VMRO-DPMNE kundër kërkesave bullgare, Radev kërkon që vetoja të mos lëvizë

    VMRO-DPMNE do të votojë kundër kornizës negociuese që do t’i përmbajë kërkesat bullgare, ka deklaruar Hristijan Mickoski në një intervistë për “Prizma”.

    Sipas tij, nuk ka kuptim të negociohet me Bullgarinë sepse, siç thotë ai, tri kërkesat e kryeministrit i atjeshëm Kiril Petkov janë tepër radikale.

    Petkov tha dje se Sofja kërkon respektimin e Qëndrimit Kornizë të Kuvendit të Bullgarisë, përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë dhe zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë.

    “Ajo që shoh tani është përpjekja e Petkovit, për të mbajtur një lloj koalicioni në Bullgari, me nacionalizmin ultra-radikal. Shihet se njeriu politikisht shëtit vërdall, nga liberali që na u paraqit këtu se ka pikëpamje të hapura dhe se sheh perspektivën evropiane, deri te kërkesat e forta ultranacionaliste. Sigurisht që nuk do ta pranojmë këtë”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

    Sipas Mickoskit, Qëndrimi Kornizë për të cilin flet Petkov është asimilues për maqedonasit, ndërsa për kërkesën për ndryshime kushtetuese, kryetari i VMRO-DPMNE-së tha se partia do ta mbështesë, por vetëm nëse ka garanci se është kërkesa e fundit bullgare.

    Ndërkohë, presidenti bullgar Rumen Radev e udhëzoi Petkovin se çfarë të bënte derisa të formohet një shumicë e re qeverisëse në parlament.

    “Përderisa partitë janë duke gjetur shumicën në pushtet, qeveria duhet të ofrojë përfitime sociale dhe mbështetje për biznesin, të vazhdojë me veton për Republikën e Maqedonisë së Veriut, në përputhje me kornizën e miratuar nga Këshilli Konsultativ i Sigurisë Kombëtare dhe të sigurojë funksionimin e Shtetit”, u shpreh Rumen Radev – President i Bullgarisë.

    Nga ana tjetër, gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan se shanset e kancelarit gjerman Olaf Scholz, për të mundësuar kompromis mes Shkupit dhe Sofjes, pas vizitës së nesërme në të dy qytetet, tani janë edhe më të vogla për shkak të qeverisë jostabile në Bullgari. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    LUFTA NË UKRAINË, LIRIA E SHPREHJES DHE GJUHA E URREJTJES

    Lajmi i rradhës

    Çmimet e larta të derivateve të naftës, qytetarët vazhdojnë të përdorin makinat

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë