Ku mbeti opozita? | Alternativa pritet ta thotë fjalën e fundit

    VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin se zgjedhjet janë zgjidhja për situatën politike. Kryetari i opozitës maqedonase Hristijan Mickovski nuk flet për hapa konkretë në ditët e ardhshme, shkruan Alsat.

    Por thotë se është në kontakt me të gjitha partitë politike. Sipas tij, tani kemi situatë 60 deputetë të opozitës, 59 të pushtetit dhe një i cili nuk dihet ku do të jetë, andaj zgjedhjet duhet të organizohen sa më shpejtë që është e mundur.

    “E di sigurt që (qeveria) do të ikë. Kur do  të ndodh kjo, do të vendosin qytetarët e Maqedonisë në zgjedhje të parakohshme parlamentare të cilat duhet të mbahen sa më shpejtë. Nëse nuk ndodhin zgjedhje të parakohshme parlamentare atëherë plotësisht duhet ta vlerësojnë Qeverinë e LSDM-së dhe BDI-si si jo të përgjegjshme ndaj qytetarëve dhe shtetit. Apeloj që sa më shpejtë ta marrin veten dhe ta kuptojnë se kanë humbur bindshëm nga ana e popullit në Republikën e Maqedonisë, dhe bashkë të organizojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe të vijë qeveri popullore”, tha Hristijan Mickovki, VMRO-DPMNE.

    Edhe nga Lëvizja BESA vlerësojnë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhje e situatës aktuale.

    “Në këto rrethana dhe me shtrembërim të legjitimitetit politik të vullnetit të deputetëve në Kuvend, e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e shpejta parlamentare”, thonë nga Lëvizja BESA.

    Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se vendi ndodhet në krizë politike e institucionale, andaj vështirë se do të ketë datë. Po ashtu vlerësojnë se zgjidhja mund të arrihet me mbledhjen e liderëve politik.

    “Në situatë kur kremi shumicë me 60 deputetë dhe opozitë me 60 deputetë, sipas informatave tona vendi nuk do marrë datë për fillim të negociatave nga BE në dhjetor. Nëse nuk merr datë, Qeveria nuk është e qëndrueshme. Duhet të takohen liderët e partive politike e të vendosin se si më tej. Por praktikisht jemi në krizë politike e institucionale. Ndërsa sipas informatave që i kemi ka edhe shumë pakënaqësi brenda ‘shumicës’ aktuale, e cila pritet së shpejti të shpërthej”, pohojnë nga ASH-ja.

    Ndërsa nga Alternativa, thonë se gjithçka do të dihet pas mbledhjes së kryesisë së gjerë të partisë.

    “Koalicioni ynë me Aleancën, ndonëse formalisht është konsumuar pas zgjedhjeve lokale, realisht nuk ka asnjë ndryshim. Ne vazhdojmë të komunikojmë dhe bashkërendojmë veprimet tona opozitare. Derisa organet e partisë nuk vendosin ndryshe, ne vazhdojmë të jemi parti opozitare”, u shprehën nga AAA.

    Alternativa mbledhjen e kryesisë qendrore e ka paralajmëruar për të martën e ardhshme. Ndërsa jozyrtarisht, flitet se në këtë mbledhje do të diskutohet hyrja ose jo në Qeveri, pas ftesës për takim që kryeministri Zoran Zaev, i ka bërë kryetarit të Alternativës Afrim Gashi. Megjithatë siç thonë burime nga Alternativa, edhe kryesia e ngushtë e partisë nuk mund të marrë një vendim të tillë, pasi sipas statutit partiak, kuvendi qendror është ai që merr vendime të kësaj natyre. “E Majta”, e pakapshme për të treguar hapat e tyre të ardhshëm. /Alsat M/

    Lajmi Paraprak

    Bekteshi nuk e merr seriozisht rritjen e çmimeve të ushqimeve

    Lajmi i rradhës

    Propozohet shtrëngimi i masave për të pavaksinuarit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë