxhimit të mbetjeve në disa rajone. Futja e një sistemi rajonal të menaxhimit të mbeturinave në rajonet verilindore dhe lindore është vonuar edhe më tej për shkak të qëndresës së komunës së Sveti Nikoles për të vendosur një objekt qendror për menaxhimin e mbeturinave. Kanë filluar aktivitetet për mbylljen e deponive pa leje në rajonin lindor.

    Strukturat rajonale të menaxhimit të mbetjeve nuk janë ende plotësisht funksionale. Selektimi i mbetjeve dhe instrumentet ekonomike për të nxitur riciklimin, ripërdorimin dhe parandalimin e mbetjeve mbeten të kufizuara. Aktivitetet përgatitore për pastrimin e deponisë së vogël në OHIS kanë përfunduar dhe pastrimi ka filluar”, citohet në Raport. Lidhur me ndryshimet klimatike, Komisioni Evropian vuri në dukje se kapacitetet mbeten të dobëta si në aspektin e burimeve njerëzore ashtu edhe në aspektin e burimeve financiare, pavarësisht përpjekjeve të ndërmarra.

    Lajmi Paraprak

    KRYEMINISTRAT NDËR VITE | Në politikë me biznese të majme

    Lajmi i rradhës

    “Mezi arrijmë t’ia dalim në fund të muajit”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë