Kur pushimi është luks

    Vite me radhë një pjesë e madhe e  popullatës në vend nuk mund t’i lejojë vetes  as një jetesë mesatare. Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat statistikore sipas të cilave, një e treta e popullatës në vitet e kaluara që si trend është përkeqësuar pas pandemisë dhe mbetjes pa punë të mijëra e mijëra punëtorëve është seriozisht e privuar materialisht. Kjo nënkupton  pamundësinë e realizimit të së paku katër nga nëntë nevojat  themelore siç janë:  pagesa e qirasë apo komunaleve, ngrohja adekuate e banesës,  pagesa e harxhimeve të paplanifikuara, lejimi i  vetes ngrënie me mish, peshq apo mish pule në çdo të dytën ditë, verimi një javor, automobili personal,  disponimi me makinë për larje, televizor me ngjyrë apo telefon. Të dhënat e fundit të Agjencisë Evropiane të Statistikave tregojnë se afër dy të tretat apo 62 për qind e popullatës në Maqedoninë e Veriut nuk mund t’i lejojnë vetes pushim një javor në ndonjë pushimore për gjatë një viti. Statistika më tej tregon se numri i atyre që nuk mund t’i lejojnë vetes pushime është ulur nga 74.2 për qind sa ka qenë në vitin 2010 në 62 për qind dhe 65 për qind të qytetarëve që nuk kanë mundur t’i lejojnë vetes pushime prej shtatë ditësh në vitin 2018.

    Nga ana tjetër, edhe në Evropë me një standard jetësor më të lartë se ne, ekziston një shtresë e popullatës që nuk mund t’i lejon vetes pushime. Shumica e familjeve me të ardhura të ulëta në Bashkimin Evropian nuk mund të përballojnë një pushim veror, tregon  studimi i  Konfederatës së  Sindikatave Evropiane. Organizata, e cila përfaqëson 45 milionë anëtarë në 38 vende evropiane, thotë se shumë punëtorë me pagesë të ulët janë midis 35 milionë qytetarëve të BE-së që nuk kanë para të mjaftueshme për pushim. Sindikata përdori të dhëna nga Eurostat, zyra statistikore e BE -së.

    “Pushimet nuk duhet të jenë luks për të paktët. Ndërsa shumë punëtorë janë larg duke shijuar pushimet me miqtë dhe familjen, miliona njerëz humbasin për shkak të pagës së ulët, “thotë  zëvendës sekretarja e përgjithshme e konfederatës Esther Lynç. Rritja e pabarazisë së pushimeve tregon se si përfitimet e rritjes ekonomike në Evropë gjatë dekadës së fundit nuk janë ndarë në mënyrë të drejtë, shton ajo.

    Nga kjo organizatë sindikale thonë se shumë njerëz në grupin e varfërisë janë të papunë ose në pension, por gjithashtu përfshin miliona punëtorë me paga të ulëta. “Pagat minimale ligjore i lënë punëtorët në rrezik të varfërisë në të paktën 16 shtete anëtare të BE -së dhe, sipas Komisionit Evropian, 22 milion punëtorë përbëjnë më pak se 60 për qind  të mesatares,” thekson  sindikata, duke shtuar se pabarazia e pushimeve u rrit në 16 vende gjatë 10 viteve të fundit.

    Nga ana tjetër edhe hulumtime të tjera konfirmojnë se një pjese e madhe e qytetarëve të  Ballkanit perëndimor edhe pas një viti punë nuk kanë mundësi që të shkojnë në pushime.  Anketa e  Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, e azhurnuar në Barometrin e Ballkanit 2021, tregon se gati gjysma apo 45 për qind e të anketuarve në Maqedoninë e Veriut,  nuk mund të bëjnë pushime. Përqindje të lartë të familjeve që nuk mund të shkojnë në verime kanë edhe Shqipëria me 39 për qind, Mali i zi me 50 për qind. Përqindjen më të ulët sipas anketës, të familjeve që nuk janë në gjendje të përballojnë të paktën një javë pushime jashtë shtëpisë me 11 për qind e ka Kosova.

    Në Bosnje e Hercegovinë, 33 për qind e të anketuarve janë shprehur se nuk mund të shkojnë në pushime që është e ngjashme me 37 për qind e të anketuarve në Serbi që janë deklaruar se nuk kanë mundësi për pushime as një javore./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Sindikata fajëson menaxhmentin e Aeroportit “Adem Jashari” për tollovinë e shkaktuar në terminal

    Lajmi i rradhës

    Moti sot me diell dhe temperatura deri në 38 gradë Celsius

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë