Ku ka ngecur Maqedonia e Veriut me reformat?!

    Sundimi i së drejtës dhe administrata publike janë dy pikat në të cilat Maqedonia ka ngecje me reformat e nevojshme, andaj nevojitet që të fokusohemi në plotësimin e këtyre qëllimeve, porositi euroambasadari, Mihailis Rokas. Ai këtë e theksoi në konferencën për media me ministrin për eurointegrime, Orhan Murtezani, duke prezantuar planin për rritje të Ballkanit Perëndimor.

    “Dy fusha në të cilat duhet të fokusohemi më së shumti janë sundimi i së drejtës, një komponent kryesore për gjithçka dhe tjetra janë reformat në administratën publike, duhet një administratë publike kompetente që mund të zbatojë të gjitha reformat. Por, në fushën e sundimit të së drejtës, ne po punojmë vërtetë shumë, e dimë që është prioritet i madh, ka ngecur në vitet e fundit, kështu që duhet të kemi hapa konkretë përpara së shpejti”, tha Mihailis Rokas.

    Me këtë pajtohet edhe ministri Murtezani, i cili thotë se nevojitet dinamikë më e madhe e reformave në sektorin e drejtësisë.

    “Sinjali i parë është se reformat në drejtësi po ecin pak më ngadalë. Sado që ministrat përpiqen të japin vrull shtesë, ritmi i zbatimit të reformës atje më duket se do të jetë më i ngadaltë tani për tani. Shpresojmë se do të fitojë shpejtësi shtesë”, deklaroi Orhan Murtezani.

    Për interpelancat e fundit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor që u votuan në Kuvend, si dhe për ndërprerjen e procedurës për shkarkimin e Prokurorit publik, Kocevski, Rokas thotë se procedurat për zëvendësimin e tyre janë të qarta, por edhe se çdo shkarkim duhet të jetë sipas standardeve europiane.

    “Qëndrimi ynë është se çdo gjë që mund të shihet si ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe funksionimin e Këshillit Gjyqësor është një çështje që na shqetëson. Ne po i ndjekim të gjitha këto me shumë vëmendje dhe sigurisht që duam që përmes reformave që presim të gjithë të shohim një gjyqësor të fortë që sigurisht do të jetë bazë për të ndihmuar vendin në luftën kundër korrupsionit”, tha Rokas.

    Këto ditë, vendi mori këstin e parë prej 52.4 milionë euro, duke e bërë Maqedoninë vendin e parë në rajon që merr fonde nga Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Inflacioni nuk dorëzohet, bie fuqia blerëse

    Lajmi i rradhës

    Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Bosnjën perëndimore, pas rritjes së nivelit të ujit të lumenjve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë