KUR DHUNA “FSHIHET”! / Përse arsimtarët në RMV heshtin në trajtimin e konflikteve ndërmjet moshatarëve?

    Dhuna mes moshatarëve është një fenomen në rritje që po shqetëson shoqërinë, veçanërisht në ambientet shkollore. Ky lloj konflikti, që shpesh manifeston veten në forma fizike, verbale apo emocionale, ka pasoja të rënda për zhvillimin e fëmijëve dhe adoleshentëve. Një nga pyetjet kyçe që lind në këtë kontekst është se përse ndodhin mbulime nga ana e mësuesve dhe institucioneve arsimore? Çfarë e shtyn këtë grup të rëndësishëm të përgjegjësisë t’i kthejë shpesh sytë nga ana tjetër, duke lënë pa adresuar një problem kaq të rëndësishëm.

    Për këtë, psikologu Lulzim Murtezani deklaroi për gazetën Koha se shpesh mësuesit ndihen të paaftë ose nuk kanë mjete për të adresuar dhunën, duke e bërë këtë problem më të vështirë për tu trajtuar.

    “Dhuna mes moshatareve, sidomos në objektet e shkollave, një fenomen shqetësues me përmasa gjithnjë e më të mëdha. Disa nga shkaqet janë edhe se mjedisi shkollor shpesh është i ngarkuar me tensione, mungesa e komunikimit efektiv mes nxënësve dhe mësuesve, si dhe mes vetë nxënësve, nxënësit shpesh imitojnë sjelljet që shohin në mjediset e tyre, si në familje apo media. Nëse ata dëgjojnë për dhunë ose e përjetojnë atë në shtëpi, kjo mund të pasqyrohet në sjelljen e tyre. Në disa raste, mësuesit ndihen të paaftë ose nuk kanë mjete për të adresuar dhunën, duke e bërë këtë problem më të vështirë për tu trajtuar”, tha Murtezani.

    Për sa i përket rritjes së konflikteve mes moshatareve, Murtezani shtoi se kjo ndodh për shkak të pritshmërive të larta dhe krizës se identitetit, si dhe përdorimi i tepruar i mjeteve sociale rezulton në rritje të ngacmimeve dhe konflikteve mes nxënësve, që mund të kalojnë në përplasje fizike.

    Ndërsa, psikologja Lejla Abazi tha për gazetën Koha se dhuna fizike mes të rinjve shpesh buron nga faktorët socialë dhe emocional, ndërsa mësimdhënësit, për të ruajtur stabilitetin në shkollë, shpesh i injorojnë ose mbulojnë këto konflikte.

    “Dhuna fizike mes të rinjve shpesh ndodh për disa arsye, përfshirë ndikimin e mjedisit social, presionin e grupit, dhe mungesën e aftësive për zgjidhjen e konflikteve. Të rinjtë mund të ndihen të paftë të shprehin emocionet e tyre ndryshe, duke e drejtuar frustrimin në forma të dhunshme. Ndërsa për sa i përket mësuesve, ata shpesh i mbulojnë këto konflikte për të ruajtur imazhin e shkollës ose për të shmangur përfshirjen e autoriteteve, duke besuar se mund t’i zgjidhin çështjet brenda. Kjo mund të çojë në një cikël të përsëritur dhune dhe paaftësie për t’u përballur me problemet në mënyrë konstruktive”, theksoi ajo.

    Ndryshe të dhënat e fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme tregojnë një rritje të lehtë të dhunës nga pesë vitet e fundit, veçanërisht dhunës së bashkëmoshatarëve dhe dhunës kibernetike. Në vitin 2022, numri i fëmijëve viktima të dhunës ishte 62, ndërsa në vitin 2023 ky numër është 74. Tri arsyet kryesore që motivojnë sjelljen e dhunshme te të rinjtë janë ndjenja e padrejtësisë (40 për qind), zhgënjimi nga statusi i tyre social (39 për qind) dhe mungesa e mbështetjes familjare (34 për qind). Gjithashtu vlerësohet shumë afër mungesa e mbështetjes nga institucionet (33 për qind).

    Lajmi Paraprak

    RMV, sërish e fundit me rritje ekonomike

    Lajmi i rradhës

    Pacientet me kancer në gji, kërkojnë ilaçe, protokolle të reja në Onkologji dhe kontrolle më të kapshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë